Qeveria e Kosovës dhe Korporata Amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit kanë finalizuar në Uashington një marrëveshje “kompakt” me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që Prishtina thotë se do të ndihmojë me pavarësinë e sistemit energjitik të vendit.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli që kryesoi ekipin e negociatave të Kosovës tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se 202 milionë dollarë janë grant nga MCC-ja ndërsa pjesa tjetër bashkëfinancim nga qeveria e Kosovës. Ajo tha se programi ka dy projekte.
“I pari ka të bëjë me ndërtimin e kapaciteteve për akumulim të energjisë. Parashohim që të ndërtohen kapacitet për 340 megavat në orë akumulim të kësaj sasie të energjisë e cila do të jetë në momentin kur ndërtohet kapaciteti më i lartë për akumulimin e energjisë për kokë banori në Evropë. Është projekt mjaft inovativ i cili sheh drejt së ardhmes e cila do të ketë në njërën anë pavarësimin energjitik dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin tonë energjitik, pjesë në të cilën momentalisht po çalojmë, mirëpo këtë synojmë ta ndryshojmë me strategjinë e re”, tha ajo.
Ministrja Rizvanolli tha se projekti tjetër brenda programit ka të bëjë me zhvillimin e aftësive punëtore për t’u përshtatur me nevojat e një tregu dinamik dhe inovativ, si edhe përfaqësimin më të mire të grave në sektorin e energjisë.
Projekti synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një kohë të caktuar të akumulohet në mënyrë që ajo të shfrytëzohet më vonë në orët e ditës kur çmimi i energjisë është më i lartë dhe kërkesa është më e lartë.
“Që do të thotë se kjo në një masë do ta reduktojë nevojën për import çka është shumë me rëndësi në kohët që po jetojmë, kur çmimi i importit të energjisë është rritur shumë”, tha ajo.
Marrëveshja pason një periudhë të gjatë debatesh pas vendimit të muajit shtator të vitit të kaluar të qeverisë suaj për t'u tërhequr nga projekti i propozuar nga kjo korporatë, i cili parashihte lidhjen e Kosovës me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut. Zonja Rizvanolli thotë se edhe në dritën e zhvillimeve të reja, vendimi ishte i duhuri pasi në mungesën e informatave, ishte përcaktuar që granti të përdorej për qëllim tjetër.
“Ajo derë nuk është mbyllur kurrë, që të jemi të qartë nuk është se është refuzuar projekti, është vendosur e të tjera, thjesht duke parë mungesën e infomatave, por nga ana tjetër edhe duke i parë zhvillimet e tregut, është vendosur të shtyhet për më vonë. Ndërkohë situata vetëm është ndërlikuar dhe përdorimi i gazit është bërë më i diskutueshëm, prandaj jemi të lumtur që e morëm atë vendim vitin e kaluar”, tha ajo.
Ministrja Rizvanolli thotë se synimi afatgjatë i qeverisë së Kosovës është dekarbonizimi i sektorit dhe integrimi sa më shumë, i nivelit sa më të lartë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Por ajo e pranon se mund të jetë e vëshitë shkëputja e shpejtë nga përdorimi i qymyrit, duke pasur parasysh edhe situatën aktuale në botë.
“Ne jemi të vetëdijshëm që kjo nuk do të bëhet brenda natës. Kapacitetet teknike së pari nuk e lejojnë, e lëre më ato financiare dhe të tjera. Kështuqë ne do të duhet të kemi një tranzicion i cili është realist, i planifikuar në afate dhe mënyrë realiste nga qymyri në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe pikërisht ky lloj investimi si ky që do të investohet me këtë grant për kapacitetet e akumulimit, është prikërisht investimi i duhur i cili na mundëson ta bëjmë këtë kalim nga qymyri tek burimet e ripërtëritshme të energjisë”, tha ajo.
Marrëveshja e finalizuar në Uashington do të nënshkruhet pasi të votohet në kuvend dhe të miratohet nga Bordi i MCC-së.