Lidhje

Rusia shton sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë


Pranë stacionit të trenit në Kramatorsk, policët ukrainas inspektojnë mbetjet e një rakete ruse, mbi të cilën është shkruar në rusisht "për fëmijët tanë". Nga sulmi me raketa u vranë të paktën 35 civilë, më 8 prill 2022.
Pranë stacionit të trenit në Kramatorsk, policët ukrainas inspektojnë mbetjet e një rakete ruse, mbi të cilën është shkruar në rusisht "për fëmijët tanë". Nga sulmi me raketa u vranë të paktën 35 civilë, më 8 prill 2022.

Presidenti i Ukrainës thotë se lufta e vazhdueshme dhe e paprovokuar e Rusisë ndaj vendit të tij është një katastrofë që rrezikon të gjithë Evropën. Kremlini duket se ka braktisur planet për të marrë kryeqytetin Kiev, ndërsa lufta ka hyrë në muajin e dytë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, fuqitë perëndimore i akuzojnë ushtarët rusë për krime lufte, që nga përdhunime dhe deri në ekzekutime të civilëve.

Rusia shton sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Filmime të reja të qarkulluara nga Ministria ruse e Mbrojtjes tregojnë njësi të aviacionit që shkatërrojnë një autokolonë ukrainase me autoblinda dhe mjete kundërajrore. Zëri i Amerikës nuk mundi t'i verifikojë pamjet në mënyrë të pavarur. Kremlini vazhdon të pretendojë se godet vetëm objekte dhe personel ushtarak, por pamjet e verifikuara tregojnë një tjetër realitet.

Pamjet që u shfaqën në përfundim të goditjeve javën e kaluar në stacionin e trenit në qytetin ukrainas Kramatorsk tregojnë dhjetëra civilë të vrarë. Rusia mohoi përgjegjësinë, duke fajësuar Ukrainën se sulmoi shtetasit e saj në formë provokimi.

Sulmi në Kramatorsk ndodhi pasi u zbuluan viktima civile përgjatë rrugëve dhe në varre të hapura në qytetin Bucha, në rrethinat e kryeqytetit Kiev.

"Pati një plan nga nivelet më të larta të qeverisë ruse për të vendosur në objektiv civilët që kundërshtuan sulmin, për të ushtruar dhunë ndaj tyre, për të organizuar përpjekjet për të ushtruar brutalitet ndaj tyre, për të terrorizuar popullsinë dhe për ta nënshtruar atë", tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë një fjalimi të fundit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se agresioni i Rusisë ndaj vendit të tij, që ai e quajti gjenocid, kërcënon të ardhmen e Evropës. Vendet evropiane vazhdojnë të mbështesin pa lëkundje Ukrainën, por ende blejnë pjesën më të madhe të energjisë së tyre nga Rusia.

"Duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të rritur prodhimin vendas që t'i ndihmojmë me furnizim sa më shumë të jetë e mundur. Por, ata duhet të kuptojnë se çdo herë, çdo ditë që ata vazhdojnë të importojnë naftë dhe gaz rus, ata po financojnë gjenocidin e Putinit në Ukrainë", tha ligjvënësja republikane, Liz Cheney.

Varganet me ukrainasit që patën mundësinë t'i largohen luftës vazhdonin të mbërrinin në kampet në kufirin polak.

Por, shumë prej tyre mbeten të bllokuar pa ndonjë shpresë në vende si qyteti i rrethuar Mariupol.

"Shkuam atje me autobuzë. U përpoqëm disa herë. Por fatkeqësisht, situata përreth Mariupolit është shumë e rrezikshme. Kushtet e sigurisë nuk janë të mira. Garancitë e sigurisë që morëm nuk ishin të mira. Rreth 20 kilometra pranë Mariupolit na u desh të ktheheshim mbrapsht", thotë Pascal Hundt, drejtues i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Ukrainë.

Në qytetin Borodyanka, banorët thonë se trupat e njerëzve të tyre të dashur janë bllokuar nën rrënoja për javë të tëra dhe se shtëpitë e tyre janë lënë të shkatërruara pasi u larguan pushtuesit rusë. Megjithë pretendimet ruse për të kundërtën, pamjet më të zakonshme janë tashmë ato të civilëve të sulmuar si objektiva ushtarake në këtë luftë.

XS
SM
MD
LG