Zyrtarë perëndimorë të mbrojtjes thonë se Ukraina ka përdorur taktika të shpejta kryengritëse për të penguar sulmin rus, ndërsa ka zbrapsur forcat ruse në zonat periferike në veriperëndim dhe lindje të kryeqytetit Kiev.
Goditjet dhe zënia në pritë e forcave ruse pas vijës ndarëse me njësitë e lëvizjes së shpejtë, shpesh gjatë natës, ka provuar të jetë një ndër taktikat më të efektshme në terren. Kjo u shtohet gabimeve logjitistike që rusët ende nuk kanë qënë në gjendje të kapërcejnë, thonë strategët ushtarakë. Ata thonë se taktikat ukrainase po demoralizojnë trupat ruse.
“Ata po bëjnë një punë të jashtëzakonshme”, tha koloneli John Barranco me Këshillin e Atlantikut, një institut studimor me qendër në kryeqytetin amerikan.
“Ukrainasit kanë formuar një ushtri shumë kompetente me udhëheqje të mirë deri në nivelet më të ulëta dhe janë të motivuar. Kur analizova dislokimin e ushtrisë ruse për ndërhyrje, e kuptova se ata nuk i kishin menduar mirë përpjekjet e tyre”.
Zoti Barranco, i cili mbikëqyri operacionet fillestare të marinsave amerikanë në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit dhe shërbeu dy ture në Irak, tha se Rusia llogariti gabimisht qëndrueshmërinë dhe aftësinë e forcave tokësore të Ukrainës dhe vendosmërinë që ukrainasit do të tregonin për të mbrojtur territorin e tyre.
Ai tha se kur analizoi grumbullimin e forcave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës në shkurt, përpara ndërhyrjes, ai hodhi poshtë mundësinë e një ofensive në shkallë të gjerë.
“Dukej sikur plani i sulmit të Kremlinit ë ishte hartuar në vitin 2014. Ukrainasit kanë tetë vjet që po ndërtojnë dhe trajnojnë ushtrinë e tyre”, tha ai.
Zoti Barranco tha se trajnimi për taktika të njesiteve të vogla që ukrainasit kanë marrë që nga viti 2014 nga ekipe të Gardës Kombëtare amerikane nga Kalifornia dhe shtete të tjera, ka rezultuar tek disa nga sukseset e Ukrainës në fushën e betejës.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, në 48 orët e fundit, forcat ruse janë përpjekur me vështirësi që të vazhdojnë ofensivën në veriperëndim dhe lindje të Kievit dhe kanë humbur territore. Forcat ukrainase kanë rimarrë territore të pushtuara nga rusët, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Ukrainasit thonë se tani kanë arritur të rrethojnë qytetet Bucha dhe Irpin si dhe fshatin Hostomel të marra nga Rusia, në veriperëndim të Kievit.
Ditë më parë, ukrainasit rimorën fshatin Makariv me rëndësi strategjike në periferi të Kievit. Pjesa më e madhe e suksesit qëndron tek ukrainasit që synojnë linjat e furnizimit tashmë të sfiduara të Rusisë. Një pjesë e madhe e suksesit të ukrainasve qëndron tek goditja e linjave ruse të furnizimit.
Ministria Britanike e Mbrojtjes tha se ukrainasit ka të ngjarë të vazhdojnë të vënë në shënjestër logjistikën në zonat e pushtuara nga Rusia, duke i detyruar rusët që t’i japin “përparësi mbrojtjes së zinxhirit të funizimeve dhe t’i privojnë ata nga rifurnizimet e nevojshme”.
Zyrtarët britanikë të mbrojtjes konfirmuan gjithashtu të premten se Ukraina ka rimarrë nën kontroll zona në lindje të Kievit. "Kundërsulmet ukrainase dhe kthimi i forcave ruse në linjat e pakta të furnizimit, i kanë lejuar Ukrainës të rimarrë qytetet dhe pozicionet mbrojtëse deri në 35 kilometra në lindje të Kievit", thanë zyrtarët e inteligjencës britanike.
“Në jug të Ukrainës, forcat ruse janë ende duke u përpjekur të anashkalojnë Mykolaivin, ndërsa synojnë të lëvizin drejt perëndimit drejt Odesës, me përparimin e tyre që është ngadalësuar nga çështjet logjistike dhe rezistenca ukrainase”, shtuan zyrtarët britanikë.
Forcat ruse gjithashtu duket se po përgatisin pozicione mbrojtëse rreth Kievit, të gatshme për një luftë shkatërrimtare. Në fillim të kësaj jave, Zëri i Amerikës raportoi se imazhet satelitore të publikuara nga Maxar Technologies, një kompani e teknologjisë hapësinore dhe vëzhgimit të tokës, dukej se tregonin ushtarë rusë që po ndërtonin transhe mbrojtëse pranë fshatrave Ozera, Zdvyzhivka dhe Berestyanka, në veriperëndim të Kievit, dhe rreth bazës ajrore Antonov.
Pozicione të tilla ka të ngjarë të ndërtohen për t'u mbrojtur nga kundërsulmet ukrainase, thanë zyrtarët perëndimorë.
"Ukrainasit e njohin territorin e tyre - ata e dinë terrenin e tyre. E kanë menduar këtë për një kohë të gjatë dhe po luftojnë më me sukses në nivelin e njësive të vogla", i tha zoti Barranco Zërit të Amerikës.
Ai dhe analistë të tjerë ushtarakë thanë se ukrainasit po përdorin një sërë taktikash për të shtyrë forcat ruse në këmbë.
Midis tyre janë ngritja e të ashtuquajturave kuti vrasëse, apo zona të caktuara ku më pas arrihet tërheqja e armikut në to; duke ndërmarrë sulme shumë të fokusuara dhe të ashpra ndaj trupave të izoluara ruse.
Një avantazh tjetër që po shfrytëzojnë ukrainasit është udhëheqja kompetente nga nënoficerët, thonë zyrtarët, e cila është gjithashtu në përputhje me doktrinën dhe stërvitjen ushtarake amerikane.
"Shtetet e Bashkuara i kushtojnë vëmendje të lartë krijimit të një korpusi profesional nënoficerësh dhe rreshterësh, të cilët e kuptojnë pamjen e përgjithshme dhe të cilëve u jepet autoriteti i deleguar për të marrë vendime në fushën e betejës ndërsa udhëheqin njësitë e tyre", tha zoti Barranco.
"Oficerët e rinj mësohen gjithashtu të punojnë ngushtë me nënoficerët profesionistë. Ushtria ruse ka pranuar se ata kanë një problem me nënoficerët e trajnuar dobët dhe kanë filluar një akademi nënoficerësh sepse e kuptojnë se nuk kanë udhëheqje të mirë në nivelet më të ulëta", shtoi ai.