Lidhje

Nga Polonia, Presidenti Biden përjeton nga afër krizën e refugjatëve ukrainas


Presidenti Biden në një seancë informative për krizën humanitare së bashku me presidentin polak
Presidenti Biden në një seancë informative për krizën humanitare së bashku me presidentin polak

Vetëm rreth 96 kilometra nga Ukraina, Presidenti Joe Biden përshëndeti Poloninë të premten për pritjen e më shumë se 2 milionë refugjatëve që i janë larguar sulmit të forcave ruse. Më pas ai u takua me ekspertë humanitarë në terren për të parë se çfarë do të nevojitet për të zbutur vështirësitë në rritje.

Presidenti Biden tha se kishte shpresuar të afrohej edhe më pranë kufirit, por nuk u lejua për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Megjithatë, ai tha se donte të vizitonte Poloninë për të nënvizuar se ndihma që po ofron është me "efekte të mëdha" pasi Evropa po përjeton krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

"Nuk po ndalet", tha Presidenti Biden për shkatërrimin në Ukrainë. "Është si diçka nga një film fantastiko-shkencor."

Fëmijët presin në një qendër refugjatësh në Nadarzyn, afër Varshavës, Poloni (25 mars 2022)
Fëmijët presin në një qendër refugjatësh në Nadarzyn, afër Varshavës, Poloni (25 mars 2022)

Presidenti Biden vizitoi gjithashtu disa nga mijëra trupat amerikane që janë dërguar pranë kufirit të Polonisë për të ndihmuar me emergjencën humanitare dhe për të forcuar praninë ushtarake amerikane në krahun lindor të NATO-s. Më shumë se 3.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi që nga sulmi i 24 shkurtit, përfshirë rreth 2.2 milionë në Poloni, sipas Kombeve të Bashkuara.

Brenda pak ditësh, numri i refugjatëve të zhvendosur nga Ukraina që nga muaji i kaluar do të tejkalojë numrin e sirianëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë viteve të konfliktit, pasi një kryengritje e vitit 2011 u shndërrua në një luftë të gjerë, tha Samantha Power, drejtore e USAID-it.

Angazhimi ushtarak amerikan në Poloni u bë i dukshëm sapo u ul avioni presidencial Air Force One, që kaloi pranë njësive të raketave Patriot. Më shumë pajisje, duke përfshirë kamionë të rëndë dhe pajisje të tjera të lyera me kamuflazh, ishin të pranishme në aeroport. Një qendër konventash aty pranë shërben si bazë për Divizionin e 82-të Ajror të Ushtrisë Amerikane.

Presidenti Joe Biden viziton anëtarët e Divizionit të 82-të Ajror në G2A Arena, të premten, 25 mars 2022, në Jasionka, Poloni
Presidenti Joe Biden viziton anëtarët e Divizionit të 82-të Ajror në G2A Arena, të premten, 25 mars 2022, në Jasionka, Poloni

Ndalesa e parë e Presidentit Biden ishte me trupat e Divizionit të 82-të Ajror, ku u ul për të ngrënë së bashku me ushtarakët amerikanë që po shërbejnë aty së bashku me trupat polake.

Presidenti Biden u tha ushtarakëve se kombi "ju ka një borxh të madh". Ai gjithashtu huazoi fjalët e Sekretares së ndjerë të Shtetit Madeline Albright për të nënvizuar pozitën e tyre në një moment të brishtë për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë.

"Sekretarja e Shtetit kishte një shprehje. Ajo thoshte: "Ne jemi kombi thelbësor," u tha Presidenti Biden ushtarakëve. “Nuk dua të tingëlloj filozofik këtu, por ju jeni në mes të një lufte mes demokracisë dhe një oligarku”.

Presidenti Biden mbërriti sot në Poloni, pas një takimi në Bruksel me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Dy udhëheqësit njoftuan formimin e një grupi pune të përbashkët për të reduktuar varësinë e Evropës nga karburantet fosile ruse.

Presidenti Biden tha se Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur të ardhurat që ka siguruar nga shitja e energjisë për të furnizuar makinerinë e tij të luftës në Ukrainë. Ai theksoi se populli amerikan nuk do të ishte pjesë e subvencionimit të luftës brutale dhe të pajustifikuar të Vladimir Putinit kundër popullit ukrainas.

Nga ana e asaj zonja Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian mbetet i vendosur në kundërshtimin e luftës brutale të Rusisë, e cila siç tha ajo, do të jetë një dështim strategjik për Presidentin Putin.

Këtë vit Shtetet e Bashkuara do t’i japin Evropës 15 miliardë metër kub gaz natyror të lëngshëm.

Gjatë qëndrimit në Poloni, Presidenti Biden pritej të vizitonte Rzeszów-in (Zhezhovin) një qytet në veri të vendit, pranë kufirit me Ukrainën. Polonia, një vend i NATO-s, ka marrë rreth 2 milionë refugjatë ukrainas.

Të enjten në mbrëmje vonë, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Mariano Grossi, tha se sipas autoriteteve ukrainase forcat ushtarake ruse po bombardonin pikat e kontrollit në Slavutiç, një qytet ku jetojnë kryesisht ata persona që punojnë në centralin bërthamor të Çernobilit, që ndodhet aty pranë. Zoti Grossi shtoi se situata po rrezikon jetën e tyre dhe po e bën të pamundur rotacionin e mëtejshëm të personelit në impiant.

XS
SM
MD
LG