Lidhje

Kryeministri maqedonas flet për 100 ditët e parë të qeverisjes


100 ditët e para të qeverisë së Shkupit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski në 100-ditëshin e qeverisjes foli për arritjet në më shumë fusha, duke vënë theksin tek mbështetja financiare e familjeve dhe kompanive, ndërkohë që vendi po përballet me krizën ekonomike dhe energjetike që ka shkaktuar shtrenjtimin e shumë prodhimeve ushqimore.

Ai tha se çështje me përparësi për qeverinë e tij paraqet ballafaqimi me krizën energjetike në vend, për të cilën tha se para së gjithash është krizë evropiane, e cila "mori përmasa shqetësuese për shkak të luftës në Ukrainë”. Agresionin rus e quajti një akt të paqytetëruar, të cilit së bashku me aleatët e NATO-s Maqedonia e Veriut, siç tha, iu përgjigj pa kompromis.

Zoti Kovaçevski e quajti historike ngritjen me 50 euro të pagës minimale (në 18 mijë denarë, 292 euro) për rreth 160 mijë punëtorë, dhe ngritjen e pensioneve, ndërsa tha se qeveria është e vendosur lidhur me politikat e rritjes së pagës mesatare dhe ndihmën e ekonomisë.

Ai u ndal tek investimet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, tek vazhdimi i reformave në gjyqësor dhe në fusha të tjera.

“Bëj thirrje që të ngrihemi mbi politikat ditore, të cilët nuk kanë të bëjnë me qytetarët dhe mirëqenien e shoqërisë sonë”, tha zoti Kovaçevski.

Kryeministri maqedonas ndërkohë tha se siguria e vendit është e garantuar dhe e qëndrueshme dhe se në këtë kohë të luftës në Ukrainë u vërejt në praktikë se sa i rëndësishëm është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO. Ai foli edhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të vendit, duke theksuar se me partnerët në BE kanë rënë dakord se zgjerimi i bllokut me Ballkanin Perëndimor është një çështje strategjike. “Këtë qëndrim e ndajnë edhe vendet anëtare të BE-së”, tha ai.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e opozitës e quan qeverinë të papërgjegjshme dhe të paaftë, ndërsa thotë se “kriminaliteti i Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim e shtynë Maqedoninë e Veriut drejt kolapsit ekonomik”. VMRO-ja thotë se paralajmërimet për marrjen e një huaje prej rreth 1 miliard eurosh bëhet për mbulimin e shpenzimeve dhe jo për zhvillimin ekonomik.

Edhe Aleanca për Shqiptarët drejtoi kritika dhe akuza të fuqishme ndaj qeverisë.

Kryeministri Kovaçevski erdhi në krye të qeverisë me mbështetjen e fuqishme të paraardhësit të tij, Zoran Zaev. Para se të bëhej kryeministër, Kovaçevski ishte Zëvendës-ministër i Financave dhe pedagog në një universitet të Shkupit.

Llogaridhënia për 100-ditëshin e gjen qeverinë para kërcënimeve të sindikatave, teksa punonjësit e arsimit kanë hyrë në javën e dytë të grevës, ndërsa shkollat janë mbyllur.

XS
SM
MD
LG