Lidhje

SHBA: Rusia ende nuk ka epërsi ajrore dominuese në Ukrainë


Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes thotë se fprcat ajrore ruse kanë rritur numrin e fluturimeve me avionë ushtarakë mbi Ukrainë gjatë dy ditëve të fundit, duke bërë deri në 300 fluturime në 24 orët e fundit. Zyrtari tha të hënën se Ukraina ka rritur gjithashtu ritmin e fluturimeve të saj ushtarake, por nuk pranoi të jepte numra.

Zyrtarët e kanë bërë të qartë se Rusia ka shumë më shumë avionë dhe kryen më tepër fluturime se sa Ukraina, por se Rusia ende nuk ka superioritet ajror në këtë vend.

Zyrtari tha se shumica e fluturimeve ushtarake përfshijnë sulme ajër-tokë, kryesisht në objektiva statike, dhe se avionët rusë nuk po kalojnë shumë kohë në hapësirën ajrore të Ukrainës. Ushtria e Ukrainës ka vazhduar të përdorë sistemet e saj të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër dhe të gjatë veprimi dhe dronët për të shënjestruar aeroplanët rusë.

Rusët kanë rritur gjithashtu aktivitetin detar në veri të Detit të Zi, por në këtë pikë nuk ka shenja për një sulm amfib në Odesa. Zyrtari amerikan foli në kushte anonimiteti.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit evropianë me të cilët zhvilloi një takim virtual të hënën diskutuan mbi shqetësimet e tyre në lidhje me taktikat e Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë sulmet ndaj civilëve dhe nënvizuan mbështetjen e vazhdueshme me ndihma humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Ata gjithashtu biseduan për mbështetjen e përpjekjeve diplomatike të Ukrainës për të arritur një armëpushim. Presidenti Biden bisedoi me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë. Këta udhëheqës do të takohen sërish më vonë këtë javë në Bruksel për të diskutuar zhvillimet në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG