Presidenti francez Emmanuel Macron e goditi fortë sfiduesen e tij të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen në një debat televiziv të mërkurën për lidhjet e saj me Rusinë dhe për dëshirën e saj për t'u hequr grave myslimane të drejtën për të mbuluar kokën në publik, ndërsa ai kërkon votat e francezëve për të fituar një mandat tjetër 5-vjeçar.
Në konfrontimin e tyre të vetëm kokë më kokë përpara balotazhit që do të mbahet të dielën, Macron tha se rivalja e tij nuk është personi i duhur për të udhëhequr fuqinë evropiane të armatosur me armë bërthamore, me një popullsi të larmishme dhe për t'u marrë me Moskën. Ai u përpoq ta portretizonte zonjën Le Pen si thelbësisht të pabesueshme, duke e akuzuar atë për pandershmëri dhe për përdorimin e shifrave të gabuara në premtimet e saj zgjedhore.
Ai tha gjithashtu se planet e kandidates kundër imigracionit dhe për të ndaluar gratë myslimane të mbajnë shami në publik do të shkaktonin "luftë civile" në vendin që ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore.
Le Pen, nga ana tjetër, u përpoq të tërhiqte votuesit e pakënaqur me çmimet në rritje, të shkaktuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ajo tha se ulja e kostos së jetesës do të ishte përparësia e saj kryesore nëse zgjidhet në postin e presidentes, që do ta bënte atë presidenten e parë të Francës, duke e portretizuar veten si kandidate për votuesit që nuk mund të përballojnë jetesën. Ajo tha se presidenca e zotit Macron e kishte lënë vendin thellësisht të ndarë dhe ajo iu referua në mënyrë të përsëritur të ashtuquajturës lëvizje të "jelekëve të verdhë" që tronditi qeverinë e tij përpara pandemisë së COVID-19 me muaj të tërë protestash të dhunshme kundër politikave të tij ekonomike.
“Franca duhet të bashkohet sërish”, tha ajo.
Debati nxori në pah hendekun e madh politik midis dy kandidatëve që konkurrojnë sërish për postin e presidentit, pesë vjet pasi Macron mundi me lehtësi zonjën Le Pen në 2017.
Sondazhet sugjerojnë se Macron, një centrist pro-evropian, ka një epërsi në rritje dhe të konsiderueshme ndaj nacionalistes që mbështet politika kundër imigracionit, përpara votimit të së dielës. Por rezultati pritet të jetë më i ngushtë se pesë vjet më parë dhe të dy kandidatët po kërkojnë votat e atye që votuan kundër tyre në raundin e parë të zgjedhjeve më 10 prill.
"Unë nuk jam si ju," tha Le Pen ndërsa ata u përplasën për nevojat e Francës për energji.
“Ju nuk jeni si unë”, tha Macron. "Faleminderit për kujtesën."
Udhëheqësi francez ishte veçanërisht i ashpër në kritikat e tij për një kredi të marrë nga partia e zonjës Le Pen në vitin 2014 nga një bankë ruso-çeke. Ai tha se borxhi do të thoshte se, nëse zgjidhej presidente, zonja Le Pen do t'i kishte duart e lidhura në përballjet me Kremlinin.
“Ju po flisni me bankierin tuaj kur flisni për Rusinë, ky është problemi”, tha Macron në debatin televiziv.
Vetëm disa orë përpara debatit të së mërkurës, udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Alexei Navalny ndërhyri në fushatën presidenciale franceze, duke u kërkuar votuesve të mbështesin zotin Macron dhe duke pretenduar se zonja Le Pen është shumë e lidhur me Rusinë.
Macron doli i pari në raundin e parë të 10 prillit. Por Le Pen, e cila ka fituar terren këtë vit duke shfrytëzuar zemërimin e votuesve mbi inflacionin, ka ngushtuar ndjeshëm hendekun në mbështetjen e publikut në krahasim me vitin 2017, kur humbi me 34% të votave ndaj 66% të atyre që mori zoti Macron.