Kandidatja e Presidentit Joe Biden për Gjykatën e Lartë, Ketanji Brown Jackson, u përball të hënën me seantorët amerikanë në ditën e parë të seancave dëgjimore. Gjasat janë të mëdha që zonja Jackson të marrë konfirmimin, duke u bërë gruaja e parë afrikano-amerikane që shërben në gjykatën më të lartë amerikane.
Një ditë historike për gykatën më të lartë amerikane, ndërsa gjykatësja 51-vjeçare përballet me pyetje nga senatorët amerikanë, në përpjekje për t’u bërë gruaja e parë afrikano-amerikane që do të shërbejë në Gjykatën e Lartë.
Me praninë tuaj, ju po shkruani një faqe të re në historinë e Amerikës, një faqe të mirë. Është shumë e rëndësishme se kë kandidon presidenti dhe se kë vëndos të konfirmojë Senati në gjykatën federale dhe kryesisht në gjykatën më të lartë të vendit. Populli amerikan, ata që na zgjedhin ne dhe besimi i tyre tek gjykatat, kjo është thelbësore për demokracinë tonë”, tha Senatori demokrat Patrick Leahy.
Demokratët e kanë vlerësuar zonjën Jackson, duke thënë se ajo sjell larminë tejet të nevojshme në gjykatë. Ajo ka një histori mbresëlënëse, duke filluar nga Universiteti Harvard e deri tek detyra si avokate për të varfërit.
“Do të punoj gjithmonë për të mbështetur dhe mbrojtur Kushtetutën dhe këtë eksperiment madhështor të demokracisë amerikane, që u ka rezistuar 246 viteve të fundit. Kam afro një dekadë që jam gjykatëse dhe e ndjej veten shumë përgjegjëse për këtë dhe detyrën time për të qënë e pavarur”, tha Ketanji Brown Jackson, kandidate për Gjykatën e Lartë.
Nga ana tjetër, republikanët i shqetëson e kaluara e saj, duke përfaqësuar të ndaluarit në Guantanamo. Ata thonë se disa nga vendimet e gjykatëses tregojnë anësi kundër zbatuesve të ligjit. Përqendrimi tek raca e zonjës Jackson, thonë ata, ishte hipokrizi.
“.....Në fund të fundit, kur bëhet fjalë për filozofi, kur dikush me ngjyrë është në anën tonë, atëherë ne të gjithë dalim racistë nëse bëjmë pyetje të vështira”, tha Senatori republikan Lindsey Graham.
Ai shtoi se Demokratët në të kaluarën kishin kundërshtuar emërime të afrikano-amerikanëve të bëra nga republikanët, duke pretenduar se kundërshtimin e bënin në emër të filozofisë politike dhe ligjore.
Mbështetësit e zonjës Jackson, të mbledhur jashtë Gjykatës së Lartë të hënën, thanë se votimi për emërimin e saj nuk duhet të ketë të bëjë me politikën apo racën.
“Dua t'u kërkoj senatorëve që të votojnë për atë që mendojnë se është e drejtë. Ajo është mëse e kualifikuar. Ajo gëzon integritetin që kërkohet të ketë një kandidate për Gjykatën e Lartë. Gjëja e duhur për të bërë është të votoni për Ketanji Brown Jackson, sepse ajo është e ardhmja”, tha Erin Jackson Hill me organizatën “Stand Up Alaska”.
Por çështjet sociale, si e drejta e abortit, kanë polarizuar konfirmimet e kandidatëve të fundit për Gjykatën e Lartë, gjë që mund të ndodhë përsëri.
Zonja Jackson nuk pritet të marrë asnjë votë republikane në Komisionin Juridik të Senatit, ndërsa seancat dëgjimore përfundojnë këtë javë. Por ajo mund të konfirmohet nga Senati i plotë, me apo pa mbështetjen e republikanëve, për aq kohë sa të gjithë senatorët demokratë e mbështesin atë.