Vendet e Ballkanit po i kthehen qymyrit për të zbutur krizën e shkaktuar nga rritja e çmimit të energjisë. Kjo ka shtuar frikën mes ambientalistëve se vendet po tërhiqen nga angazhimet për të hequr gradualisht dorë nga karburantet me bazë fosile, që shkaktojnë ndotje dhe ndikojnë në ndryshimin e klimës.
Maqedonia e Veriut, dikur udhëheqëse në tërheqjen e investitorëve të energjisë së rinovueshme, tha në fillim të këtij muaji se po planifikonte hapjen e dy minierave të reja të qymyrit për të furnizuar termocentralet e saj.
Ministria e Energjisë tha gjithashtu se dëshiron të blejë 3 milionë tonë qymyr nga Kosova fqinje, megjithëse ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje.
"Me fillimin e krizës energjetike, jo vetëm ne, por të gjitha vendet në Evropë kanë rritur menjëherë prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri sepse ky është burimi me kosto me të ulët dhe më i sigurtë", thotë Vasko Kovacevski, President i ndërmarrjes shtetërore të energjisë të Maqedonisë së Veriut, “Elektrani na Severna Makedonija” (ESM).
Rritja e çmimeve të shitjes me shumicë, rezervat e pakta dhe sulmi rus ndaj Ukrainës kanë rritur çmimet e energjisë dhe kanë bërë që shumë vende të përpiqen të sigurojnë alternativa të tjera furnizimi me energji elektrike.
Por, aktivistët e mbrojtjes së mjedisit thonë se kthimi tek qymyri nuk është zgjidhja.
"Dekarbonizimi është një nga shtyllat e axhendës së gjelbër dhe ne tani paraqesim një plan për hapjen e një miniere qymyri? Kjo është e papranueshme", thotë Nevena Smilevska nga organizata mjedisore “Eko-svest” në Shkup.
Minierat e reja të qymyrit janë në Zhivojno, afër termocentralit të Manastirit në jug të vendit dhe Gushtericë, afër termocentralit Oslomej në perëndim. Qeveria dhe ndërmarrja shtetërore e energjisë, “ESM” nuk kanë dhënë një datë të caktuar për hapjen e minierave të reja dhe nivelin e tyre të prodhimit.
Shkupi fillimisht planifikoi të hiqte dorë gradualisht nga përdorimi i qymyrit deri në vitin 2027, por në janar e shtyu afatin deri në vitin 2030.
Ndërkohë, Kosova tha se kompanitë e huaja, përfshirë edhe ato nga Gjermania, kishin kërkuar gjithashtu blerjen e qymyrit. Kosova ka depozitat e pesta më të mëdha në botë të linjitit, një lloj i thëngjillit të butë me një përmbajtje relativisht të ulët të energjisë, i cili shkakton ndotje toksike kur digjet.
Serbia ka thënë se po rrit nivelin e prodhimit të qymyrit për shkak të reshjeve të pamjaftueshme për hidrocentralet dhe se do të importojë 500 tonë qymyr në ditë nga Mali i Zi.
Bosnja, i vetmi vend ballkanik që eksporton energji elektrike, thotë se do të shtyjë planet për mbylljen e termocentraleve me qymyr për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe ndikimit të luftës në Ukrainë. Në termocentralin Oslomej të Maqedonisë së Veriut, së fundmi është ndërtuar një objekt për prodhimin e energjisë diellore me kapacitet 10 megavat, si pjesë e një plani për të zëvendësuar prodhimin e energjisë nga qymyri.
Lajmi se në këtë termocentral do të digjet më shumë qymyr u prit me shqetësim nga Xhelil Zendeli, i cili jeton aty pranë.
"Njerëzit këtu janë të revoltuar. Ky termocentral nuk duhet të funksionojë as edhe një ditë tjetër. Sa më shpejt ta mbyllin, aq më mirë", tha ai.
Në sipërfaqen e pllakave të shtëpisë së tij ka rënë sasi e madhe pluhuri, e shkaktuar nga djegia e qymyrit në termocentral.