Lidhje

Biden: Lufta kundër inflacionit “Përparësi kryesore” ndërsa afrojnë zgjedhjet e Kongresit


Inflacioni në Shtetet e Bashkuara u ngadalësua në prill, një sinjal se rritja e çmimeve mund të ketë arritur maksimumin e mundshëm. Sipas Departamentit të Punës, çmimet u rritën 0.3 për qind nga marsi në prill, një shifër e ndjeshme, por më e ulëta në tetë muajt e fundit. Inflacioni i lartë është një çështje kryesore në prag të zgjedhjeve të Kongresit në nëntor dhe Presidenti Joe Biden thotë se pjesën më të madhe të përgjegjësisë për rritjen e ka Presidenti rus Vladimir Putin, pasi agresioni rus në Ukrainë ka rritur çmimet globale të energjisë. Zoti Biden thotë se demokratët, kanë një plan më të mirë sesa opozita republikane, për të ulur shkallën e inflacionit, aktualisht 8.3%.

Nuk është e nevojshme të jesh ekonomist që të kuptosh inflacionin. Amerikanët po e përjetojnë atë tek rritja e çmimeve në të gjitha fushat, që nga ushqimi e karburanti.

"Dua që çdo amerikan ta dijë se unë po shqyrtoj inflacionin me shumë seriozitet dhe është përparësia ime kryesore e brendshme”, tha Presidenti Biden.

Zoti Biden vuri theksin tek çështjet ekonomike në shtetet e pavendosura kyçe si Karolina e Veriut, Ohajo, Ajoua dhe Alabama dhe shtetet me epërsi demokrate si Oregoni.

Sipas anketave, plani ekonomik i Presidentit Biden gëzon një mbështetje prej 40%, ndërsa republikanët nuk i kursejnë kritikat.

“Ai nuk bën asgjë tjetër veçse sulmon republikanët. Nëse ai dëshiron të bëjë diçka tani për inflacionin, ajo që duhet të bëjë është të japë dorëheqjen. Çdo muaj të tij në detyrë, inflacioni është përkeqësuar”, tha senatori republikan i Floridës Rick Scott.

Zoti Biden nuk pajtohet ndërsa së fundmi ka njoftuar nisma për të cilat thotë se do të ndihmojnë amerikanët, plane të tilla si ulja e çmimit të internetit, më shumë karburante nga rezerva strategjike, apo zgjerimin e prodhimit të karburanteve me përbërje etanoli prej 15%.

“Senatori Rick Scott, një anëtar i udhëheqjes republikane në Senat, i parashtroi të gjitha në një plan që është axhenda ultra-MAGA. Plani i tyre është të rrisin taksat e 75 milionë familjeve amerikane, të 95% të atyre që kanë më pak se 100,000 dollarë të ardhura në vit. Rritja mesatare e taksave do të ishte rreth 1500 dollarë për familje. E kanë kapur problemin nga bishti”, tha Presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë fajëson gjithashtu pandeminë lidhur me problemet ekonomike në vend si dhe Presidentin Vladimir Putin, argresioni i të cilit në Ukrainë ka ndikuar tek çmimet e energjisë dhe drithrave. Koha nuk është në anën e Presidentit Biden para zgjedhjeve të nëntorit, thotë për Zërin e Amerikës analisti Bill Galston me Institutin Brookings.

“Ndryshimet thelbësore të politikave do të sjellin rezultate me kalimin e kohës. Pyetja qëndron nëse do të ketë rezultat para zgjedhjeve të mesmandatit. Që kjo të ndodhë, presidenti duhet të ketë shumë fat.”

Ekonomistët thonë se inflacioni në SHBA ka efekte globale. Organizata Ndërkombëtare e Punës tha të martën se inflacioni global arriti në shkallën 9.2% në mars 2022, më shumë se dyfishi prej 3.7% marsin e një viti më parë.

“Inflacioni do të shkaktojë një recesion në vendet e G-7-tës. Kjo duket se po ndodh. Situata nuk është e mirë për ekonominë globale në tërësi”, thotë për Zërin e Amerikës analisti Desmond Lachman me Institutin American Enterprise.

Përfundimisht, problemi bie mbi shpatullat e votuesve amerikanë. Zgjedhjet e mesmandatit do përcaktojnë fituesit për 435 vendet që ka Dhoma e Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 anëtarëve që ka Senati.

XS
SM
MD
LG