Lidhje

Presidenti Zelensky i drejtohet parlamentit shqiptar


Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, falenderoi sot Shqipërinë për mbështetjen ofruar vendit të tij. Në një fjalim mbajtur para parlamentit shqiptar, përmes një lidhjeje direkte me video, ai kërkoi ndërkohë që Shqipëria të kufizojë tregtinë me Rusinë, të mbyllë portet e saj për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve nga Rusia “pasi askush nuk mund ta dijë, nëse mes tyre nuk është ndonjë nga vrasësit e Bucha-s apo xhelatët e Mariupolit”. Nga ana e tij kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi që ndonëse mbështetja materiale nuk mund të bëjë diferencën në këtë luftë, zëri i Shqipërisë mund të jetë i vlefshëm për Ukrainën në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Presidenti Zelensky i drejtohet parlamentit shqiptar
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:23 0:00

Ndërsa mbi tryezat e tyre të gjithë kishin një fletë me ngjyrat e flamurit ukrainas mbi të cilën ishte shkruar “Ne mbështesim Ukrainën”, deputetët e parlamentit shqiptar pritën me duartrokitje të zgjatura fjalën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky drejtuar atyre përmes një lidhjeje direkte video. Pjesa e parë e ndërhyrjes së tij ishte një përshkrim i dhimbshëm i asaj që prej më shumë se dy muajsh po përjeton vendi dhe populli i tij si pasojë e agresionit rus. Ai tregoi për qindra fëmijët e vrarë e të plagosur, për bombat dhe raketat që kishin shkatërruar qytetet e sulmuara, për varret masive, torturat dhe keqtrajtimet e ushtarëve rusë ndaj popullsisë civile.

Ai falenderoi Shqipërinë për mbështetjen që i kishte ofruar Ukrainës dhe mikrpitjen e treguar ndaj qytetarëve ukrainas të strehuar në Shqipëri. “Jam i sigurt që tani, të gjithë në botë po tregojnë karakterin e tyre të vërtetë. Dikush është i madh në përmasa, por shumë i vogël kur duhet të jesh i guximshëm dhe dikush është i vogël në hartë, por ka një zemër dhe përzëmërsi të madhe”, u shpreh ai.

Shqipëria ka mbështetur që në fillim Ukrainën, duke dënuar agresionin rus, duke mbështetur sanksionet ndaj Moskës, e duke qenë nismëtare me rezoluta dhe qëndrime të forta ndaj Rusisë, me SHBA-të si bashkë-penëmbajtëse, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria po ashtu ka ofruar ndihma ushtarake dhe ushqimore. “Nëse në aspektin e mbështetjes materiale, vendi ynë nuk mund të bëjë asnjë diferencë në këtë luftë, Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, qoftë në tryezën e NATO-s, qoftë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi pasur nderin të jemi edhe bashkënismëtarë të disa qëndrimeve domethënëse kundër agresionit rus”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Përveç falenderimeve dhe mirënjohjes, Presidenti Zelensky pati dhe disa kërkesa të drejtpërdrejta ndaj Shqipërisë. “Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht lidhja me Rusinë sepse në mos sot, atëherë nesër Rusia do të përdorë lidhjet tregtare për të goditur tregun tuaj kur të dojë. Ju duhet t’ia hiqni këtë mundësi Rusisë në kohën e duhur. Ju kërkoj të mbyllni portat për anijet ruse, ju duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dini se kush erdhi tek ju, ndoshta vrasës apo ndoshta xhelatët e Mariopulit ose ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj”, theksoi ai.

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama e hodhi poshtë mundësinë, që ndaj turistëve rusë të aplikohet politika e vizave hyrëse.

Në përfundim të fjalës së presidentit Zelensky, deputetët shqiptarë u ngritën në këmbë duke duartrokitur.

Ndërsa më pas në fjalën e tij kryeministri Edi Rama theksoi se mobilizimi i popullit ukrainas, qëndresa e vet presidentit Zelensky dhe pamjet e dëshmitë e tragjedisë së pamimagjinueshme deri para pushtimit “janë përveçse sakrifica ekstreme e një populli liridashës edhe një shërbim i paçmuar, që ju dhe vendi juaj po i bëni të gjithë botës deri dje të përgjumur demokratike”.

Kryeministri Rama njoftoi se pasnesër, në Konferencën e donatorëve për Ukrainën, të organizuar nga Polonia, “Shqipëria do të marrë pjesë për të dhënë dhe ajo kontributin e saj modest” siç u shpreh zoti Rama.

XS
SM
MD
LG