Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën projektligjin që pritet t’i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në vend. Projektligji parasheh që paga minimale të jetë 264 euro dhe sipas qeverisë nga ky projektligj pritet të përfitojnë 100 mijë punëtorë.
“Projektligji parasheh shkëputjen e pagës minimale nga çfarëdo beneficioni social që ka qenë në të kaluarën dhe krijimin e sigurisë juridike, i mundëson qeverisë që të marrë vendim për pagën minimale në mungesë të një propozimi nga Këshilli Ekonomik Social dhe e ngritë pragun e tatimit të pagës në nivelin e pagës minimale, pra 250 eurot e para lirohen nga tatimi”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Muajin e kaluar qeveria dhe sindikatat e punëtorëve dështuan të arrijnë një marrëveshje rreth kësaj çështjeje, në kuadër të diskutimeve ne Këshillin Ekonomik Social, një organ ky që merr vendime për pagën minimale. Propozimi i qeverisë që ajo të jetë 264 euro, nuk mbështetet nga përfaqësuesit e sindikatave në vend, të cilët kërkojnë pagë më të lartë për shkak të inflacionit me të cilën po përballet Kosova.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se me projektligjin e propozuar, qeveria do të mund të marr vendim për pagën minimale edhe pa pajtimin e sindikatave.
“Kosova ndoshta mund të jetë njëri prej vendeve të vetme ku sindikatat bëhen pengesë për rritjen e pagës minimale, ne kemi propozu si qeveri rritjen e pagës minimale pra nga 130 përkatësisht 170 në 264 euro mirëpo nuk ka pasur konsensus nga përfaqësues të sindikatave, prandaj jemi detyruar që në kuadër të këtij projektligji të shtyjmë përpara edhe mundësinë që kurdo që ka mungesë konsensusi qeveria të ketë mundësi që të vazhdojë tutje dhe të mos bëhen bllokada të tilla pengesë për t’i mbështetur ato familje në nevojë që punojnë me pagë minimale”, tha zoti Murati.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nëpërmjet një komunikate tha se do të qëndrojë fuqishëm pas kërkesave sindikale dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për rritjen e veprimeve sindikale në të mirë të ngritjes së mirëqenies ekonomike, sociale e shëndetësore të të punësuarve. Kjo sindikatë kërkon që paga minimale të jetë mbi 350 euro.
Kryetari i Federatës Sindikale të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se propozimi i qeverisë është një hap i mirë përpara, por jo i mjaftueshëm.
“Pavarësisht se çfarë vendimi ka marr qeveria dhe çfarë do të marr parlamenti i Kosovës, sindikata e pavarur e sektorit privat qëndron me vendimin e saj të palëkundur se pagë minimale nën 400 euro nuk mund të pranohet. Si kriter kryesorë që kemi marr për caktimin e pagës 400 euro e kemi marr nga kostot e shpenzimeve për katër anëtarë të familjes të cilët me gjërat më elementare nuk mund të kalojnë pa 460 euro shpenzime”, tha ai.
Në Kosovë paga minimale nuk është negociuar që nga viti 2011, sipas njohësve të kësaj fushe kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverive në vend.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, EUROSTAT, Kosova aktualisht ka pagën më të ulët minimale në tërë Evropën dhe ajo sillet nga 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.
Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, pagën më të lartë minimale në rajonin e Ballkanit Perëndimor e ka Mali i Zi me 533 euro. Pas tij radhiten Serbia me 401 euro, Maqedonia e Veriut me 359 euro, dhe Shqipëria me 248 euro.