Gjykata e Lartë e Pakistanit filloi të dëgjojë argumentet të hënën mbi çështjen nëse kryeministri Imran Khan dhe aleatët e tij kishin të drejtë ligjore për të shpërndarë parlamentin dhe për të krijuar terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Opozita po sfidon lëvizjet e fundit të zotit Khan, një ish-udhëheqës islamik konservator i cili erdhi në pushtet në vitin 2018, duke pretenduar se ato janë pjesë e përpjekjeve të kryeministrit Khan për të qëndruar në pushtet.
Gjykata e Lartë filloi të dëgjonte argumentet të hënën nga ekipi ligjor i kryeministrit Khan dhe atij të opozitës, por më pas e shtyu seancën për mesditën e së martës.
Nuk kishte asnjë shpjegim të menjëhershëm për shtyrjen dhe ishte gjithashtu e paqartë se kur do të merrej një vendim për këtë çështje. Pakistani, një vend me shumicë myslimane po kremton muajin e shenjtë të Ramazanit.
Të dielën, aleati i zotit Khan dhe nënkryetari i parlamentit të Pakistanit, Qasim Suri, shpërndau asamblenë për të shmangur një votë mosbesimi që kryeministri Khan ishte i sigurt se do ta humbiste. Opozita pretendon se nënkryetari Suri nuk kishte autoritet kushtetues të hidhte poshtë votën e mosbesimit.
Kjo ishte një nga mosmarrëveshjet më të fundit në tensionet në rritje mes kryeministrit Khan dhe opozitës, e cila është mbështetur nga figurat e larguara nga vetë partia e kryeministrit, Partia e Drejtësisë dhe një ish-partner i koalicionit, Lëvizja Muttahida Quami, e cila iu bashkua radhëve të opozitës. Opozita pretendon se kishte numrat për të rrëzuar qeverinë e zotit Khan në parlament. Ajo e ka akuzuar zotin Khan për keqmenaxhim të ekonomisë së vendit.
Ngërçi aktual politik është në shumë mënyra një territor i paeksploruar për Pakistanin, ku qeveritë e njëpasnjëshme janë rrëzuar nga ushtria e fuqishme e vendit dhe të tjerat janë rrëzuar përpara përfundimit të mandatit të tyre.
Vendimi më i rëndësishëm përpara Gjykatës së Lartë është ai për çështjen nëse nënkryetari i parlamentit kishte autoritetin kushtetues për të hedhur poshtë votën e mosbesimit, thotë avokati kushtetues Ali Zafar.
Zoti Zafar i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se gjykata gjithashtu duhet të vendosë nëse ka autoritetin për të marrë një vendim mbi këtë çështje. Partia e zotit Khan këmbëngul se veprimet e kryetarit të parlamentit janë të privilegjuara dhe nuk mund të kundërshtohen në gjykatë.
Nëse gjykata vendos se nënkryetari nuk kishte të drejtë ligjore, parlamenti do të mblidhet përsëri dhe do të mbajë votën e mosbesimit ndaj kryeministrit Khan, thonë ekspertët ligjorë. Nëse gjykata mbështet veprimet e fundit, Pakistani do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Opozita thotë se ka 172 vota në asamblenë prej 342 vendesh për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Khan. Pasi nënkryetari i parlamentit Qasim Suri hodhi poshtë mocionin e mosbesimit të dielën, ministri i informacionit dhe një tjetër aleat i kryeministrit Khan, Fawad Chaudhry, akuzuan opozitën se po bënte komplot për "ndryshim regjimi" me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Ushtria e fuqishme e Pakistanit, e cila ka drejtuar vendin për më shumë se gjysmën e historisë së saj 75-vjeçare, ka qëndruar e heshtur gjatë pjesës më të madhe të përplasjeve të brendshme politike.
Megjithatë, shefi i ushtrisë Qamar Javed Bajwa të dielën e distancoi ushtrinë nga akuzat për një komplot të mbështetur nga SHBA, duke thënë se Pakistani dëshiron marrëdhënie të mira si me Kinën ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara, partnerin më të madh tregtar të Pakistanit.
Kryeministri Khan, një kritik i hapur i luftës së Uashingtonit kundër terrorizmit dhe partneritetit të Pakistanit në atë luftë, pretendon se Shtetet e Bashkuara duan që ai të largohet për shkak të qëndrimeve të tij të politikës së jashtme dhe për refuzimin e distancimit të Pakistanit nga Kina dhe Rusia.
Megjithatë, Michael Kugelman, zëvendësdrejtor i Programit të Azisë në Qendrën Wilson, e sheh përplasjen e fundit politike si thjesht një "pjesë tjetër të një modeli të përsëritur në Pakistan të qeverive që dëmtojnë procesin demokratik për të ruajtur pushtetin.”
Ky zhvillim nxjerrë në pah shenjat e një shoqërie thellësisht të polarizuar, shtoi zoti Kugelman. Ndërsa mbështetësit e kryeministrit Khan mund të mendojnë se shpërbërja e parlamentit ishte një "goditje gjeniale" për të shmangur një mocion mosbesimi, kritikët e tij "mendojnë se ai ka vepruar në mënyrë të pamatur dhe në thelb ka kryer një grusht shteti ligjor, duke e zhytur vendin në një krizë kushtetuese".
Në anën tjetër, presidenti pakistanez Arif Alvi, një tjetër aleat i kryeministrit Khan, injoroi diskutimet e së hënës në Gjykatën e Lartë dhe vazhdoi përgatitjet për krijimin e një qeverie të përkohshme që do ta drejtonte vendin deri pas zgjedhjeve të parakohshme. Sipas kushtetutës, zoti Khan do të mbetet kryeministër deri në emërimin e një kryeministri në detyrë, tha Presidenti Alvi në një postim në Twitter.