Pas më shumë se një muaj luftimesh të ashpra në rajonin e Kharkivit, ushtria ukrainase thotë se ka çliruar një fshat dhe se ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme po detyrojnë forcat ruse të tërhiqen. Duke folur nga fshati i çliruar Mala Rohan, një ushtar ukrainas thotë se në këtë zonë ka filluar të rikthehet jeta.
Në fshatin Mala Rohan, në lindje të rajonit të Kharkivit, i çliruar nga trupat ukrainase, këto shkatërrime janë dëshmitë e pranisë ushtarake ruse.
Dy tanke të djegura shihen pranë shtëpive të shkatërruara të fshatit.
Guvernatori i Kharkivit Oleh Synegubov tha para dy ditësh se një kundërsulm i forcave ukrainase çliroi fshatin që ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Kharkivit.
Ushtari ukrainas Maksym i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ushtarët rusë kanë humbur motivimin dhe se një pjesë e mirë e tyre e kanë kuptuar gabimin e ndërhyrjes ushtarake në Ukrianë.
“Po i largojmë ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme. Mendoj se atyre u ka rënë morali. Shumica prej tyre e kanë kuptuar se ardhja këtu ishte një gabim i madh. Prandaj mendoj se nuk kanë shanse, ne do të fitojmë“, thotë ai.
Ndërsa përshkruan gëzimin e banorëve ukrainas, ushtari thotë se në pjesët e çliruara të Kharkivit, po rikthehet jeta.
“Sa më shumë që i largojmë ata, aq më afër jemi me civilët që kanë jetuar në fshatrat e pushtuara. Njerëzit na presin me buzëqeshje, duan të flasin me ne. Më në fund mund të dalin nga shtëpitë e tyre dhe mund të lëvizin lirshëm. Kur armiku ishte në fshatra, njerëzit nuk largoheshin nga bodrumet e tyre. Tani jeta po rikthehet”, thotë ai.
Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është nga më të goditurit që nga fillimi i sulmit rus.
Nga 24 shkurti Rusia ka bombarduar zona banimi, shkolla dhe spitale të Kharkivit.