Agresioni rus në Ukrainë do të ketë pasoja afatgjata veçanërisht për shumë fëmijë, që janë detyruar të largohen me familjet e tyre për shkak të luftës. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza na sjell rrëfimet e disa fëmijëve të larguar nga lufta, në një qendër refugjatësh në Poloni.
Fëmijë të pafajshëm të larguar nga Ukraina për shkak të luftës janë zhvendosur tani në qendrat e refugjatëve në Poloni. Ata kanë dëgjuar për luftën, por nuk e kuptojnë atë.
“Dëgjova shumë shpërthime, ishte e vështirë të shkoje me tren. Dëgjuam sirena, kisha shumë frikë. Dua t’u them të gjithëve se është më mirë të qëndrosh në shtëpi, ose të shkosh në bodrum”, thotë Maksim, një refugjat ukrainas 7-vjeçar.
Të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, këta fëmijë ndihen të sigurt tani në Poloni. 7-vjeçari nga Odesa, është i vetëdijshëm se pse i duhej të largohej nga vendi i tij.
“Më 24 shkurt dëgjova tre shpërthime dhe ra alarmi. Pas një jave filluan sërish bombardimet. Kur kaluan rreth tre ditë, të gjithë kemi grumbulluar ushqime e ujë dhe u larguam”, tregon 7-vjeçari për Zërin e Amerikës.
Shumë fëmijë, që tani ndodhen në qendrat e refugjatëve në Poloni, kanë ende probleme emocionale nga traumat e luftës.
“Në disa vende hodhën shumë raketa, avionët fluturuan mbi ne. Në rajonin tonë, ata rrëzuan një avion. Në rajonet e tjera po vinin tanke, po bombardonin ndërtesat”, tregon për Zërin e Amerikës, Iskander Gasanov, një adoleshent ukrainas.
Disa fëmijë i tregojnë Zërit të Amerikës ato që kalën lënë pas në Ukrainë.
“Kam lënë një mace në Ukrainë, aty kanë qëndruar edhe gjyshërit e mi. Dikur shkoja në shkollë muzikore, luaja dhe basketboll. Unë mund të luaj piano, jam i talentuar”, thotë Mark Sadnyk, një tjetër fëmijë i larguar nga lufta.
Teksa presin me padurim një të ardhme këta fëmijët dëshirojnë të kthehen në shtëpi.
“Dua të kthehem në shtëpi. Atje janë macja ime dhe qentë e mi. Më mungojnë”, thotë 7-vjeçari Maksim Osadchyi.
Agresioni rus në Ukrainë po ashtu ka rritur edhe një ndjenjë patriotizmi tek këta fëmijë.
“Unë dua të jem ushtar, sepse dua të mbroj tokën tonë”, thotë Maksimi.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët bëri të ditur se më shumë se 5 milionë banorë janë larguar nga Ukraina, që nga fillimi i sulmit të Rusisë më 24 shkurt. Refugjatët, kryesisht gra e fëmijë, janë shpërndarë nëpër Evropë, në një përpjekje për të nisur gjithçka nga e para.