Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut thirri të premten ambasadorin e Federatës Ruse në Shkup, Sergej Bazdnikin për t’i dorëzuar një notë diplomatike me të cilën gjashtë diplomatë të Ambasadës ruse shpallen si "të padëshiruar".
Ministria njoftoi përmes një komunikate se në bazë të informatave të marra nga organet kompetente, diplomatët rusë kishin kryer aktivitete që binin ndesh me Konventën e Vjenës për marrëdhënie diplomatike, dhe ata duhet të largohen nga territori i Maqedonisë së Veriut brenda një afati pesëditor.
Autoritetet maqedonase nuk japin hollësi të tjera lidhur me veprimtarinë e punonjësve të ambasadës ruse.
Kjo është hera e tretë, që Shkupi urdhëron dëbimin e diplomatëve rusë për shkeljen e Konventësë së Vjenës, në Nenin 9 të së cilës thuhet: “Shteti që jep akreditimin, në çdo kohë mund ta dëbojë shefin e misionit, apo cilindo qoftë anëtar të personelit diplomatik edhe pa patur nevojë për arsyetimin e këtij vendimi”.
Më 28 mars, Shkupi urdhëroi dëbimin e pesë diplomatëve rusë. Ndërsa, në maj të vitit të kaluar pati dëbuar një diplomat rus po për veprimtari në kundërshti me Konventën e Vjenës. Në atë kohë Moska u përgjigj me masa reciproke.
Maqedonia e Veriut i është bashkuar të gjitha nismave euro-atlantike për sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës. Rusia e ka futur vendin e vogël ballkanik në listën e vendeve jo-mike, duke kërcënuar qëndrueshmërinë e tyre.
Megjithatë, tani që vendi shënoi dy vjetorin e anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike, autoritetet maqedonase shprehin bindjen e thellë se siguria dhe mbrojta e integritetit tokësor të tij është në duart e NATO-s.