Ndërsa udhëheqësit e NATO-s, G7-ës dhe Bashkimit Evropian të enjten biseduan në takime me dyer të mbyllura në Bruksel, protestuesit dolën në rrugë për të kërkuar nga Perëndimi veprime më të ashpra kundër Rusisë.
Presidenti i Ukrainës kishte kërkuar një ditë protestash në mbështetje të vendit të tij dhe kundër sulmit të Rusisë.
Jashtë selisë së Bashkimit Evropian, ku po takoheshin udhëheqësit botërorë, duke përfshirë presidentin amerikan protestuesit i bënë të qarta kërkesat e tyre.
“Presim nga NATO, BE-ja, G7-a dhe udhëheqësit botërorë, që më në fund të marrin një vendim, në mënyrë që ne të shohim vendosmërinë e tyre për ta ndihmuar Ukrainën të fitojë. Ne kemi një pyetje: A mbaron morali dhe njerëzimi në kufijtë e NATO-s?”, thotë për Zërin e Amerikës Hanna Hopko, ish deputete e parlamentit ukraians.
Sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se 1 mijë civilë janë vrarë deri tani në Ukrainë, shumica viktima të raketave dhe sulmeve ajrore të Rusisë.
Zlata Podovolenkova u largua nga shtëpia e saj në Hostomel afër Kievit, ku ndodhet vija që ndan forcat ukrainase dhe ato ruse. Disa anëtarë të familjes së saj kanë ngelur në mes të zonës së luftës.
“Po kërkojmë nga NATO që të mbyllë qiellin dhe të sigurojë armët që do ta ndihmonin Ukrainën ta fitojë këtë luftë. Jemi të sigurt se do të fitojmë. Kërkesat tona kanë rëndësi jo vetëm për shkak të kohës, por edhe numrit të civilëve që do të vdesin në këtë luftë të tmerrshme”, thotë ajo.
Këto kërkesa nuk janë përmbushur. NATO u pajtua për ashpërsim të sanksioneve dhe rritje të furnizimeve me armë dhe ndihma humanitare – por ajo nuk do të vendosë një zonë të ndalim-fluturimit apo të sigurojë avionë luftarakë.
“Evropa dhe NATO mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar Ukrainën. Ne jemi në një situatë të ngjashme me atë të vitit 1939, kur njerëzit në Evropë duhej të vendosnin se kush është Hitleri. Tani jemi në një kohë kur duhet të vendosim se Vladimir Putin nuk është më udhëheqësi i një kombi. Ai është një diktator imperialist që do të shkatërrojë gjithçka që kemi ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë për Zërin e Amerikës Andrea Catagna, protestues italian.
Protestuesit u shtrinë në rrugë duke krijuar një skenë të ngjashme me atë të rrugëve të Mariupolit dhe qyteteve tjera, ku trupat e civilëve të vrarë janë parë të shpërndarë gjithandej rrugëve, në pamundësi për t’u varrosur.
Më pas, brohoritjet për Ukrainën shkaktuan jehonë rrugëve të Brukselit.
Urakiansit thonë se po luftojnë kundër Rusisë për demokraci perëndimore.
Deri tani po rezistojnë të vetëm, ndërsa dëshpërimisht kërkojnë më shumë ndihma nga NATO.