Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, bëri thirrje të hënën që Shqipëria të ndahet nga e ashtuquajtura drejtësi e të kaluarës dhe reforma të sjellë një drejtësi të verbër, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Ambasadorja amerikane i bëri këto komente në një konferencë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku nënvizoi pritshmëritë e larta të qytetarëve shqiptarë si dhe të SHBA-ve dhe BE-së nga sistemi i reformuar.
“Reforma në drejtësi do të quhet e suksesshme kur gjyqtarë dhe prokurorë me shkelje të detyrës të mos jenë brenda sistemit gjyqësor, … kur udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të mos bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij; të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë” - deklaroi ambasadorja Kim.
Ajo theksoi se drejtësia ndjek penalisht njerëzit sepse kanë shkelur ligjin, jo pse janë të varfër, të pafuqishëm dhe jashtë pushtetit, se prokurorët dhe gjyqtarët veprojnë sepse e kërkon ligji, e jo pse dikush i fuqishëm i ka kërcënuar apo urdhëruar, apo paguar.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë, sundimin e ligjit, reformën në drejtësi në Shqipëri është më e fortë se kurrë. Ju nxis të veproni në mënyrë që të mos zhgënjeni pritshmëritë e popullit shqiptar, kërkesat e BE-së, mbështetjen e SHBA-ve” - tha ambasadorja Kim.
Komentet e saj erdhën menjëherë pas fjalës së ministrit të drejtësisë, Ulsi Manja, I cili përsëriti thirrjen e udhëheqësve socialistë ndaj prokurorisë së posacme kundër korrupsionit SPAK për hetimin e rolit të ish kryeministrit Sali Berisha në ngjarjet e 21 janarit, Gërdecit dhe ngjarje të tjera.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, foli për një bulizim të drejtësisë, që nuk i shërben askujt, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund t’u përgjigjen sulmeve, por flasin vetëm me vendime.
Kryeministri Edi Rama pohoi në Asamblenë e Përgjithshme e Partisë Socialiste, se SPAK duhet të zgjohet se nuk po bënte detyrën e vet, përderisa nuk po hetonte ish kryeministrin Sali Berisha, i përcaktuar nga SHBA-të për korrupsion dhe cënim të demokracisë.