Lidhje

Rritet frika në Moldavi mbi një ndërhyrje të mundshme të Moskës


Tensionet po rriten në Transnistria, rajon separatist që shtrihet në lindje të Moldavisë, në kufi me Ukrainën. Autoritetet atje fajësojnë Ukrainën për një seri sulmesh të fundit ndaj objekteve qeveritare, akuza që Kievi i ka hedhur poshtë. Vëzhguesit thonë se po rritet rreziku që Rusia të përdorë këto sulme si një justifikim për të hapur një front të ri lufte kundër Ukrainës, ose edhe ndaj vetë Moldavisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina njofton nga kryeqyteti moldav, Kishinau.

Rritet frika në Moldavi mbi një ndërhyrje të mundshme të Moskës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Transnistria, është një territor që ka shpallur shkëputjen nga Moldavia, por që nuk është njohur, e që ka qenë de fakto i pavarur që nga një konflikt i vitit 1992.

Prej asaj kohe, në këtë rajon ka patur një prani ushtarake ruse dhe politikat e tij kanë qenë pro Kremlinit.

Së fundmi, disa akte të dhunshme që kanë ndodhur në Transnistria po ngjallin frikën se duke përdorur sfondin e luftës në Ukrainë, Rusia do të ketë një justifikim për të ndërhyrë në këtë territor, ose ndaj vetë Moldavisë.

Georgi Popa ka luftuar kundër rusëve në vitin 1992, kur Moldavia sapo ishte bërë shtet e mezi arrinte të mbrohej.

Ata morën kontrollin e Tiraspolit dhe u përpoqën të pushtonin të gjithë Moldavinë. Ne mezi luftonim, nuk kishim ushtri, vetëm mbroheshim. Ia dolëm t'i ndalim, madje çliruam disa territore”, thotë veterani i luftës.

Në një kohë kur trupat e Rusisë po përparojnë në Ukrainë dhe gjithnjë e më pranë Moldavisë, vëzhguesit thonë se frika se Moska mund të kërkojë të shtrijë dominimin e saj ushtarak në skajet e largëta ku shtrihej perandoria e saj e dikurshme, nuk është më trill politik.

Ka dy mundësi, e para që të ketë një ndryshim të regjimit këtu. Më shumë një lloj bjellorusizimi i Moldavisë, duke e bërë atë një lloj aleati të Rusisë. E dyta, përfshirja e Moldavisë në projektin e madh të "Novorossiya-s" (Rusisë së Re)”, thotë historiani Igor Casu.

Analistët thonë se Rusia ka një interes të veçantë për ta vendosur Moldavinë brenda sferës së saj të ndikimit.

Të gjithë e dinë se Rusia është e interesuar për Moldavinë, nuk është diçka e re. Edhe pse ushtarakisht jemi një vend neutral, siç thotë kushtetuta jonë, ndikimi politik rus ka qenë gjithmonë i dukshëm në zgjedhje, ku Moska e ka bërë të qartë se cilët janë të preferuarit e saj”, thotë profesorja e shkencave politike Natalia Putina.

Në një kohë kur gjuha zyrtare e Moldavisë është rumanishtja, gjuha ruse flitet nga një pjesë e madhe e popullsisë. Megjithatë, kultura rumune bashkëjeton me identitetin rus të vendit.

Sallat e teatrit si “Mihai Eminiescu” përpiqen të mbajnë gjallë kulturën dhe gjuhën rumune përballë dominimit kulturor rus.

Tashmë ekziston frika se ashtu sikurse ka ndodhur në Ukrainën lindore, Moska do të përmendë nevojën për të mbrojtur popullsinë rusisht-folëse si një justifikim për të sulmuar Moldavinë.

Jam unë ajo që duhet të mbaj përgjegjësi për identitetin tim dhe jo fqinji im. Nuk është fqinji im, ai që duhet të më tregojë se kush jam”, thotë gjuhëtarja Maria Pilkin.

Jeta vazhdon në Moldavi, pavarësisht luftës në Ukrainën fqinje dhe kërcënimit të brendshëm të paraqitur nga trupat ruse në Transnistria. Por sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt po ngre pikëpyetje se sa mund të zgjasë status quo-ja.

XS
SM
MD
LG