Lidhje

Fundi i palavdishëm i gjigandit shqiptar të hidrokarbureve


Fundi i palavdishëm i gjigandit shqiptar të hidrokarbureve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Fundi i palavdishëm i gjigandit shqiptar të hidrokarbureve

Tre muaj përpara se çmimi i naftës të arrinte nivelet më të larta historike në treg, Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh u shit për skrap, duke lënë pas një mal me borxhe dhe të ardhura të mungura për autoritetet vendore dhe naftëtarët.

Në hyrje të bashkisë së Mallakastrës ndodhet një pikë e vogël karburanti me logon e kompanisë së madhe të karburanteve ‘Kastrati’. Çmimi i një litre naftë në mesin e muajit mars në këtë pikë shërbimi kishte arritur 191 lekë.

Sipas banorëve vendas, kjo është hera e parë në zonë që çmimi i naftës arrin rekorde të tilla, pasi historikisht një litër naftë kushtonte 50 lekë më lirë se në qytetet e tjera të vendit - i ndikuar pozitivisht nga prodhimi i rafinerisë së Ballshit.

“Çmimi i lartë i naftës në Ballsh nuk ka qenë asnjëherë kaq shtrenjtë se ishte vend që e prodhonte dhe e përpunonte vetë,” kujton Sokol Dautaj, kryetar i Sindikatës së Naftëtarëve të Ballshit.

Prej muajsh në Ballsh, zhurma që dikur krijonte Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës nuk dëgjohet më. Ajo është zëvendësuar me kërcitjet e makinerive të rënda, që po e çmontojnë kombinatin, ndërsa herë pas here kamionë të ngarkuar me hekur kalojnë në rrugën që lidh rafinerinë me qendrën e Mallakastrës.

Dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga BIRN tregojnë se mbyllja e kombinatit dhe çmontimi i tij për skrap është bërë me bekimin qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, e cila ka miratuar ndërtimin në vend të tij të një parku fotovoltaik.

Ky vendim erdhi pas vitesh keqmenaxhimi dhe borxheve të krijuara nga kompania ARMO, që solli në sekuestrimin e kombinatit në Ballshit si kolateral nga Banka Credins.

Pas disa pëpjekesh të dështuara për ta rivënë në punë rafinerinë, Banka Credins ia shiti rafinerinë kompanisë “Shijaku” për 9 milionë euro, me qëllim çmontimin dhe shkrirjen e saj për hekur skrap.

BIRN mësoi gjithashtu se kompania “Shijaku” nuk është pajisur me leje për prishjen e uzinës nga Bashkia Mallakastër, e cila insiston se nuk ka kompetenca mbi një sektor strategjik si hidrokarburet.

Kompania “Shijaku” i tha BIRN se për momentin është duke bërë vetëm çmontimin e pjesëve të luajtshme të uzinës, pasi po pret që të marrë përgjigje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit - si për lejen e prishjes, ashtu edhe për ndërtimin e parkut fotovoltaik.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mohon të ketë një rol në prishjen e uzinës, duke e konsideruar tërësisht si një transaksion privat mes bankës Credins dhe kompanisë Shijaku.

“Uzina ishte një gangrenë së fundi, një problem, një minë me sahat dhe nëse do të vazhdonte të rrinte e paadministruar, do të krijonte shumë më tepër probleme ekologjike, mjedisore dhe komunitare,” tha zëvendësministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Ilir Bejtja.

Ai shtoi se prishja e saj jep mundësinë e ndërtimit të një impianiti të ri, i cili ‘do të punësojë njerëz, si gjatë ndërtimit dhe gjatë funksionimit.’

Edhe administratori i kompanisë “Shijaku” insistoi se dërgimi për skrap i uzinës përbënte një risi për tregun shqiptar, kur shumë fabrika të vjetra të ndërturara gjatë kohës së ish-regjimit komunist ndosin ende qendrat e qyteteve industriale.

“Fati i naftëtarëve apo zonës së Mallakastrës është mjaft i mirë, që kjo gangrenë të mos i kapë dhe brezat që vijnë,” tha Shpëtim Shijaku, ndërsa premtoi se uzina do të kthehet në një zonë ekologjike.

Rrënimi i kompanisë ARMO

Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh filloi punë në vitin 1975. Së bashku me rafinerinë e Fierit që u hap në vitin 1968, ai ishte në pronësi të kompanisë publike të hidrokarbureve Albpetrol. Në vitin 1999, Albpetrol u nda në tre shoqëri tregtare, SERCOM për shpërndarejn e naftës, ARMO për rafinimin e saj dhe Albpetrol për prodhimin e naftës bruto.

Dy rafineritë bashkë me tre degë të shitjes me shumicë, një institut kërkimor, një terminal eksporti, si dhe kapacitete depozitimi prej 220 mijë metër kub naftë, iu transferuan si asete kompanisë Albania Refining and Marketing of Oil, ARMO.

Në vitin 2008, 85% e aksioneve të ARMO-s u privatizuan nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. AMRA Oil ishte 80% në pronësi të Anika Enterprises –një kompani e regjistruar nga biznesmeni Rezart Taçi në Zvicër – dhe 20% në pronësi të Referinery Associates of Texas.

Nga viti 2009 deri në 2013, nën drejtimin e biznesmenit famëkeq dhe me lidhje të ngushta me familjen e ish-kryeminsitrit Sali Berisha, ARMO u rrënua nga një kompani e shëndoshë financiarisht në një shoqëri aksionere të mbytur në borxhe ndaj bankave, tatimeve dhe furnitorëve.

Në gusht 2013, paketa kontrolluese e aksioneve të Taçit tek ARMO iu shit kompanisë ‘offshore’ me pronësi azere, Heaney Assets Corporation, e cila pagoi 50 milionë euro.

Azerët tentuan ta rivinin në punën ARMO-n, duke i dhënë me qira rafineritë e saj në Fier dhe Ballsh, por barra e detyrimeve të kompanisë ishte e papërballueshme dhe e çoi atë drejt kolapsit.

Sipas zëvendësministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Ilir Bejtja, deri në vitin 2014 kompania ARMO kishte akumular gati 500 milionë USD borxhe dhe detyrime të pashlyera.

“I gjithë kapitali i nënshkruar i kompanisë ishte rreth 495 milionë USD, ndërkohë që borxhi i vet në fund të 2014-s shkonte diku te 493-494 milionë USD,” shpjegoi Bejtja.

Një prej kreditorëve të shumtë të ARMO-s ishte dhe Banka Credins, e cila në nëntor 2016 arriti ta ekzekutonte kolateralin për një borxh të pashlyer prej 20 milionë eurosh, duke marrë në pronësi rafinerinë e Ballshit.

Banka Credins fillimisht ia shiti rafinerinë kompanisë IRTC Sha - në pronësi të biznesmenit Besnik Sulaj. Por pasi IRTC nuk arriti të paguante kredinë me të cilën ishte financuar ky operacion, rafineria e Ballshit iu kthye sërish bankës.

Banka Credins përdori të njëjtën skemë në shtator të vitit 2017, duke e shitur për herë të dytë rafinerinë tek kompania Allum Enterprises për 2.8 miliardë lekë (22 milion euro). Në shkurt 2018, kjo kompani materializoi një marrëveshje me shoqëritë Bylis dhe Tosk Energji dhe ato punuan në Ballsh deri në 17 shtator 2019.

Megjithëse puna u ndërpre, kompanitë Bylis dhe Tosk Energji e mbajtën rafinerinë deri në shkurt 2020, kohë kur u çliruan nga marrëveshja me Allum Enterprises. Ngjashëm me IRTC, edhe Allum Enterprises nuk arriti ta paguajë kredinë ndaj Bankës Credins, të cilës iu kthye përsëri aseti i kolaterizuar.

Pasi e rimori rafinerinë nga Allum Enterprises, banka ia shiti atë në fillim të vitit 2022 kompanisë “Shijaku”, për ta çmontuar dhe shitur për skrap.

Dokumentat e siguruara nga BIRN tregojnë se rafineria e Ballshit u shit nga Banka Credins për kompaninë “Shijaku” sh.p.k kundrejt një shume prej 9 milionë eurosh, përmes një linje kredie që vetë banka i dha kompanisë.

“Dhashë ofertë pranë bankës, pasi ajo e kishte nxjerrë në shitje dhe bleva rafinerinë për 9 milionë euro,” tha Shpëtim Shijaku për BIRN. “Këtë shumë të plotë e kam marrë kredi pranë kësaj banke,” shtoi ai.

Banka Credins i tha BIRN se për disa vite u përpoq që ta vinte në shfrytëzim kombinatin e Ballshit, por pas disa përpjekjeve të dështuara dhe vlerësimeve të bëra nga investitorë potencialë se ajo nuk ishte e shfrytëzueshme dhe rentabël, hoqi dorë duke pranuar ofertën për shitjen e saj për skrap.

“Kompania Shijaku Shpk ka blerë asetin e marrë në pronësi të Bankës pas disa transaksionesh shit-blerjesh... të cilat kanë rezultuar të dështuara, duke qenë se klientët e kanë patur të pamundur të sjellin në eficencë operativitetin e rafinerisë,” tha Banka Credins në një përgjigje me shkrim.

“Banka mbështet me kredi klientë, të cilët rezultojne fizibël në plotësimin e kushteve bankare për kthyeshmërinë e financimeve të marra, bazuar në planet e biznesit dhe kolateralet që këta klientë vënë në dispozcion të saj,” shtoi Credins.

Shpëtim Shijaku i tha BIRN se në fund të vitit 2023, në vend të Kombinatit të Përpunimit të Naftës në Ballsh do të ngrihet një park me panele diellore, me një fuqi prodhimi energjie prej 100 MËh , i shtrirë në të gjithë sipërfaqen prej 73 hektarë të uzinës.

“Ju premtoj që do të bëj një investim serioz, arrin në afërsisht 60 milionë euro, dhe do të jetë gati brenda vitit të ardhshëm,” tha ai, ndërsa shpjegoi se “prona është e pastër, nuk ka askush pretendime.”

Për të kryer investimin, Shijaku sqaron se do t’i drejtohet sërish bankave tregtare për të marrë kredi për financimin e projektit.

“Energjia do të shitet në treg të lirë, në bursën shqiptare “Alpex”, nuk do të jetë pjesë e tregut të rregulluar,” theksoi ai.

“Leverdia më e madhe është që linja elektrike dhe nënstacioni janë aty dhe nuk ka nevojë për investime të mëdha,” shpjegoi Shijaku, ndërsa shtoi se “janë linja që i mbajnë kapacitete të larta energjie sepse dikur furnizohej rafineria.”

Edhe pse bashkia Mallakastër e kufizoi deri diku çmontimin e rafinerisë, pasi nuk i ka dhënë ende lejen e prishjes kompanisë “Shijaku”, autoritetet e tjera të lidhura me pushtetin qendror i kanë dhënë dritën jeshile ndërtimit të një parku fotovoltaik në vend të uzinës.

Në dy dokumente të siguruara nga BIRN rezulton se Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST është shprehur pozitivisht në një opinion paraprak ndaj kërkesës së kompanisë “Grennat Solar Park Ballsh” për përdorimin e linjës së tensionit të lartë 110 KV për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Ballsh. Po ashtu, edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pranuar aplikimin e saj për leje paraprake, por nuk e ka shqyrtuar ende kërkesën.

‘Funerali’ i Mallakastrës

Adrian Hoxha punoi për 31 vjet në uzinën e Ballshit në sallën e komandës së hidro-pastrimit. Ai thotë se ndjehet sot i pafuqishëm dhe i poshtëruar, pasi nuk e kishte menduar ndonjëherë se fundi i ndërmarrjes do të ishte çmontimi dhe shitja e saj për skrap.

“Sot Mallakastra është shkelur me këmbë,” tha Hoxha, ndërsa kujtoi se me mbylljen e rafinerisë kanë humbur punën 1 mijë punëtorë. “I bënë varrin Mallakastrës,” shtoi ai.

Fjalën ‘funeral’ e përmend edhe biznesmeni Shpëtim Shijaku që po kryen demolimin e teknologjisë së uzinës. Fitimi që duhet të gjenerojë kompania nga shitja e hekurit të rafinersisë për skrap duhet të kalojë çmimin e blerjes prej 9 milionë euro, por ky vlerësim ka risqet e veta thotë Shijaku.

“Unë jam biznes ndryshe nga të tjerët, merrem me pjesën e fundit të një objekti. E quaj biznes funeral, pasi kam marrë një gjë të vdekur dhe do e ringjall,” rrëfen Shijaku.

“Rreziku në këtë lloj biznesi është i lartë, sepse unë kam blerë hekur dhe nuk e di gjendjen faktike të tij,” shtoi ai.

Megjithë pikëpyetjet që ngre biznesmeni për çmontimin e rafinerisë, nga shkrirja e saj për skrap qindra naftëtarë kanë mbetur pa punë dhe shumë prej tyre pa shpresë.

Qeveria ka miratuar një rrogë prej 30 mijë lekësh në muaj për ish-punonjësit e rafinerisë, në mënyrë që të zbusë pasojat sociale të mbylljes së saj. Shumë prej naftëtarëve që janë në moshë të madhe kanë vështirësi të gjejnë punë të tjera në sektorin privat.

“Kam vajtur në 20 firma dhe sa më shohin moshën nuk ma hap derën kush,” thotë Adrian Hoxha, i cili ka tre fëmijë në shkollë të lartë. “Më duhen dhe 4 vjet që të kap moshën (60 vjeç) që të dal në pension,” shpjegoi ai.

Njësoj si Adriani janë dhe dhjetëra naftëtarë të tjerë, që kanë vështirësi të gjejnë punë dhe shumë prej tyre shohin si rrugën e vetme që u ka mbetur atë të emigrimit.

“Jemi shumë të zhgënjyer, jemi 300 veta që na kanë hedhur në rrugë se të tjerët dolën në pension dhe mua më duhen dhe 3 vjet të marr statusin e naftëtarit të dal në pension të parakohshëm,” tha një prej ish-punonjësve të rafinerisë, i cili preferoi të mbetej anonim.

Në syrin e qeverisë, trajtimi financiar që u është bërë naftëtarëve është më i miri që mund të ofrohet sot nga ndihma shtetërore.

“Nga ana sociale, ndihma ka qenë më shumë se optimale, ku është rast unik që shteti duke marrë parasysh plagën e madhe sociale që shkaktoi mbyllja e uzinës në qytetin e Ballshit, ka marrë përsipër t’u garantojë atyre për 3 vjet pagën,” tha zv.ministri Bejtja.

Ai sqaron se përveç pagës së punëtorëve të mbetur pa punë, tashmë qeveria ka zgjidhur dhe problemin e ujësjellësit dhe të nënstacionit elektrik në zonën e Mallakastrës, të cilat ishin në pronësi të ARMO-s dhe furnizimi me ujë dhe drita varej nga humori i investitorëve.

Bejtja theksoi se ARMO ka akumuluar 40 milionë USD detyrime për energjinë elektrike gjatë viteve.

“Ishin në mëshirën e fabrikës, duam ju japim, nuk duam s’ju japim,” shpjegoi ai.

Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj thotë se ndihma e qeverisë prej 30 mijë lekësh është tallje në krahasim me kontributin e naftëtarëve në sektorin e hidrokarbureve.

“Ne kemi kërkuar mbrojtje financiare momentale me premtimin që do të riktheheshim në punë,” tha ai.

Prej vitesh, Dautaj dhe naftëtarët e tjerë enden nëpër gjykata me padi kundër ARMO-s për 13 paga të papaguara në vitin 2014. Ata nuk kanë mundësi të bllokojnë asnjë ndërtesë të uzinës, pasi të gjitha pronat si në Ballsh dhe në Fier u ekzekutuan si kolateral në favor të bankave.

“Rafineria po shkatërrohet ditën dhe natën - po del si mall pa investor, pajisje me vlerë kolosale po shiten si pjesë skrapi me peshë,” ankohet Dautaj.

“Nëse ne fitojmë gjyqin, ku do të vihet sekuestro nesër,” pyet kreu i Sindikatës së Naftëtarëve.

Dautaj beson se ligjvënësit mund të ofrojnë ende një zgjidhje. Ata i kanë bërë një peticion parlamentit për shpalljen e falimentit të ARMO-s dhe gjetjen e një mënyrë për të kompensuar punonjësit për pagat që nuk i kanë marrë.

“Në momentet që flasim ka një terr informativ. I kemi kërkuar shpjegime të gjitha palëve dhe askush nuk na ka servirur letrat, ndërkohë që po shohim që po ndodh shkatërrimi i rafinerisë,” tha ai.

“Rafineria po shkatërrohet në mënyrën më barbare, po shkon për skrap një rafineri që ishte e vetme në Ballkan, e cila e ka ndalur aktivitetin e saj në gjendje pune,” përfundoi Dautaj.

Taksat e munguara

Papunësia në Mallakstër është rritur tashmë prej muajsh, ndërsa vetë financat e bashkisë që menaxhon këtë zonë janë të rrënuara për shkak të detyrimeve që lanë në kohë investitorët e rafinerisë, por dhe nga taksat e munguara që tashmë nuk do të shkojnë më të buxhetin e kësaj njësie vendore.

“Janë rreth 800 mijë USD në vit që i mungojnë buxhetit të bashkisë nga mbyllja e rafinerisë dhe për nivelin e buxhetit të bashkisë tonë janë një zë shumë i rëndësishëm,” thotë Zamir Malasi, nënkryetar i bashkisë Mallakastër, cili pranon se mbyllja rafinerisë ka ndikuar negativisht në financat e bashkisë.

Malasi thotë se përveç taksave të munguara, ARMO ka dhe detyrime të papaguara ndaj bashkisë së Mallakastrës.

“Rafineria na ka lënë detyrime, vetëm 3 vitet e fundit janë 2.5 milionë USD, ndërsa në total bashkë me vitet e tjera shkojnë në afro 6 milion USD,” shpjegoi ai.

Sipas Malasit, investimet në sektorin e hidrokarbureve kërkojnë kapital të madh, ndërsa të vetmet biznese që janë afruar që prej mbylljes së rafinerisë në Mallakastër janë ato të sektorit të fasonerisë.

“Situata e naftëtarëve është e vështirë dhe janë problem social për zonën,” tha gjithashtu Malasi.

“Ata sot po marrin një pjesë pension të parakohshëm e një pjesë ndihmë financiare, sepse problematikën e punësimit e zgjidh vetëm tregu,” shtoi ai.

Për nënkryetarin e bashkisë, shkatërrimi i uzinës erdhi si shkak i shfrytëzimit pa kriter dhe mungesës së investimeve.

“Faji për shkatërrimin e rafinerisë është degradimi në vite dhe mungesa e investimeve, sidomos pas momentit të privatizimit, pasi në fokus ka qenë vetëm shfrytëzimi,” tha ai.

“Nëse do të kishte pasur investime, uzina do të ishte në punë, bashkia do të kishte të ardhura dhe naftëtarët do të ishin në punë,” përfundoi Malasi.

XS
SM
MD
LG