Grupe qytetarësh serbë nga Kosova udhëtuan të dielën në mënyrë të organizuar në disa qytete në jug të Serbisë për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, pasi autoritetet në Prishtinë nuk lejuan që ato të mbahen në Kosovë.
Disa qytetarë që niseshin për në Serbi për të votuar thanë se e kanë detyrim për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
“Nëse shteti serb na thërret, mendoj se jo vetëm unë, por shumica e njerëzve këtu nuk e kanë problem të përmbushin detyrimin shtetëror. Natyrisht se do të ishim më të lumtur nëse do të mund të votonim këtu ku kemi lindur, mirëpo pasi që është situata ashtu siç është, ne kemi mirëkuptim”, tha një qytetar serb nga Graçanica.
“Të them të drejtën jo vetëm 150 kilometra të udhëtojmë por do t’i bënim edhe 1 mijë e 500 kilometra, por mendoj se është e pajustifikueshme që është marrë një vendim i tillë nga institucionet e Prishtinës”, tha një qytetar serb që po udhëtonte në Serbi për të votuar.
Qeveria e Kosovës tha se nuk ka arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, meqë Beogradi refuzoi që qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë qeverisë së Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Kosova synoi që përmes zgjedhjeve të sigurojë njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia.
Vendimi i qeverisë së Kosovës ngjalli reagimin e qeverive të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe, të cilat shprehën zhgënjimin e tyre për siç thanë “vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga diplomatët perëndimorë”, për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë. Diplomatët e ketyre vendeve thanë se një qëndrim i tillë i qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet e vendeve perëndimore dhe do të cënojë aspiratat e saj evropiane.
Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë në të kaluarën janë mbajtur dhe lehtësuar nga misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.