Lidhje

Sulm me raketa ndaj Lvivit, të paktën 7 të vrarë, të gjithë civilë


Ukraina njoftoi se si pasojë e një sulmi me raketa të hënën shtatë persona u vranë në Lviv, viktimat e para civile në qytetin perëndimor. Po kështu aurotitet e këtij vendi njoftuan për shenja se Rusia ka filluar tashmë ofensivën e re të parashikuar në lindje.

Maksym Kozytskyy, guvernatori i Lvivit, një qytet 60 kilometra nga kufiri polak, tha se sipas njoftime ishin kryer katër sulme, tre në një magazinë që nuk ishte në përdorim nga ushtria dhe një tjetër në një biznes shërbimi automjetesh.

"Ishte një goditje barbare në një objekt krejtësisht civil", tha ai në një konferencë shtypi.

Andriy Sadoviy, kryebashkiaku i Lviv, tha se viktima më e re në mesin e të vdekurve ishte 30 vjeç. Si pasojë e sulmeve u plagosën 11 persona. Guvernatori rajonal i Lvivit Maksym Kozytskyy tha se mes të plagosurve ishte dhe një fëmijë.

Shtatë njerëz paqësorë kishin plane për jetën, por sot jeta e tyre u ndal”, tha kryebashkiaku.

Ky zhvillim vjen ndërsa trupat ruse kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës së këtij vendi.

Lvivi dhe pjesa tjetër e Ukrainës perëndimore janë përballur me sulme sporadike gjatë pothuajse dy muaj luftimesh. Këto zona kanë shërbyer si strehë për ata banorë që janë zhvendosur nga ato pjesë të vendit ku luftimet kanë qenë më intensive.

Analistët ushtarakë thonë se Rusia po i intensifikon sulmet ndaj fabrikave të armëve, hekurudhave dhe objektive të tjera të infrastrukturës anembanë Ukrainës, për të dobësuar aftësinë e këtij vendi për t'i rezistuar një ofensive të madhe tokësore në Donbas, qendra industriale lindore e Ukrainës, me një popullatë kryesisht rusisht-folëse.

Ushtria ruse tha se raketat e saj goditën më shumë se 20 objektiva ushtarakë në Ukrainën lindore dhe qendrore të dielën, mes tyre depo municionesh, shtabin komandues, trupa e automjete ushtarake. Po kështu ushtria ruse pretendon se ka goditur me artileri 315 objektiva të tjerë ukrainase dhe se avionët e saj luftarakë kanë kryer 108 sulme ndaj trupave dhe pajisjeve ushtarake ukrainase. Këto pretendime nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Qeveria e Ukrainës ndaloi evakuimet e civilëve për të dytën ditë të hënën, duke thënë se forcat ruse po bombardonin dhe bllokonin korridoret humanitare.

Pas një përpjekjeje të dështuar për të marrë Kievin, Rusia është e vendosur të pushtojë Donbasin, ku separatistët e mbështetur nga Moska tashmë kontrollojnë disa territore.

Ne po bëjmë gjithçka për të siguruar mbrojtjen e Ukrainës lindore”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy në fjalimin drejtuar kombit të dielën në mbrëmje.

XS
SM
MD
LG