Lidhje

Navalny dënohet me nëntë vjet burg


Jailed Russian opposition leader Alexei Navalny attends a court hearing in Pokrov
Jailed Russian opposition leader Alexei Navalny attends a court hearing in Pokrov

MOSKË (AP) - Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny u dënua për mashtrim dhe mospërfillje të gjykatës dhe u dënua me nëntë vjet burg të martën, në gjykimin që kritikët e Kremlinit e shohin si një përpjekje për ta mbajtur sa më gjatë në burg armikun më të zjarrtë të Presidentit Vladimir Putin.

Një gjykatës vendosi gjithashtu se Alexei Navalny do të duhet të paguajë një gjobë prej 1.2 milionë rublash (rreth 11,500 dollarë). Zoti Navalny mund ta apelojë vendimin.

Alexei Navalny, i cili tashmë po vuan një dënim me 2 vjet e gjysmë burg, ishte akuzuar për përvetësim të parave që ai dhe fondacioni i tij grumbulluan gjatë viteve dhe për fyerje të një gjyqtari gjatë një gjyqi të mëparshëm.

Ai i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato të motivuara politikisht. Prokuroria kishte kërkuar 13 vjet burg të sigurisë maksimale për aktivistin kundër korrupsionit dhe një gjobë prej 1.2 milionë rublash.

Nuk është e qartë nëse Navalny pritet ta vuajë këtë dënim në të njëjtën kohë me dënimin e tij aktual apo pas kryerjes së tij, dhe në cilin objekt të sigurisë maksimale do të transferohet ai dhe kur.

Llogaria e zotit Navalny në Twitter iu përgjigj vendimit me një citim nga seriali televiziv "The Wire": "Nëntë vjet. Epo, siç thoshin personazhet e serialit tim të preferuar televiziv The Wire: ‘Bën vetëm dy ditë. Dita kur hyn dhe dita kur del.’

Madje kisha një bluzë me këtë slogan, por autoritetet e burgut e konfiskuan, duke e konsideruar ekstremizëm printimi”.

Gjyqi, i cili u hap rreth një muaj më parë, u krye në një sallë gjyqi të improvizuar në ambjentet e burgut disa orë larg Moskës, ku Navalny po vuan dënimin për shkelje të lirimit me kusht. Mbështetësit e Navalny-t e kanë kritikuar vendimin e autoriteteve për të zhvendosur procedurat atje nga një gjykatë në Moskë, duke thënë se ajo ka kufizuar në mënyrë efektive qasjen e medias dhe mbështetësve tek procedurat e ndjekura.

Alexei Navalny, 45 vjeç, është paraqitur në seanca i veshur me rroba burgu dhe ka mbajtur disa fjalime të hollësishme gjatë gjyqit, duke i dënuar akuzat kundër tij si false.

Ai u arrestua në janar të vitit 2021 menjëherë pas kthimit të tij nga Gjermania, ku kaloi pesë muaj duke u shëruar nga një helmim për të cilin ai fajësoi Kremlinin, një pretendim që zyrtarët rusë e mohuan me forcë. Menjëherë pas arrestimit, një gjykatë e dënoi atë me 2 vjet e gjysmë burg për shkelje të lirimit me kusht që vinte nga një dënim i vitit 2014 në një rast mashtrimi që zoti Navalny këmbëngul se ishte i motivuar politikisht.

Pas burgosjes së Navalny-t, autoritetet filluan një goditje gjithëpërfshirëse ndaj bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve të tij. Aleatët e tij më të afërt janë larguar nga Rusia pasi u përballën me akuza të shumta penale dhe Fondacioni i tij për Luftën kundër Korrupsionit dhe një rrjet prej gati 40 zyrash rajonale u shpallën të jashtëligjshmee si ekstremistë – një përcaktim që ekspozon personat e përfshirë ndaj ndjekjes penale.

Muajin e kaluar, zyrtarët rusë shtuan Alexei Navalny-n dhe një numër të bashkëpunëtorëve të tij në një regjistër shtetëror të ekstremistëve dhe terroristëve.

Disa çështje penale janë nisur kundër zotit Navalny individualisht, duke bërë që bashkëpunëtorët e tij të sugjerojnë se Kremlini synon ta mbajë atë pas hekurave për aq kohë sa të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG