Lidhje

Zgjedhjet në Hungari mes hijes së luftës në Ukrainë


Votimet përfunduan në Hungari të dielën, në një proces zgjedhor ku kryeministri nacionalist pro-Putinit, Viktor Orban, po kërkon një mandat të katërt radhazi.

Viktor Orban, një nga udhëheqësit më jetëgjatë në Evropë, duket se gëzon një epërsi të lehtë të zgjedhjet e përgjithshme çka do t'i zgjaste pushtetin e tij 12-vjeçar.

Tonet e fushatës u ndikuan nga lufta në Ukrainë e cila duket se i ka prishur planet e zotit Orbanit dhe e ka detyruar atë të bëjë manovra të pakëndshme pas më shumë se një dekade lidhjesh të ngushta me Moskën.

Aleanca e gjashtë partive opozitare është tashmë në distancë të vogël nga partia Fidesz e zotit Orbanit. Sipas sondazhit të fundit të kryer nga "Zavecz Research", partia Fidesz kryeson me 39% të votova kundrejt 36% për opozitën.

Që herët në mëngjes votuesit u përballen me dilemën nëse duhet t’i japin një mundësi një koalicioni partish opozitare me orientim perëndimor apo të rizgjedhin Kryeministrin nacionalist Viktor Orban për një mandat të katërt me radhë.

Kjo është gara më e ngushtë që kur Viktor Orban mori pushtetin në vitin 2010, falë gjashtë partive kryesore opozitare të Hungarisë që lanë mënjanë dallimet ideologjike për të formuar një front të bashkuar kundër partisë së tij të krahut të djathtë, Fidesz.

Partitë e opozitës dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë në dukje pengesat strukturore për mposhtjen e Viktor Orbanit me mjete elektorale, duke vënë theksin te paragjykimet e përhapura pro-qeveritare në median publike, dominimin e mediave komerciale të lajmeve nga aleatët e zotit Orban dhe një hartë elektorale shumë të manipuluar.

Koalicioni i gjashtë partive opozitare i quajtur "Të bashkuar për Hungarinë", u ka kërkuar votuesve të mbështesin përpjekjet e tij për të futur një kulturë të re politike në Hungari të bazuar në qeverisjen pluraliste dhe aleancat e përmirësuara me BE-në dhe NATO-n.

Kandidati i koalicionit për postin e kryeministrit, Peter Marki-Zay, ka premtuar t'i japë fund atij që ai pretendon se është korrupsion i shfrenuar qeveritar dhe të rrisë standardet e jetesës, duke rritur fondet për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe arsimor të Hungarisë.

Tonet e fushatës para zgjedhjeve të së dielës ndryshuan në mënyrë dramatike nga agresioni i Rusisë në Ukrainën fqinje.

Ndërsa opozita i bëri thirrje Hungarisë që të mbështesë fqinjin e saj dhe të veprojë në një hap me partnerët në BE dhe në NATO, Viktor Orban, një aleat i vjetër i Presidentit rus Vladimir Putin, këmbëngul që Hungaria të qëndrojë neutrale dhe të mbajë lidhjet e saj të ngushta ekonomike me Moskën, duke përfshirë edhe vazhdimin e importit të gazit dhe naftës ruse.

XS
SM
MD
LG