Lidhje

Vëzhgimi i krimeve të luftës: Gruaja që do ta detyronte Putinin të paguante


LVIV, Ukrainë - Mesazhet, raportimet nga e gjithë Ukraina, vijnë në kohë reale:

Një civil i vdekur.

Trembëdhjetë viktima ushtarake.

Pesë civilë të plagosur.

Prokurorja e Përgjithshme Iryna Venediktova hedh një vështrim në celularin e saj. Shifrat e zymta dhe informacionet që vijnë janë vetëm fillimi; stafi i saj do t'i katalogojë, do t'i hetojë -- dhe do të përpiqet të sjellë para drejtësisë autorët rusë të krimeve të luftës.

Ky është qëllimi i saj: të bëjë Vladimir Putinin dhe forcat e tij të paguajnë për atë që kanë bërë. Ndërkohë që gjykatat në mbarë botën po punojnë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse, pjesa më e madhe e hetimit – dhe numri më i madh i ndjekjeve penale – ka të ngjarë të bëhet nga vetë Ukraina.

Për prokuroren Venediktova, kjo është personale.

“Unë mbroj interesin publik të qytetarëve ukrainas. Dhe tani shoh që nuk mund t'i mbroj këta fëmijë të vdekur", thotë ajo. "Dhe për mua, kjo është dhimbje".

Gruaja e parë që shërben si prokurore e përgjithshme e Ukrainës, Venediktova flet me vendosmëri të çeliktë dhe ndonjëherë me humor tek i qaset detyrës së saj me një etikë pune të pamëshirshme.

Zonja Venediktova, një ish-profesore e drejtësisë, në moshën 43-vjeçare, është në lëvizje dhe xhaketat dhe fustanet e jetës normale tani po i zëvendësohen gjithnjë e më shumë me xhaketat ushtarake dhe një jelek antiplumb. Ajo i merr ushqimet me nxitim në makinë, ose i mënjanon plotësisht.

Nuk ka më orë pune. Ka vetëm orë lufte, të cilat fillojnë herët dhe mbarojnë vonë, siç do të mësonin gazetarët e Associated Press që kaluan një ditë me të.

Zyra e saj ka hapur tashmë mbi 8,000 hetime kriminale në lidhje me luftën dhe ka identifikuar mbi 500 të dyshuar, duke përfshirë ministra rusë, komandantë ushtarakë dhe propagandues -- edhe pse po shtohen një sërë hetimesh ndërkombëtare për krimet e luftës.

"Funksionet kryesore të ligjit janë mbrojtja dhe kompensimi. Shpresoj se do t'ia dalim mbanë, sepse tani janë vetëm fjalë të bukura, nuk ka më sundim të ligjit”, thotë prokurorja Venediktova. “Janë fjalë shumë të bukura. Unë dua që ato të realizohen”.

Një mëngjes të marte, zonja Venediktova iu drejtua një vargu refugjatësh që presin nën diellin e ftohtë për t'u regjistruar në një ndërtesë të administratës së qarkut në Lviv. Ndihmësi i saj i sigurisë, i armatosur dhe i veshur me të zeza, rri pranë teksa ajo hyn në mes të turmës së grave dhe fëmijëve.

Zonja Venediktova ka vendosur prokurorë në qendrat e refugjatëve në të gjithë vendin dhe në pikat kufitare, duke u përpjekur të mbledhë copat e vuajtjeve të miliona ukrainasve dhe t'i shndërrojë ato në fakte dhe prova para se të zhduken.

Venediktova hyn më pas në ndërtesë, në një korridor të ngushtë në një dhomë të zhveshur me dy tavolina të mëdha të zeza, që ajo e quan "zemra e zyrës së krimeve të luftës" në Lviv. Njësia e saj për krime lufte ka rreth 50 prokurorë të përkushtuar, por ajo ka ripozicionuar të gjithë stafin e saj për t'u fokusuar në këtë mision.

Shumë nuk duan të tregojnë fytyrat e tyre publikisht. Janë çështje të rënda sigurie, si për njerëzit e saj, ashtu edhe për informacionin që ata grumbullojnë. Prokurorët këtu kanë prirjen të flasin për të ardhmen me pragmatizëm të zymtë. Nuk është vetëm paparashikueshmëria e luftës; është një pranim i heshtur i faktit, se ata vetë mund të mos jenë nesër për të përfunduar atë që kanë filluar.

Prokurorët shkojnë çdo ditë në linjën e refugjatëve në qendrën e Lvivit, duke kërkuar dëshmitarë dhe viktima të gatshme për të paraqitur një deklaratë. Disa histori nuk tregohen. Njerëzit kanë shkuar shumë larg, janë shumë të lodhur. Ose janë të frikësuar. Foshnjat e tyre po ngatërrohen. Ata janë nisur për të shkuar diku tjetër.

Intervistat mund të zgjasin me orë të tëra. Të përkulur mbi kompjuterat portativë, prokurorët presin të përfundojnë lotët e njerëzve për të pyetur se si ngjasonin bombardimet, çfarë lloj municionesh ishin përdorur. Ata pyesin se çfarë uniforme, çfarë shenjash mbanin ushtarët. Kjo është lënda e parë e llogaridhënies, hallka e parë në zinxhirin e përgjegjësisë që prokurorja Venediktova shpreson të shkojë deri në fund me udhëheqjen e Rusisë.

Ala, 34 vjeç, ulet me prokurorët dhe shpjegon se si e kishte humbur shtëpinë. Ajo nuk dëshiron që mbiemri i saj të publikohet sepse vajza e saj 8-vjeçare mbetet e bllokuar në territorin e kontrolluar nga Rusia.

Ala premton të kthehet me një copë të mortajës që shkatërroi apartamentin e saj në Vorzel, një qytet disa kilometra në perëndim të Buçës. Ajo kishte mbledhur metalin e dendur dhe gri në duart e saj, si një kujtim të sulmit që kishte mbijetuar. Dhe si provë.

"Ne kemi nevojë për prova që ata të ndëshkohen”, thotë ajo. "Unë jam me fat. Unë jam ende këtu për të folur për atë që më ndodhi”.

Pak para mesditës, kryeprokurorja Venediktova largohet nga qendra e refugjatëve dhe ngjitet në një fuoristradë të zezë, e drejtuar për në kufirin polak, një orë, apo më shumë në veri. Një eskord policie e lejon atë të kalojë me shpejtësi përmes një peizazhi shtëpish të shkatërruara, pranë varrezave të vjetra, kolovajseve të ndryshkura të fëmijëve, kupolave të shndritshme të kishave. Shenjat e vetme të luftës janë tabelat sfiduese që shpallin fitoren për Ukrainën dhe vdekjen e armikut, dhe pikat e kontrollit me thasë rëre dhe barrikada për të ndaluar tanket që nuk kanë ardhur ende.

Kryeprokurorja Venediktova i njeh mirë këto rrugë. Ajo udhëton shpesh këtu për të takuar zyrtarë të huaj, që nuk guxojnë të hyjnë në një vend lufte.

"Unë jetoj në makinë në fakt", thotë ajo. “Kam nevojë për ndihmë, mbështetje, këshilltarë. Kam nevojë për njerëz që të kuptojnë se çfarë do të ndodhë më pas”.

Zyra e saj bashkëpunon ngushtë me prokurorët nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe gati 12 vende, duke përfshirë Poloninë, Gjermaninë, Francën dhe Lituaninë, të cilat të gjitha kanë hapur hetime penale për mizoritë në Ukrainë.

Ajo ka marrë këshilltarë ligjorë të nivelit të lartë nga Britania e Madhe dhe po punon me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të ndërtuar ekipe të lëvizshme hetimore me ekspertizë ndërkombëtare. Clint Williamson, një ish-ambasador i SHBA-së për çështjet e krimeve të luftës, ndihmon në mbikëqyrjen e kësaj përpjekjeje, e cila financohet nga Departamenti amerikan i Shtetit.

"Ne duhet t’i kundërvihemi kësaj", thotë zoti Williamson. “Ekziston nevoja për të treguar se vendet janë të vendosura të mbrojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbajnë përgjegjësi njerëzit që e shkelin atë në mënyrë kaq flagrante.

Një pjesë e detyrës së tyre tani është të sigurohen që provat që po mblidhen të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, kështu që dëshmia e njerëzve si Liudmila Verstiouk, një grua 58-vjeçare që i mbijetoi rrethimit të Mariupolit, nuk do të lihen jashtë gjykatës.

Kryeprokurorja Venediktova takon zonjën Verstiouk në një zyrë të improvizuar në vendkalimin Krakivets në kufirin me Poloninë. Ajo mbërriti nga Mariupoli me letrat e saj, telefonin dhe rrobat e shpinës – një fustan veluri, çorape të zeza, çizme të bardha dimërore. Apartamenti i saj u bombardua më 8 mars dhe ajo u tha prokurorëve se kur u largua, la babain e saj 86-vjeçar në ndërtesën e djegur. Ai ka Alzheimer dhe nuk mund të ecë.

Zonja Verstiouk thotë se ajo kaloi një javë duke u strehuar në teatrin e Mariupolit. Ajo u largua një ditë para se bombat të vrisnin rreth 300 njerëz atje.

Ajo nuk ka mundur të kontaktojë me askënd që ndodhej brenda apo me babain e saj.

"Pse më sulmoi Rusia?" thotë ajo. "E shkatërroi qytetin tim - për çfarë? Për çfarë? Kush do të më përgjigjet për këtë dhe si të vazhdoj të jetoj?”

Gjatë një interviste pesë-orëshe, prokurori Stanislav Bronevytskyy merr deklaratën e zonjës Verstiouk. "Ajo mund të kujtojë çdo detaj, çdo minutë dhe sekondë," thotë ai.

Ai shkruan historinë e zonjës Verstiouk dhe e ngarkon atë në një bazë të dhënash.

Një pjesë e madhe e Ukrainës është shndërruar në skena të mundshme krimi. Çdo ditë, tragjeditë shumohen, duke krijuar një grumbull të pakapërcyeshëm faktesh që duhen vërtetuar dhe mbajtur të sigurta.

Ka shumë punë edhe për më shumë se 8,000 punonjës që punojnë për kryeprokuroren Venediktova. Duke u kthyer nga kufiri nga mesi i pasdites, zonja Venediktova vazhdon fushatën e saj për mbështetje, në thirrjet në Zoom me Amal Clooney-in dhe një grup donatorësh ndërkombëtarë.

Kur Presidenti Volodymyr Zelenskyy emëroi zonjën Venediktova, në mars 2020, ajo trashëgoi një zyrë të pllakosur nga akuzat për korrupsion dhe joefikasitet dhe një kod ligjor, që ekspertët kanë thënë se ka shumë nevojë për reformë.

Zonja Venediktova e ka paraqitur veten si reformatore. Mijëra prokurorë janë shkarkuar për dështim në përmbushjen e standardeve të integritetit dhe profesionalizmit, dhe kështu ajo ka një zyrë që nuk është plotësisht e pajisur me personel për përgatitjen e rasteve të krimeve të luftës kundër atyre që ajo parashikon të jenë 1000 të pandehur.

Zonja Venediktova ka ndërtuar aleanca me grupet e të drejtave të njeriut – disa prej të cilave kanë një histori antagonizmi me autoritetet ukrainase – dhe një publik shpesh mosbesues.

Në mars, një grup prej 16 organizatash të shoqërisë civile ukrainase formuan Koalicionin 5AM për të dokumentuar krimet e mundshme të luftës. Përveç analizimit të materialeve, ata menaxhojnë rrjetet e monitoruesve të trajnuar që mbledhin prova në të gjithë vendin për t'i ndarë me prokurorët.

Atyre u janë bashkuar studiues anembanë botës, si Qendra për Rezistencën e Informacionit, Bellingcat dhe Partneriteti Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, të cilët kanë kontrolluar vërshimin e postimeve në mediat sociale për të verifikuar se çfarë ka ndodhur dhe kush është përgjegjës.

Kryeprokurorja Venediktova gjithashtu ka inkurajuar qytetarët e zakonshëm që të ndihmojnë duke mbledhur informacione me telefonat e tyre inteligjentë dhe duke e dërguar atë në internet në faqen warcrimes.gov.ua. Pesë javë pas luftës pati mbi 6000 regjistrime.

Artem Donets, një avokat penal, i cili u bashkua me forcat e mbrojtjes territoriale në Kharkiv, thotë se ai është pjesë e një grupi prej 78 avokatësh në Telegram, të cilët janë të gjithë të përfshirë në mbledhjen e provave, duke zbuluar incidente që prokurorët dhe policia mund të mos kenë kohë t'i marrin.

"Ne jemi një batalion ligjor", thotë ai.

Në ditën kur foli me agjencinë AP, zoti Donets kishte dalë për të dokumentuar sulmin e fundit në infrastrukturën civile në Kharkiv. Ai ndodhi para shtëpisë së tij.

Si zakonisht, ai nxori celularin. Donets raportoi se kishte gjetur një raketë nga një municion thërrmues që dilte jashtë tokës rreth 100 metra larg. Municionet thërrmuese hapen dhe lëshojnë bomba në një zonë të gjerë dhe janë ndaluar nga mbi 100 vende. Përdorimi i armëve të tilla pa dallim, në atë që ishte një zonë banimi, pa prani ushtarake ukrainase, mund të llogaritet si një krim lufte.

Ai e dërgon raportin e tij të incidentit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe e ngarkon atë në bazën e të dhënave të kryeprokurores Venediktova.

“Ishte një gjetje mjaft e mirë për mua”, thotë zoti Donets. “Shpresoj që kur të përfundojë kjo luftë të ndërtoj një shtëpi më të mirë për vete dhe familjen time. Shpresoj. Nuk kemi rrugë tjetër. Ose do ta fitojmë këtë luftë, ose do të pushtohemi dhe do të fshihemi nga historia”.

Tmerret që kryeprokurorja Venediktova dhe rrjetet e saj të aleatëve po dokumentojnë – varrezat masive, vrasjet e dukshme të civilëve, bombardimet pa dallim, sulmet e përsëritura në spitale, zhdukjet me forcë, torturat, dhuna seksuale, qytetet nën rrethim, ushqimi i mohuar, uji dhe ndihma humanitare – nuk janë gjetje të reja.

Ushtria e Putinit dhe përfaqësuesit e tij kanë përdorur taktika të ngjashme në Çeçeni, Gjeorgji, Siri, Krime dhe rajonin e Donbasit të Ukrainës lindore. Pavarësisht viteve të dokumentacionit të bollshëm, fuqitë perëndimore kurrë nuk u morën realisht me këto çështje.

Kjo ndryshoi në orën 5 të mëngjesit të 24 shkurtit, kur Rusia filloi të hedhë bomba mbi fqinjin e saj. Ato vite të mizorive pa përgjigje, tani rëndojnë mbi kryeprokuroren Venediktova.

“Unë isha profesore universiteti dhe për mua shteti i së drejtës nuk ishte thjesht një thënie. Kur flisja me studentët e mi për sundimin e ligjit, për të drejtat e njeriut, në fakt kam besim tek ai. Dhe tani e ndjej se ajo tek e cila besoj nuk funksionon”, thotë zonja Venediktova. “Ndoshta duhet të marrim mendjet më të mira të sistemit ligjor, të jurisprudencës botërore dhe të krijojmë diçka të re”.

Ndërkohë, ajo ka një objektiv më konkret: paratë.

Ndërsa bie mbrëmja, ajo ulet me zëvendësit e saj në një dhomë të errët dhe kërkon një tjetër kafe ekspres. Notat rrëqethëse të një klarinetisti pa përvojë thuejnë heshtjen nga një shkollë muzikore aty pranë.

Ekipi i zonjës Venediktova raporton mbi përparimin në kërkimin e tyre të vazhdueshëm për pasuritë jashtë shtetit të të dyshuarve për krime lufte. Një nga prioritetet e saj është sekuestrimi i parave të kriminelëve të luftës dhe dhënia e tyre për viktimat. Ajo do të ketë nevojë për bashkëpunim nga vendet anembanë botës, ku të dyshuarit rusë kanë ruajtur pasuritë e tyre. Shumë vende nuk mund të konfiskojnë ligjërisht pasuritë për një gjykatë të huaj.

Ukraina po siguron gjithashtu këtë kërkim global thesari, me një portal në anglisht, rusisht dhe gjuhën ukrainase ku çdokush mund të ngarkojë këshilla për pasuritë.

Ka, sigurisht, një çmim edhe më të madh, që nuk mund të arrihet: qindra miliarda dollarë pasuri ruse të ngrira nga SHBA, BE, Britania e Madhe, Zvicra dhe të tjerët. Ndoshta një ditë edhe kjo mund të përdoret për të financuar rindërtimin në Ukrainë.

Pak para orës 21:00, kryeprokurorja Venediktova shfaqet në televizionin kombëtar, siç bën shumicën e mbrëmjeve. Ajo siguron popullin e saj se fajtorët do të dënohet dhe vuajtjet do të kompensohen.

"Gëzimi im i parë do të jetë fitorja kur ne të shesim vilën, jahtin e dikujt dhe ukrainasit tanë të zakonshëm, të cilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, do ta marrin fizikisht këtë kompensim”, thotë ajo.

XS
SM
MD
LG