Në mesazhin e përvitshëm të Pashkëve, në prag të meshës së mesnatës që shënon ngjalljen e Krishtit, kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, u kërkoi besimtarëve që të mbajnë paqen në zemrat e tyre.
Imzot Massafra tha se bota po rrezikohet nga errësira e thellë e pandemise globale, nga ideologjitë dhe nga lufta e pakuptimtë e Rusisë kundër Ukrainës, luftë, e cila tha ai po rrezikon paqen.
“Të pranojmë se askush nuk mund të dominojë dhe mposhtë të tjerët pa u ndëshkuar, qoftë edhe në emër të një ideologjie, apo të ndonjë mendimi politik. Sepse, Krishti i ngjallur e ushtron zotërinë e tij jo me dhunë, por duke sjellë dhuratën e paqes”, theksoi ai.
Në mesazhin e tij, imzot Massafra u kërkoi besimtarëve që të ndjekin rrugën e drejtë të besimit dhe të luftojnë ndaj padrejtësisë, korrupsionit dhe dhunës, fenomene këto me të cilat po përballet, çdo ditë e më shumë, shoqëria shqiptare.
“Le të heqim mllefin nga zemrat tona, të heqim një herë e përgjithmonë dëshirën për të shfrytëzuar tjetrin me ryshfet dhe korrupsion. Le të bëjë sejcili detyrën e vet me korrektesë, transparencë e drejtësi, pa kërkuar asgjë që nuk na takon me ligj. Në çdo sektor, në pazar, në shkollë, në universitet, në gjyqe dhe në sektorin e shëndetësisë”, tha imzot Massafra.
Është e nevojshme, u shpreh imzot Massafra, që besimtarët, në vend që të ankohen, të punojnë më shumë për familjen dhe vendin e tyre si dhe të jenë solidar me njerëzit më në nevojë, duke ndjekur shëmbullin e Nënë Terezës.