Lidhje

Putin paralajmëron perëndimin për hakmarrje të rrufeshme në rast të ndërhyrjes në Ukrainë


UKRAINE-CRISIS/PUTIN
UKRAINE-CRISIS/PUTIN

Presidenti rus Vladimir Putin, paralajmëroi për hakmarrje ndaj atyre që mund të ndërhyjnë në Ukrainë, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden, pritet të flaës të enjten në mbështetje të Ukrainës kundër "luftës brutale të Rusisë".

Rusia u kërkoi Shteteve të Bashkuara t’i japin fund dërgimit të armëve në Ukrainë, duke thënë se dërgesat e mëdha perëndimore po e ndezin konfliktin.

Duke iu folur ligjvënësve në Shën Petersburg të mërkurën, presidenti rus Putin tha se perëndimi donte ta ndante Rusinë në copa të ndryshme dhe e akuzoi atë se e shtyu Ukrainën në konflikt me Rusinë.

“Nëse dikush synon të ndërhyjë në zhvillimet në vazhdim nga jashtë dhe të krijojë kërcënime strategjike për Rusinë, që janë të papranueshme për ne, duhet ta dijë se sulmet tona hakmarrëse do të jenë të rrufeshme”, tha presidenti Putin në një fjalim të shpërndarë nga mediat ruse.

“Ne kemi të gjitha mjetet për këtë, gjëra që askush tjetër nuk mund të mburret se i ka tani. Ne nuk do të mburremi, do t'i përdorim nëse është e nevojshme. Dhe dua që të gjithë ta dinë këtë", tha ai.

Agresioni rus në Ukrainë që filloi më 24 shkurt, i ka kthyer në rrënoja shumë qytete e qyteza dhe ka detyruar më shumë se 5 milionë njerëz të ikin jashtë vendit.

Vendet perëndimore janë përgjigjur me sanksione dhe dërgim armësh që Ukraina të përballet me një luftë që ka nxitur frikën e një konflikti më të gjerë në perëndim, i papërfytyrueshëm prej dekadash.

Rusia e quan ndërhyrjen e saj një "operacion të posaçëm” për të çarmatosur Ukrainën dhe për ta mbrojtur atë nga fashistët. Ukraina dhe perëndimi thonë se ky është një pretekst i rremë për një luftë të paprovokuar.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden do të flasë të enjten në mbështetje të "ukrainasve që mbrojnë vendin dhe lirinë e tyre kundër luftës brutale të Rusisë".

XS
SM
MD
LG