Lidhje

Megjithë goditjen e opozitës në Rusi, shfaqen shenja kundërshtimi


RUSSIA-POLITICS/NAVALNY
RUSSIA-POLITICS/NAVALNY

NJU JORK (AP) - Kur Alexei Navalny u arrestua në janar të vitit 2021, dhjetëra mijëra rusë mbushën rrugët në shenjë proteste, duke kërkuar që kritiku kryesor i Kremlinit të lirohej ndërsa hodhën parulla kundër Presidentit Vladimir Putin. Me mijëra vetë u arrestuan.

Qysh atëherë, Putini ka nisur goditjen më të ashpër ndaj opozitës që nga epoka e Bashkimit Sovjetik: Navalny u burgos dhe organizata e tij u shpall e jashtëligjshme. Bashkëpunëtorët e tij dhe aktivistët e tjerë u ndoqën penalisht, u larguan nga vendi ose u dënuan sipas ligjeve të reja drakoniane. Mediat e pavarura të lajmeve u bllokuan dhe platformat e mediave sociale u ndaluan.

Tani, Rusia ka dërguar ushtrinë e saj në Ukrainë, agresioni më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Por ndonëse Kremlini ka punuar shumë për të shtypur rivalët politik dhe kundërshtarët e luftës, janë shfaqur disa shenja të kundërshtimit.

Pas sulmit të 24 shkurtit u zhvilluan protesta kundër luftës në Moskë, Shën Petersburg dhe gjetkë. Sipas grupit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut OVD-Info që gjurmon arrestimet politike, më shumë se 15,000 njerëz u arrestuan.

Një demonstrues në qytetin e Nizhny Novgorod shpalosi një pankartë pa fjalë dhe u ndalua menjëherë nga policia.

Një transmetim i drejtpërdrejtë i lajmeve në mbrëmje në televizionin shtetëror të Rusisë u ndërpre më 14 mars nga një grua që u shfaq pas drejtueses së lajmeve dhe mbajti një pankartë të shkruar me dorë përmes së cilës protestonte kundër luftës. OVD-Info e identifikoi atë si Marina Ovsyannikova, një punonjëse e stacionit televiziv, e cila u mor në paraburgim dhe u gjobit.

Alexei Navalny mbeti i papërkulur në një gjyq të zhvilluar në burg ku po vuan dënimin me 2 vjet e gjysmë. Të martën, ai u dënua me nëntë vjet burg për mashtrim dhe mospërfillje të akuzave gjyqësore - një veprim që u pa si një përpjekje për të mbajtur armikun më të madh të Putinit prapa hekurave për aq kohë sa të jetë e mundur.

Aktivisti 45-vjeçar kundër korrupsionit, i cili në vitin 2020 i mbijetoi një helmimi me agjent nervor për të cilin fajëson Kremlinin, tha në Facebook në një koment që u postua nga ekipi i tij: “Fluturimi im në hapësirë po zgjat pak më shumë se pritej.”

Aleati i tij, Ilya Yashin, i cili është zotuar të qëndrojë në Rusi, foli gjithashtu kundër rritjes së dënimit me burg.

"Sigurisht, nëntë vjet është një dënim i ashpër," tha zoti Yashin në Facebook. "Përdhunuesit, hajdutët dhe vrasësit në Rusi shpesh marrin më pak. Por në realitet kjo nuk do të thotë asgjë, sepse të gjithë e kuptojnë: Alexei do të kalojë aq kohë pas hekurave sa Putini do të jetë në Kremlin”.

Gjyqi i Navalny-t, i cili filloi një javë përpara se trupat ruse të futeshin në Ukrainë, shkaktoi një akt të vogël kundërshtimi nga një prej dëshmitarëve të prokurorisë. Fyodor Gorozhanko, një ish-aktivist në Fondacionin Kundër Korrupsionit të Navalny-t, i cili që atëherë është larguar nga Rusia, dëshmoi se ishte detyruar të jepte dëshmi kundër liderit të opozitës.

Fondacioni i Navalny dhe një rrjet i zyrave rajonale të tij u shpallën të jashtëligjshme vitin e kaluar dhe pushuan së funksionuari. Kremlini rigjallëroi presionin edhe ndaj aktivistëve dhe grupeve të tjera të opozitës, si dhe mediat e pavarura dhe organizatat e të drejtave të njeriut.

Dhjetra prej tyre janë goditur me emërtimin "agjent i huaj", që nënkupton një shqyrtim dhe përbuzje shtesë nga qeveria. Shumë prej tyre janë detyruar të mbyllen.

Me sulmin ndaj Ukrainës, goditja është duke heshtur shumicën e faqeve të pavarura të lajmeve. Platformat Facebook dhe Instagram u ndaluan si ekstremiste dhe u bllokuan në Rusi. Twitter gjithashtu u bllokua, megjithëse rusët që përdorin rrjete private virtuale, ose VPN, janë në gjendje të shmangin kufizimet e qasjes në rrjetet e mediave sociale dhe mediat e ndaluara në Rusi.

Një ligj i ri i miratuar së fundmi nga parlamenti, kriminalizon përmbajtjet që nuk vijnë nga linja zyrtare si "lajme të rreme" ose që diskreditojnë ushtrinë ruse dhe veprimet e saj në Ukrainë. Mediat janë përballur me presion për ta quajtur veprimin një "luftë" ose një "pushtim", në vend që të përdorin përshkrimin e qeverisë për të si një "operacion special ushtarak". Çështjet e para penale sipas ligjit të ri u shfaqën menjëherë pas miratimit të tij dhe, ndër të tjera, implikuan dy figura të shquara publike që dënuan ofensivën në mediat sociale.

Ekipi i Navalny-t nuk i është trembur luftës ashtu edhe gjykimit të liderit të tij, duke njoftuar se po e rifillonte fondacionin tani si një organizatë ndërkombëtare.

“Korrupsioni vret”, shkruhet në faqen e re elektronike. “Kjo nuk ka qenë kurrë më e dukshme ndërsa qytetet e Ukrainës bombardohen nga Putini. Putini dhe rrethi i tij kanë bërë gjithçka për të qëndruar në pushtet – ata vjedhin, vjedhin dhe vazhdojnë të vjedhin. Të pa kapshëm në mosndëshkimin e tyre, ata nisën luftën”.

"Ne do t'i gjejmë të gjitha pallatet e tyre në Monako dhe vilat e tyre në Majami, dhe kur t'i gjejmë, do të sigurojmë që elita e Putinit të humbasë gjithçka që zotëron," thuhet në deklaratë. "Ne kemi luftuar Putinin që nga viti 2011. Ne do ta luftojmë atë derisa të fitojmë”.

Ekipi i Navalny-t promovoi gjithashtu një kanal të ri që ka nisur në YouTube, Popular Politics, i cili që nga 5 marsi ka tërhequr më shumë se 920,000 abonentë.

Të hënën, ai publikoi një video në YouTube duke pretenduar se Putini zotëron një jaht luksoz prej 700 milionë dollarësh, i cili ndodhet në një port italian. Ekspozimi i ri ka marrë mbi 2.8 milionë shikime deri të martën në mbrëmje. Gazeta New York Times raportoi në fillim të këtij muaji se kapiteni i anijes mohoi që Putini të kishte në pronësi ose të kishte qenë ndonjëherë në jaht.

Mikhail Khodorkovsky, një manjat rus në mërgim i naftës, i cili kaloi një dekadë në burg në Rusi nën akuza që shihen gjerësisht si hakmarrje për sfidimin e sundimit të Putinit, foli të martën me optimizëm për Navalny-n.

“Nëntë vjet dënim për Navalny-n. Megjithatë, çfarë rëndësie ka? Ajo që ka rëndësi është se sa kohë i ka mbetur Putinit. Dhe këtu mendoj se ka disa lajme të mira për Alexei”, shkroi Khodorkovsky në Twitter.

XS
SM
MD
LG