Lidhje

Guvernatori i Teksasit: Migrantët të dërgohen me autobus në Uashington


Gregg Abbott
Gregg Abbott

Guvernatori i Teksasit, republikani Greg Abbott, thotë se migrantët që kalojnë kufirin do të dërgohen me autobusë drejt kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, Uashington. Komenti i tij të mërkurën ishte një reagim ndaj Presidentit Joe Biden dhe Kongresit, lidhur me atë që zoti Abbot e quan dështim të qeverisë federale për të ndaluar fluksin e migrantëve që futen në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit me Meksikën.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, njoftoi të mërkurën ato që ai i quajti “veprime të paprecedentë” për të penguar migrantët që futen në Teksas përmes kufirit të atij shteti me Meksikën.

Republikani Abbott njoftoi vendimet e reja gjatë një konference shtypi duke premtuar për masa edhe më të ashpëra. Guvernatori Abbott gjendet nën trysninë e ish-zyrtarëve të administratës së Presidentit Trump, të cilët kërkojnë që zoti Abbott të deklarojë gjendjen e jashtëzakonshme.

“Për të ndihmuar zyrtarët lokalë, komunitetet e të cilëve po pushtohen nga një mori emigrantësh të paligjshëm, që po sillen këtu nga administrata e Presidentit Biden, Teksasi po siguron autobusë për t’i dërguar këta emigrantë të paligjshëm në Uashington”.

Javën e kaluar, administrata e Presidentit Biden njoftoi se do të shfuqizojë një ligj të shëndetit publik, që kishte kufizuar marrjen e azilit me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19.

“Po i dërgojmë migrantët në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, ku administrata e Presidentit Biden do të jetë gjendje të zgjidhë më me shpejtësi nevojat e njerëzve që po lejon të kalojnë kufirin tonë”, tha zoti Abbott, i cili po përpiqet të sigurojë edhe një mandat tjetër në zgjedhjet që mbahen në nëntor.

Zyrtarët amerikanë të kufirit thonë se po hartojnë plane për t’u përballur me deri në 18,000 migrantë në ditë, që kalojnë kufirin, pas shfuqizimit në maj të një mase emergjente kundër përhapjes së COVID-19, që nuk i lejon ata të hyjnë në Amerikë.

Një javë më parë rreth 7,100 migrantë në ditë u futën në territorin amerikan përmes kufirit jugor me Meksikën.
XS
SM
MD
LG