Agjencia Serbe e Zbulimit, BIA, hodhi poshtë të hënën raportimet e mediave zvicerane se ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, është kërcënuar nga “elementë radikalë të shërbimeve serbe të zbulimit”.
Në një intervistë me televizionin publik të Zvicrës, zoti Marty, pretendimet e të cilit çuan në ngritjen e Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, tha se është vënë nën mbrojtje të armatosur në shtëpinë e tij, nga fundi i vitit 2020 për shkak të kërcënimit ndaj jetës së tij.
“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve serbe të zbulimit, të cilët u kanë kërkuar vrasësve profesionistë të nëntokës, të më likuidojnë dhe thjeshtë të fajësojnë njerëzit nga Kosova për këtë”, deklaroi ai gjatë intervistës.
Zoti Marty, tha gjatë intervistës se shtëpia e tij është e pajisur me kamera sigurie dhe një dhomë të sigurt në rast nevoje, ndërsa policia është e vendosur në afërsi të vendit ku jeton. Ai tha se kur del në publik duhet të vesh jelek antiplumb.
Mediat serbe thanë të hënën se, Agjencia Serbe e Zbulimit i dërgoi një letër Shërbimit Federal të Zbulimit Zviceran (FIS), në të cilën dënon dhe mohon fuqishëm pretendimet, siç thuhet, “dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve serbe të sigurisë në planifikimin e vrasjes së ndokujt”.
“Në këto momente të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesional në kryerjen e detyrave të tyre ekskluzivisht në përputhje me ligjin”, thuhet në letër.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë se kjo situatë është dëshmi e vazhdimit të mendësisë së njëjtë të Serbisë të mbështetur nga Rusia.
“Në mendësinë e shtetit serb dhe strukturave shtetërore serbe, vazhdon mentaliteti i njëjtë i doktrinës së krimit dhe fajtorit. Por, ajo që është shqetësuese është vërtetimi i manipulimit që i është bërë senatorit Marty nga shërbimet sekrete serbe të cilat e kanë furnizuar të njëjtin me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinete politike në Beograd e në Moskë, mbi të cilat dhe për shkak të të cilave është ngritur edhe Gjykata e Posaçme”, tha ajo.
Raporti i ish të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili përmban akuza ndaj ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ishte baza e themelimit të Gjykatës së Posaçme për krime të luftës në Hagë.
Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015, ndërsa nisi procesin e parë gjyqësor në shtator të vitit 2021.
Aktualisht në pritje të proceseve gjyqësore ndodhen udhëheqësit më të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.