Një ish-oficer policie që diskutoi në telefon agresionin e Rusisë. Një prift që i dedikoi shërbesën vuajtjeve të ukrainasve. Një student që mbante një banderolë pa fjalë - vetëm me yje.
Qindra rusë po përballen me akuza se kanë folur kundër luftës në Ukrainë, që kur një ligj shtypës, që ndalon përhapjen e "informacionit të rremë" në lidhje me agresionin dhe përçmimin e ushtrisë, u miratua muajin e kaluar.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se goditja ka çuar në ndjekje penale dhe dënime të mundshme me burg për të paktën 23 persona me akuzën e "informacionit të rremë", ndërsa mbi 500 të tjerë përballen me akuza për përçmimin e ushtrisë.
"Është një sasi e madhe, një sasi e madhe e paprecedentë çështjesh", tha Damir Gainutdinov, kreu i grupit të ndihmës juridike “Net Freedoms” që fokusohet në rastet e fjalës së lirë.
Kremlini ka kërkuar të kontrollojë informacionin rreth luftës, që nga momenti kur trupat ruse u futën në Ukrainë. Moska e quan sulmin një "operacion special ushtarak" dhe ka shtuar presionin mbi mediat e pavarura ruse që e quajtën atë një "luftë" ose një "pushtim", duke bllokuar qasjen në shumë faqe lajmesh, mbulimi i të cilave devijonte nga linja zyrtare.
Arrestimet në masë I kanë dobësuar protestat kundër luftës, duke i kthyer ato nga një ngjarje e përditshme në qytete të mëdha si Moska dhe Shën Petersburg në dukuri të rralla që mezi tërheqin vëmendjen.
Megjithatë, njoftimet për arrestime nga policia në qytete të ndryshme ruse vijnë pothuajse çdo ditë.
Edhe veprimet në dukje paqësore kanë çuar në arrestime.
Një burrë u arrestua në Moskë pasi qëndronte pranë një monumenti të Luftës së Dytë Botërore që thotë "Kiev" për qëndrimin heroik të qytetit kundër Gjermanisë naziste dhe mbante një kopje të librit "Lufta dhe Paqja" të Tolstoit. Një tjetër thuhet se u arrestua për mbajtjen e një pakoje me proshutë nga prodhuesi i mishit Miratorg, me gjysmën e dytë të fjalës të fshirë, duke lënë të lexueshme vetëm: "Mir" - "paqe" në rusisht.
Një ligj kundër përhapjes së "lajmeve të rreme" për luftën ose përçmimit të ushtrisë u miratua nga parlamenti brenda një dite dhe hyri në fuqi menjëherë, duke ekspozuar në mënyrë efektive këdo që ishte kritik i konfliktit me gjoba dhe dënime me burg.
Çështjet e para kriminale të njohura publikisht nën akuzat për “lajme të rreme”, kishin në shënjestër figura publike si Veronika Belotserkovskaya, autore librash gatimi në gjuhën ruse dhe blogere e njohur, që jeton jashtë vendit, dhe Alexander Nevzorov, gazetar televiziv, regjisor filmi dhe ish ligjvënës.
Të dy u akuzuan për shpërndarje të "informacionit të rremë" në lidhje me sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë në faqet e tyre të mediave sociale të ndjekura gjerësisht -- diçka që Moska e ka mohuar me forcë, duke këmbëngulur se forcat ruse godasin vetëm objektivat ushtarake.
Por më pas shtrirja e goditjes ndaj atyre që kundështonin linjën zyrtare, u zgjerua dhe duket se përfshiu këdo.
Ish-oficeri i policisë Sergei Klokov u ndalua dhe u vu në paraburgim pasi kishte biseduar për luftën me miqtë e tij në telefon. Gruaja e tij tha për faqen e lajmeve Meduza se në një bisedë të rastësishme në shtëpi, Klokov, i cili kishte lindur në Irpin, afër Kievit dhe babai i tij, i cili jetonte ende në Ukrainë, kur u futën trupat ruse, e dënuan pushtimin.
Zoti Klokov u akuzua për përhapjen e informacionit të rremë për forcat e armatosura ruse dhe përballet me 10 vjet burg.
Artistja nga Shën Petersburgu, Sasha Skolichenko, gjithashtu përballet me 10 vjet burg për të njëjtën akuzë: Ajo zëvendësoi etiketat e çmimeve në një dyqan ushqimesh me fletushka kundër luftës. Të mërkurën, një gjykatë urdhëroi që zonja Skolichenko të mbahet në paraburgim për 1 muaj e gjysmë.
Ioann Burdin, një prift ortodoks rus në një fshat rreth 300 kilometra në verilindje të Moskës, u gjobit me 432 dollarë për "diskreditimin e forcave të armatosura ruse" pasi postoi një deklaratë kundër luftës në faqen e internetit të kishës dhe foli gjatë një shërbese për dhimbjen, që ndjente për njerëzit që po vdisnin në Ukrainë.
Burdin e ka apeluar vendimin dhe ka marrë donacione që shkojnë shumë më tepër se gjoba kundër tij.
Ai tha se publiciteti në lidhje me rastin e tij bëri që mesazhi i tij të përhapej përtej dhjetëra njerëzve që fillimisht dëgjuan meshën e tij - e kundërta e asaj që autoritetet me sa duket synonin të arrinin duke e gjobitur.