Lidhje

Agjenti "i rremë" amerikan pretendon lidhje me inteligjencën e Pakistanit


UASHINGTON - Një nga dy personat e arrestuar në Uashington që dyshohet se janë paraqitur si zyrtarë të sigurisë federale amerikane dhe janë përpjekur të kenë qasje në Shërbimin Sekret, i cili mbron Presidentin Joe Biden, pretendoi se kishte lidhje me inteligjencën pakistaneze, i tha një prokuror federal një gjykatësi të enjten.

Ndihmës prokurori i Departamentit të Drejtësisë, Joshua Rothstein, i kërkoi një gjyqtari që të mos lirojë Arian Taherzadeh, 40 vjeç dhe Haider Ali, 35 vjeç, personat e arrestuar të mërkurën pasi pretendohet se janë paraqitur si hetues të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Ata akuzohen gjithashtu se kanë ofruar favore fitimprurëse për anëtarët e Shërbimit Sekret, duke përfshirë një agjent për të marrë detajet e sigurisë të zonjës së parë Jill Biden.

Zoti Rothstein i tha gjykatës se në vitin 2019, vetëm disa muaj para se të dy të fillonin të përpiqeshin të mësonin nga profesionistët e sigurisë në ndërtesën e apartamenteve të tyre në Uashington, Haider Aliu kishte udhëtuar në Pakistan, Turqi, Iran dhe Katar dhe kishte kaluar tranzit nga Doha disa herë.

Përveç kësaj, tha zoti Rothstein, Haider Ali "pretendoi tek disa dëshmitarë se ai kishte lidhje me ISI-n, që është shërbimi i inteligjencës pakistaneze".

Departamenti i Drejtësisë po e trajton rastin si çështje penale dhe jo si çështje të sigurisë kombëtare. Por Shërbimi Sekret pezulloi katër agjentë për përfshirjen e tyre me të dyshuarit.

“I gjithë personeli i përfshirë në këtë çështje është në pushim administrativ dhe është i kufizuar nga qasja në objektet, pajisjet dhe sistemet e Shërbimit Sekret”, tha në një deklaratë Shërbimi Sekret.

Sipas një deklarate të dorëzuar në gjykatë, Taherzadeh dhe Ali, të dy shtetas amerikanë, jetonin në një ndërtesë apartamentesh në Uashington ku jetojnë shumë punonjës federalë të lidhur me sigurinë.

Të dy i bindën disa nga këta agjentë se ata vetë ishin hetues specialë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, duke shfaqur uniforma dhe dokumente në mbështetje të këtyre pretendimeve.

Për të dy personat është ngritur fillimisht akuza për mashtrim duke u shtirur si oficerë të organeve amerikane të zbatimit të ligjit, akuzë për të cilën mund të dënohen me nga tre vite burgim.

Megjithatë prokurori Rothstein i tha gjykatës se akuza mund të zgjerohet në konspiracion, për të cilin dënimi është me pesë vite burgim.

Mbeten të paqarta motivet e këtyre dy personave, megjithëse ata arritën të rekrutojnë edhe një person të tretë, të cilit i caktuan "të mblidhte të dhëna për një individ që i ofronte mbështetje Departamentit të Mbrojtjes dhe komunitetit të shërbimeve të zbulimit".

Sipas akuzës së prokurorisë, zoti Taherzadeh u mundësoi ndërkohë qëndrimin falas disa punonjësve të Shërbimit Sekret dhe të Departamentit të Sigurisë në apartamente qeraja e të cilëve arrinte deri në 4 mijë dollarë në muaj.

Ai u ofroi atyre edhe telefona iPhone, sistemi survejimi, një televizor, si dhe paisje që përdoren nga forcat e zbatimit të ligjit, thuhet në akuzë.

Zoti Taherzadeh i ofroi një pushkë me vlerë 2 mijë dollarë një agjenti të Shërbimit Sekret që punonte si anëtar i ekipit të sigurisë të Zonjës së Parë, dhe i bëri disa favore bashkëshortes së agjentit, duke i huazuar ndër të tjera edhe makinën e tij.

Sipas dokumentit të prokurorisë, zotërinjtë Taherzadeh dhe Ali duket se kishin nën kontroll disa apartamente në godinë dhe se zoti Taherzadeh kishte qasje në të gjithë sistemin e sigurisë të godinës.

Si shumë punonjës të shërbimeve të sigurisë, ata ngisnin makina të mëdha të zeza, të tipit GMC, të pajisura me sinjalistikën e emergjencave.

Zoti Taherzadeh mbante armë brezi të llojit që përdorin agjensitë amerikane të zbatimit të ligjit dhe u demonstronte të tjerëve se kishte qasje në sistemin e sigurtë kompjuterik të Departamentit të Sigurisë.

Gjatë paraqitjes së tyre të parë në gjykatë, prokurori u përpoq të ndalte lirimin e tyre me kusht kundrejt garancisë financiare.

Sidoqoftë, asnjë prej të akuzuarve nuk kishte arritur të siguronte përfaqësimin e duhur me avokat dhe gjykatësi e shtyu vendimin për një seancë të dytë që do të mbahet të premten.

XS
SM
MD
LG