ATHINË - Greqia ka ofruar të rindërtojë maternitetin e bombarduar në qytetin ukrainas Mariupol. Sulmi i forcave ruse vrau një grua shtatzënë dhe fëmijën e saj, plagosi dhjetëra të tjerë, dhe shkaktoi zemërim në mbarë botën.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e njoftoi këtë iniciativë pasi zhvilloi bisedime me homologët e tij nga Italia, Spanja dhe Portugalia. Të treja këto vende shtrihen përgjatë bregut jugor të Bashkimit Evropian, dhe së bashku me Greqinë, po përballen me vështirësi me pasojat e ofensivës së Rusisë në Ukrainë.
Duhet të marrim në shqyrtim forcimin e Bashkimit Evropian dhe pasojat nga kriza energjitike me të cilën po përballemi tashmë, tha zoti Mitsotakis të premten. Si anëtarë të NATO-s, shtoi ai, duhet të marrim gjithashtu në konsideratë rritjen e buxheteve për mbrojtjen.
Ndërsa kryeministri grek u shpreh i revoltuar nga sulmi i Rusisë, ai gjithashtu theksoi nevojën për të mos humbur kohë për rindërtimin e Ukrainës së rrënuar nga lufta, në veçanti qytetin Mariupol, ku gjenden të paktën 100 mijë grekë etnikë - një ndër komunitetet më të mëdha të trashëgimisë greke në vende të tjera.
Ky nuk është thjesht një qytet me një prani të fortë greke, tha zoti Mitsotakis, por edhe një qytet që është shndërruar në simbol të rezistencës ndaj agresionit të Rusisë. Megjithëse vendimi ynë për të rindërtuar maternitetin mund të duket si një gjest i vogël, një detyrë e rëndësishme do të jetë rindërtimi i Ukrainës sapo të përfundojë kjo luftë, që shpresojmë së shpejti, shtoi ai.
Mijëra grekë etnikë kanë qënë në Mariupol që në shekullin e 18-të. Disa versione e shtrijnë origjinën historike deri në shekullin e 6-të para erës së re, një vazhdimësi që u rrezikua muajin e kaluar kur një karvan që evakuonte grekët u godit. 10 persona u vranë.
Kremlini mohoi përfshirjen e forcave ruse dhe fajësoi luftëtarët ukrainas.
Sidoqoftë, incidenti i rëndë ka përkeqësuar marrëdhëniet tradicionale miqësore mes Athinës dhe Moskës. Ka ndryshuar gjithashtu ndjesia e publikut në Athinë. Shumica mbështesin tashmë Ukrainën, përkundër Presidentit rus Vladimir Putin, për të cilin në të shkuarën grekët kanë patur admirim.
Athina ka dhuruar rreth 40 tonë armë automatike kallashnikovë dhe armë anti-tank për të ndihmuar luftëtarët ukrainas. Ka mikpritur gjithashtu mijëra refugjatë ukrainas me prejardhje greke, duke i ftuar madje të aplikojnë për rreth 50 mijë vende pune në sektorët e turizmit dhe bujqësisë.
Megjithatë, kjo mbështetje aktive për Ukrainën e ka lënë Greqinë të ekspozuar ndaj pasoja të mëtejshme financiare, këtë herë ndaj sektorit më fitimprurës të ekonomisë së saj: turizmit.
Megjithëse ka qenë deri më tani një destinacion jashtëzakonisht popullor për rusët gjatë stinës së verës, Kremlini po udhëzon tashmë të mos udhëtohet drejt Greqisë. Për këtë vit, Greqia priste të vizitohej nga rreth 500 mijë turistë rusë. Megjithëse kjo shifër mund të duket si një pjesë shumë e vogël, krahasuar me 34 milionë vizitorë që hynë në Greqi në vitin 2019, Greqia është munduar shumë gjatë pandemisë që t'i ruajë këto shifra.
Por, zyrtarët thonë se është një humbje që Greqia duhet ta përballojë për të shpëtuar trashëgiminë e saj, edhe nëse çmimi është i lartë.