LONDËR – Britania njoftoi arritjen e një marrëveshjeje me Ruandën të enjten për të dërguar disa azilkërkues mijëra kilometra larg në këtë vend të Afrikës Lindore – një plan që ajo tha se do të ndalte trafikun e paligjshëm të emigrantëve të dëshpëruar në udhëtimin e rrezikshëm për të kaluar Kanalin e La Manshit.
Politikanët e opozitës në Britani dhe organizatat e refugjatëve e dënuan këtë veprim si jonjerëzor, të papërshtatshëm dhe një shpërdorim të fondeve publike, ndërsa Kombet e Bashkuara thanë se plani ngre "një numër shqetësimesh për të drejtat e njeriut".
Plani parashikon që disa nga personat që do të mbërrinin në Britani të fshehur në kamionë ose me varka të vogla, të merreshin nga qeveria britanike dhe të dërgoheshin me avion 6400 kilometra larg në Ruanda, me sa duket përgjithmonë.
Kritikët akuzuan Kryeministrin Boris Johnson se po e përdor çështjen për të shkëputur vëmendjen nga një skandal për festat e organizuara nga qeveria ku u shkelën rregullat e masave izoluese për pandeminë. Zoti Johnson po i reziston thirrjeve për të dhënë dorëheqjen, pasi u gjobit këtë javë nga policia për këto festa.
Emigrantët kanë përdorur prej kohësh Francën veriore si një pikë nisjeje për të arritur në Britani, duke u fshehur në kamionë ose tragete, ose - gjithnjë e më shumë që kur pandemia e koronavirusit mbylli rrugë të tjera në vitin 2020 - në varka të vogla të organizuara nga kontrabandistët. Më shumë se 28 mijë persona hynë në Britani me varka vitin e kaluar, nga 8500 në vitin 2020. Dhjetëra kanë vdekur, përfshirë 27 persona në nëntor kur një varkë u përmbys.
Të enjten, dhjetëra burra, gra dhe fëmijë u morën në det nga varkat britanike të shpëtimit dhe u sollën në breg në portin Channel të Doverit, ndërsa zoti Johnson ishte duke folur vetëm disa kilometra më larg duke paraqitur planin në fjalë.
"Kushdo që hyn ilegalisht në Britani... tani mund të zhvendoset për në Ruanda", tha zoti Johnson në një fjalim para oficerëve dhe personelit të rojes bregdetare në një aeroport pranë Doverit. Kjo masë, tha ai, ishte e nevojshme për të ndalur "kontrabandistët e tmerrshëm të njerëzve (të cilët) po abuzojnë me të pambrojturit dhe po e shndërrojnë Kanalin në një varrezë ujore”.
Qeveria e Ruandës tha se marrëveshja fillimisht do të zgjasë për pesë vjet dhe Britania kishte paguar 158 milionë dollarë për të financuar strehimin dhe integrimin e emigrantëve.
Ministri i Punëve të Jashtme i Ruandës, Vincent Biruta tha se marrëveshja "siguron që njerëzit të mbrohen, të respektohen dhe të fuqizohen për të çuar përpara ambiciet e tyre dhe të vendosen përgjithmonë në Ruandë, nëse dëshirojnë".
Ai tha se vendi i tij tashmë është shtëpia e më shumë se 130 mijë refugjatëve nga vende si Burundi, Kongoja, Libia dhe Pakistani.
Zoti Johnson mohoi që planit "t'i mungonte dhembshuria", por pranoi se do të përballej me sfida ligjore dhe se nuk do të hynte në fuqi menjëherë.
Ruanda është vendi me popullsinë më të dendur në Afrikë dhe konkurrenca për tokën dhe burimet atje nxiti dekada tensionesh etnike dhe politike që kulmuan me gjenocidin e vitit 1994, gjatë të cilit u vranë më shumë se 800 mijë anëtarë të fisit tuci, si dhe të fisit hutu që u përpoqën t'i mbronin ata.
Zoti Johnson këmbënguli se Ruanda ishte "transformuar plotësisht" në dy dekadat e fundit. Por grupet e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar vazhdimisht qeverinë aktuale të Presidentit Paul Kagame si represive.
Lewis Mudge, drejtor për Afrikën Qendrore në organizatën Human Rights Watch, tha se pretendimi se Ruanda është një vend i sigurt "nuk është i bazuar në realitet".
"Paraburgimi arbitrar, keqtrajtimi dhe tortura në ambientet e paraburgimit zyrtar dhe jozyrtar janë të zakonshme dhe standardet e gjykimit të drejtë shpërfillen në shumë raste", tha zoti Mudge.
Britania thotë se vendimet për zhvendosjen nuk do të bazohen tek vendi i origjinës së emigrantëve, por nëse ata përdorën "rrugë të paligjshme ose të rrezikshme" për të arritur në Britani nga një vend i sigurt si Franca. Jo të gjithë të ardhurit do të konsiderohen të përshtatshëm për t'u dërguar në Ruanda. Nuk është e qartë se cilat do të ishin kriteret për marrjen e vendimeve, megjithëse qeveria britanike tha se fëmijët nuk do të dërgoheshin në këtë vend afrikan.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se i kishte ngritur "shqetësimet e saj drejtpërdrejt me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar".
Një zëdhënëse e zyrës tha se Britania "po zhvendos ... përgjegjësitë dhe detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe refugjatëve në një vend që tashmë po merr përgjegjësi të mëdha për azilin".
Politikat e mëparshme të dërgimit të aplikantëve refugjatë jashtë vendit kanë qenë shumë të diskutueshme.
Në vitin 2013, Australia filloi të dërgonte azilkërkuesit që përpiqeshin të arrinin në vend me varka, në Papua Guinenë e Re dhe ishullin e vogël Nauru, duke u zotuar se askush nuk do të lejohej të vendosej në Australi. Kjo politikë i dha fund kontrabandës së njerëzve përmes oqeanit nga Azia Juglindore, por u kritikua gjerësisht si një abrogim mizor i detyrimeve ndërkombëtare të Australisë.
Izraeli dërgoi disa mijëra njerëz në Ruanda dhe në Ugandë sipas një skeme të debatueshme dhe të fshehtë "vullnetare" gjatë periudhës 2014 - 2017. Pak besohet se kanë mbetur atje, ndërsa shumë prej tyre përpiqen të arrijnë në Evropë.
Steve Valdez-Symonds, drejtor për refugjatët në degën britanike të organizatës Amnesty International, tha se "ideja tronditëse e konceptuar keq nga qeveria britanike do të shkaktojë shumë më tepër vuajtje, duke shpërdoruar ndërkaq shuma të mëdha të fondeve publike".
Shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve me seli në Mbretërinë e Bashkuar, Enver Solomon, e quajti planin "të rrezikshëm, mizor dhe jonjerëzor".
Drejtuesja e opozitës ruandeze Victoire Ingabire i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se vendimi i qeverisë së saj për të pranuar emigrantë ishte i dyshimtë, duke pasur parasysh se vendi është gjithashtu një burim refugjatësh.
Qeveritë britanike dhe franceze kanë punuar për vite me radhë për të ndalur udhëtimet nëpër Kanalin e La Manshit, pa shumë sukses dhe shpesh duke shkëmbyer akuza se kush është fajtor për dështimin.
Qeveria konservatore e Britanisë ka paraqitur propozime, jo të gjitha të zbatueshme, përfshirë ndërtimin e një makinerie valësh në Kanalin e La Manshit për t'i kthyer varkat mbrapsht. Zoti Johnson tha të enjten se Marina Mbretërore do të merrte përgjegjësinë për të reaguar ndaj varkave të vogla që përpiqen të kalojnë, por se ideja për t'i shtyrë ato mbrapsht drejt Francës ishte hedhur poshtë si shumë e rrezikshme.
Disa vende të tjera të propozuara më herët për dërgimin e emigrantëve nga Mbretëria e Bashkuar –përfshirë ishullin e largët Ascension, Shqipërinë dhe Gjibraltarin – janë refuzuar, nganjëherë me zemërim, nga vendet në fjalë.
Plani për në Ruanda përballet me pengesa si në parlamentin e Britanisë ashtu edhe në gjykata. Qeveria konservatore e zotit Johnson ka prezantuar një projekt-ligj të ri të ashpër për emigracionin që do ta bënte më të vështirë për të kërkuar azil për njerëzit që hyjnë në vend në mënyra të paautorizuara dhe do të mundësonte që rastet e azilkërkuesve të shqyrtohen jashtë vendit. Ai nuk është miratuar ende nga Parlamenti, ndërsa Dhoma e Lordëve kërkon të zbehë disa nga dispozitat e tij më drakoniane.
Ligjvënësja e Partisë Laburiste, Lucy Powell, tha se plani i Ruandës mund të kënaqë disa mbështetës konservatorë dhe të rrëmbejë vëmendjen e edicioneve të lajmeve, por se është "i pafuqishëm, i kushtueshëm dhe jo etik".
"Unë mendoj se kjo ka të bëjë më pak me trajtimin e varkave të vogla dhe më shumë me trajtimin e varkës së vetë kryeministrit që po fundoset", tha zonja Powell për kanalin BBC.