Lidhje

Rusia thotë se synon të marrë kontrollin e gjithë Ukrainës jugore dhe lindore


Një gjeneral i lartë rus tha se Moska synon të marrë nën kontroll të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore, objektiva lufte shumë më të gjera nga sa kishte pranuar më parë.

Ukraina tha se komentet e tij vërtetonin se pretendimet e mëparshme të Rusisë se nuk ka ambicie territoriale, nuk janë të vërteta.

“Ata tani e thanë hapur”, tha ministria e mbrojtjes e Ukrainës në Twitter, duke shtuar se Rusia “e ka pranuar se synimi i ‘fazës së dytë’ të luftës nuk është fitorja mbi ‘nazistët’, por thjesht pushtimi i Ukrainës lindore dhe jugore”.

Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve cituan zëvendëskomandantin e qarkut ushtarak qendror të Rusisë, gjeneralin Rustam Minnekayev të thoshte se Moska synonte të merrte Donbasin, ta lidhte me gadishullin e Krimesë dhe të merrte nën kontroll të gjithë jugun e Ukrainës deri tek një rajon separatist i Moldavisë i pushtuar nga Rusia.

Kjo do të nënkuptonte një ofensivë qindra kilometra përtej vijave aktuale. Presidenti rus Vladimir Putin më parë kishte thënë se Rusia nuk kishte ndërmend të pushtonte përgjithmonë qytetet ukrainase.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, një veprim që u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë, presidenti rus e ka shpallur qytetin port të rrethuar ukrainas të Mariupolit "të çliruar", pas gati dy muajsh luftime, edhe pse forcat ruse nuk kanë mundur të depërtojnë në fabrikën masive të çelikut Azovstal që mbetet në duart e luftëtarëve dhe civilëve ukrainas.

Në vend që të sulmojë fabrikën, Presidenti Putin ka urdhëruar një bllokadë të objektit, duke e mbyllur atë. Vëzhguesit besojnë se kjo taktikë ka për qëllim të shpëtojë jetët e ushtarëve rusë dhe ndoshta të bëjë të vdesin nga uria luftëtarët dhe civilët brenda uzinës.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se “nuk ka asnjë provë që Mariupoli ka rënë", por javë të tëra bombardimesh ruse kanë rrafshuar pjesën më të madhe të qytetit.

Më shumë se 100,000 ukrainas besohet se janë bllokuar në Mariupol, që kishte një popullsi prej 400,000 banorësh përpara se Rusia të pushtonte vendin më 24 shkurt.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se forcat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të Mariupolit, por trupat ukrainase vazhdojnë të qëndrojnë në një pjesë të tij.

Ndërkohë OKB-ja njoftoi të premten se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres do të takohet të martën me presidentin Putin në Moskë. Ai gjithashtu do të mbajë takime dhe do të ketë një drekë pune me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

Shefi i OKB-së i shkroi presidentit rus të martën duke kërkuar një takim për të diskutuar të ardhmen e hapave drejt paqes në Ukrainë. Ai gjithashtu i shkroi presidentit ukrainas Zelenskyy.

Zëdhënësi i zotit Guterres tha se zyra e tij është në kontakt me qeverinë ukrainase për planifikimin e një vizite në Kiev. Zoti Guterres gjithashtu bëri thirrje këtë javë për një pauzë humanitare 4-ditore që të përkojë me Pashkët Ortodokse, e cila festohet në Ukrainë dhe Rusi. Deri tani, këto përpjekje kanë dështuar.

XS
SM
MD
LG