Lidhje

Dy libra për mizoritë e forcave serbe në Kosovë në Bibliotekën e Kongresit


Një libër i ri mbi mizoritë e forcave serbe në Kosovë në vitet 1844-1999 me titull “Mos Harro Kurrë!” dhe një variant i përditësuar i librit “Terrori i Serbisë Pushtuese Kundër Shqiptarëve”, iu dhuruan Bibliotekës së Kongresit amerikan. Studiuesi nga Kosova, Dr. Nusret Pllana dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Agim Aliçkaj thanë se angazhimi i tyre për të dokumentuar këto krime është përpjekje për drejtësi.

Dy libra për mizoritë e forcave serbe në Kosovë në Bibliotekën e Kongresit
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:21 0:00

Koleksionit të librave të Kosovës në Bibliotekën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara iu shtuan edhe dy botime.

Studiuesi nga Kosova, Dr. Nusret Pllana dhe veprimtari shqiptaro-amerikan Agim Aliçkaj dhuruan në Uashington një libër prej 45 faqesh në përmasa xhepi me titull “Mos harro kurrë” dhe variantin e përditësuar të librit “Terrori i Serbisë Pushtuese Kundër Shqiptarëve”.

Veprat sjellin dëshmi të mizorive të kryera nga forcat serbe kundër popullsisë shqiptare në periudhën 1844-1999. Faktet dhe fotografitë në librat që flasin në hollësi për pothuajse çdo masakër të kryer në Kosovë, janë të rënda për t’u parë.

“Vetëm në librin e madh është argumentuar vrasja e më shumë se 570 miijë shqiptarëve”, thotë zoti Pllana ndërsa shton se botime si këto duhet të përdoren edhe për të luftuar propagandën e ashpër të Serbisë kundër shtetit të Kosovës.

“Ata edhe më tutje mbeten në ofensivë diplomatike dhe propagandistike duke investuar miliona para për t’i deponuar këto materiale, libra, filma e të tjera gjithandej Evropës dhe botës dhe për ta bindur Evropën dhe botën që ata janë viktima. Merreni me mend gjithë vrasjet dhe gjenocidin që kanë bërë sot e luajnë rolin e viktimës”, shton ai.

Shqiptaro-amerikania Nevila Pahumi është specialiste për Kosovën dhe Shqipërinë në sektorin evropian të Bibliotekës së Kongresit amerikan.

Ajo thotë se dy librat e rinj pasurojnë hapësirën e Kosovës në bibliotekë e cila përbëhet nga rreth 5 mijë materiale, kryesisht kushtuar luftës së viteve ‘98-’99 dhe shtetndërtimit.

“Për ne ka vlerë të shumëfishtë sepse mundëson informimin e kërkuesve që vijnë këtu të mësojnë diçka nga lufta. Do të ndihmojë në zgjerimin tonë si koleksion në bibliotekë e po ashtu interesimin dhe ndërgjegjësimin e publikut amerikan, që është njohur me luftën falë intervenimit të NATO-s në fund të vitit 99”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Sipas vlerësimeve gjatë luftës në Kosovë u vranë mbi 10 mijë shqiptarë, dhe ende po kërkohet për trupat e rreth 1 600 prej tyre. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut rreth 20 mijë gra e vajza janë përdhunuar dhe mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Aktivisti shqiptaro-amerikan Agim Aliçkaj thotë se botime si këto përfaqësojnë betejën e shqiptarëve për drejtësi.

“Nuk është qëllimi ynë të hakmerremi. Qëllimi ynë është të kërkojmë drejtësi. Të sillen para drejtësisë kriminelët që shëtiten dhe Serbia të dënohet. Serbia është boombarduar, është larguar nga Kosova, por nuk është dënuar dhe nuk e pranon fajin. Është mentaliteti i njëjtë me atë të Rusisë sot”, thotë zoti Aliçkaj.

Zoti Aliçkaj është bashkautor dhe financues i librit të ri me pak faqe “Mos Harro Kurrë!”.

Ai thotë se kjo vepër do të ndihmojë lobin shqiptaro-amerikan drejt realizimit të synimeve kombëtare.

“Në çdo bisedë në çdo takim mund ta prezantojmë, sepse kjo flet vetë. Për një 30 minutësh mund të kuptosh se çfarë i ndodhi kombit shqiptar për 200 vjet. Sepse edhe ligjvënësit, senatorët, të gjithë politikanët dhe diplomatët nuk kanë shumë kohë. Prandaj për të depërtuar tek ata duhet ta gjejmë një formë më të lehtë”.

Përmes Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, zoti Aliçkaj kishte ndihmuar në ndërgjegjësimin e opinionit amerikan rreth çështjes së Kosovës në vitet ‘90. Aktivisti thotë se pas krijimit të shtetit të Kosovës kishte menduar se angazhimi i lobit shqiptaro-amerikan do të ishte i panevojshëm, por sot realiteti duket ndryshe shton ai.

“Me shpalljen e pavarësisë, të them të drejtën, u çliruam të gjithë. Sepse shpresuam se tani kemi shtetin me një diplomaci funksionale. Mirëpo ne nuk jemi të kënaqur me këto 22 vite të diplomacisë dhe qeverisjes së Kosovës. Jo vetëm që nuk kanë bërë punë të mirë, por kanë bërë punë të keqe”.

Vitin që shkoi kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi se qeveria e vendit është duke përgatitur padi për gjenocid ndaj Serbisë, e cila siç ishte shprehur ai do të ndikojë që të mos përsëriten ngjarje të ngjashme me ato të viteve 90 në Ballkan.

XS
SM
MD
LG