24 prilli shënoi dy muaj luftë në Ukrainë dhe ishte dita e Pashkëve për të krishterët ortodoksë, që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së vendit. Shërbesat fetare këtë vit në zonat e prekura nga betejat ishin shpesh të rralla mes numrit në rritje të vdekjeve, të plagosurve dhe familjeve që largohen nga shtëpitë e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, raporton nga qyteti i Irpinit në Ukrainë.
Të dielën, Pashkët për të krishterët ortodoksë, feja për shumicën e ukrainasve, përkoi me ditën e fillimit të luftës dy muaj më parë në Ukrainë.
Kharkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, është bombarduar me raketa dhe armatime të tjera të rënda pothuajse çdo ditë që nga fillimi i konfliktit.
Por shumë njerëz në Kharkiv dolën me guxim në rrugë për të ndjekur shërbesat për Pashkët, një nga festat më të dashura të vendit.
“Sigurisht që e ndjeva frikën. Por jam gjithashtu fetare dhe mbështetem te Zoti. Besoj se do të na mbrojë”, thotë Ludmyla Mokhynenko banore në Kharkiv.
Në periferi të kryeqytetit Kiev, shërbesat ishin edhe më të rralla. Shumë qytete dhe fshatra mbeten pothuajse të braktisura edhe pse Rusia i ka ripërqendruar përpjekjet e saj në Ukrainën Lindore.
Irpini, përjetoi beteja të tmerrshme. Ukraina akuzon ushtarët rusë për kryerjen e krimeve të luftës, në qytetin tjetër të Buças, duke përfshirë vrasjen e civilëve dhe përdhunimin masiv, ndërsa pushtuan qytetin.
Familjet këtu festuan të rezervuar, duke thënë se besojnë se lufta do të kthehet në zonat e tyre.
“Nuk e mendoja se do të ishin në shtëpi për Pashkët. Ne u larguam në ditën e dytë të luftës kur rusët ishin afër, dhe rrethuan qytetin. Më pas ndoqëm lajmet dhe e dinim se situata ishte serioze”, thotë Oleh Rykun, oficer policie në pension.
Në Kharkiv, familjet thonë se kanë frikë se sulmet në qytetin e tyre dhe në qytete të tjera nën rrethim, do të vazhdojnë të përkeqësohen përpara se të përmirësohen.
“Është e frikshme. Shpresoj që Zoti t'i ruajë të gjithë nga këto ngjarje. Nuk do të dëshiroja që askush ta kalonte këtë. Është një makth”, thotë Ludmyla.
Zyrtarët ukrainas thonë se të paktën tetë persona u vranë duke përfshirë një foshnjë 3-muajshe ndërsa 18 të tjerë u plagosën të shtunën në një sulm në qytetin port të Odesës.
Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët në atë që e quan një "operacion special ushtarak" dhe jo luftë.
Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se 12 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë dhe rreth 2,500 civilë janë vrarë, duke përfshirë pothuajse 200 fëmijë.