Zëri i Amerikës: Zoti Gjekmarkaj po e nis nga zhvillimet e fundit, tek çështja e presidentit e cila duket se është bërë shkak edhe për një përplasje të re brenda Partisë Demokratike. Cili është mendimi juaj, çfarë roli duhet të ketë Partia Demokratike për sa i takon kësaj çështjeje? A duhet të marrë pjesë ajo në konsultime?
Agron Gjekmarkaj: Ne kemi një kulturë shumë të keqe me bojkotimin. Kemi bojkotuar reformën zgjedhore. Kemi bojkotuar mandatet. Kemi djegur mandatet në parlament. Nuk kemi marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Largimi nga përgjegjësia, nga përballja, për mua është fshehje, t'i ikësh realitetit, është mungesë përgjegjshmërie. Partia Demokratike duhet të marrë përgjegjësinë e vet, të jetë pjesë e procesit, paçka se sa seriozisht mund ta ketë kryeministri apo maxhoranca, çka unë nuk besoj se e kanë, sepse ai e ka në mendje dhe duket që e ka në mendje presidentin; thjesht po bën teatrin e zakonshëm. Por, përballë shqiptarëve Partia Demokratike ka përgjegjësinë e vet të dalë me propozimet e veta, si e do procesin dhe çfarë emrash do. Unë besoj që do të ishte në të mirën e vendin, do të ishte një gjest pozitiv që pse jo presidenti t'i lihej opozitës, duke patur parasysh që gjysma e popullit shqiptar sot nuk është askund i përfaqësuar në institucionet e shtetit shqiptar. Do të ishte një gjest simbolik i vullnetit të mirë.
Zëri i Amerikës: Pra, për ju ky nuk është një proces farsë?
Agron Gjekmarkaj: Jo, procesi që po ndërton kryeministri është farsë. Ai do thjesht ta degradojë më tej opozitën duke parë cilat janë problemet e brendshme. Por përtej kësaj, opozita duhet të jetë aty në vendin e duhur, në kohën e duhur, me propozimet e veta.
Zëri i Amerikës: Zoti Gjekmarkaj, kuptohet që Partia Demokratike sot është në një situatë tejet të vështirë. Pas dorëheqjes së zotit Basha duket sikur kontrollin e partisë e ka marrë zoti Berisha. Në parti ekzistojnë dy fraksione. Kush e përfaqëson sot Partinë Demokratike?
Agron Gjekmarkaj: Institucioni më legjitim që sot Partia Demokratike ka është grupi i saj parlamentar. Të gjitha të tjerat në njëfarë mënyre kanë rënë. Dhe për më tepër kur kemi të bëjmë me procese të njëanshme si ato që kemi parë nga dhjetori e këndej, janë thjesht procese që përfaqësojnë një pjesë dhe dëshirat e një individi apo grupi të caktuar rreth tij. Nuk janë procese që çojnë drejt bashkimit të Partisë Demokratike. Proceset e bashkimit do të ishin të tjera. Do të ishte gjuha e kompromisit ku lihet mënjanë procesi i deritanishëm, i cili është bërë i njëanshëm, dhe hapet një proces gjithëpërfshirës ku të kenë mundësi të gjithë të bëhen pjesë për ta zgjidhur problemin dhe për ta çuar drejt bashkimit. Njerëzit kërkojnë bashkim. Demokratët në bazë kërkojnë bashkim. Dhe është fatkeqësi që gjithçka ngelet peng në dorën e një njeriu.
Zëri i Amerikës: Megjithatë duket që shumica mbështesin zotin Berisha. Çfarë pasojash mund të ketë mbi Partinë Demokratike zgjedhja e zotit Berisha si kryetar i saj, duke qenë se ai është shpallur si një person i padëshiruar në Uashington?
Agron Gjekmarkaj: Unë besoj shumë dhe e kam shprehur publikisht që Partia Demokratike, duke e falenderuar Sali Berishën, duhej të ndahej prej tij në vitin 2013. Sepse ai çfarë ka patur për t'i ofruar Partisë Demokratike, çfarë ka patur për të marrë prej tyre, i ka bërë dhe i ka kryer të dyja proceset. Duhej të ndahej kulturalisht së pari. Duhej të ndahej politikisht, sepse Partia Demokratike kishte nevojë të mbante çfarë është e mirë nga berishizmi dhe ta linte mënjanë, t'ia linte historisë, pjesën tjetër që nuk shkonte me bashkëkohësinë dhe modernitetin. Fatkeqësisht, këto nuk ndodhën. Tani ne mbahemi vetëm pas faktit që ai është non-grata. Sigurisht dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme që nuk mund të anashkalohet. Është vullneti i shtetit kryesor të botës, për fatin tonë të mirë aleat strategjik i shqiptarëve. Dihet cili është vullneti i tyre. Një vullnet i shprehur herë pas here fuqishëm që ata shohin nga e ardhmja, nuk negociojnë të shkuarën.
Zëri i Amerikës: Cili është qëllimi i vizitës tuaj në Uashington?
Agron Gjekmarkaj: Unë jam shumë i nderuar që gjendem në Uashington. Kam një moment krenarie në impenjimin tim publik, faktin që jam ftuar dhe jam pritur në Departamentin e Shtetit, apo dhe në vizita të tjera të rëndësishme që kam patur në institucione të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre tre ditëve që jam në Uashington.
Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se Partia Demokratike i dha Berishës dhe Bashës mjaftueshëm pushtet, mundësi dhe kohë, dhe tashmë ata duhet të largohen, të dy. Po cila mund të ishte zgjidhja në këtë pikë që kanë mbërritur zhvillimet?
Agron Gjekmarkaj: Ka një ekstremizim në Partinë Demokratike. Unë e kam mbështetur Lulzim Bashën dhe nuk kam pendesë. Unë mendoj që ai duhet falenderuar për disa gjëra që i ka bërë mirë në Partinë Demokratike. Por ka humbur dy palë zgjedhje. Besoj ai e bëri aktin e vet, u tërhoq. Tani i takon Sali Berishës që të bëjë të njëjtën gjë sepse e ka konsumuar kohën e vet historike dhe politike në krye të Partisë Demokratike. Njerëzit kërkojnë bashkim. Bashkimi mund të gjendet përtej Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, të cilët të dy bashkë janë përgjegjës për gjendjen katastrofike ku është sot Partia Demokratike. Unë mendoj që Shqipëria, Partia Demokratike, ka plot, pa fund, burra dhe gra të cilët mund të marrin drejtimin e Partisë Demokratike. Ideja që nuk gjen lider Partia Demokratike më duket absurditet, më duket një budallallëk, më duke fyerje për inteligjencën e shqiptarëve. Sepse liderin e bën gara, e bën koha, e bëjnë përgjegjësitë që ai do të marrë para shqiptarëve në udhëheqjen e Partisë Demokratike. Nuk ka ngel Partia Demokratike vetëm tek Sali Berisha, tek Lulzim Basha, të cilët janë në njëfarë mënyre binom dhe dy anë të një medaljeje.
Zëri i Amerikës: A mund të shmangej ndarja e Partisë Demokratike?
Agron Gjekmarkaj: Sigurisht, në qoftë se ka vullnet mund të shmanget ndarja dhe mund të realizohet bashkimi dhe Partia Demokratike në pak javë dhe pak muaj mund të ishte ajo forca e fuqishme opozitare që shqiptarët kërkojnë.
Zëri i Amerikës: Zoti Gjekmarkaj, periudha e vështirë që po kalon Partia Demokratike ka treguar që kjo është një forcë politike që më shumë se e kontrolluar nga forumet e saj drejtuese është një forcë që kontrollohet nga udhëheqësi, nga individë, nga kulti i individit. Si mund të shkëputej Partia Demokratike nga kjo?
Agron Gjekmarkaj: Kjo është një kulturë politike që vjen nga komunizmi në Shqipëri dhe është neokomunizëm në demokraci. Dy partitë kryesore në Shqipëri udhëhiqen nga fuqia e liderit. Jo se s'duhet të ketë peshë lideri në parti politike, por lideri shndërrohet në absolutist në Partinë Demokratike. Dhe kjo kulturë duhet të marrë fund, sepse promovon vetëm servilizëm, nënshtrim dhe ushtarë. Asgjëson çdo gjendje kritike, çdo mendim të lirë, çdo mendim kritik. U mbyll derën elitave, grupeve profesionale, interesave të ndryshme sociale, duke shndërruar çdo gjë në interes të liderit dhe çdo gjë gravon rreth ambicjeve dhe dëshirave të tij.
Zëri i Amerikës: Jeni shprehur se nuk do të shkoni në mbledhje, dhe nuk po shkoni në mbledhje të grupit parlamentar për sa kohë Sali Berisha (ndodhet aty). Por, nëse ky i fundit de juro zgjidhet kryetar, çfarë do të bëni?
Agron Gjekmarkaj: Unë e kam deklaruar. Do mbetem deputet i Partisë Demokratike. Nuk do të jem asnjëherë deputet i Sali Berishës, i Lulzim Bashës. Do jem deputet i Lezhës. Unë i kam marrë vendimet e mia gjatë këtyre muajve. Nuk kam asnjë pendesë. Nuk kam asgjë për të rishikuar dhe sigurisht që do të ruaj këtë pozicion. Nuk do të marr pjesë në mbledhjet e grupit.