Lidhje

Familjet ukrainase gjejnë strehë në Itali


Refugjatët ukrainas mirëpriten në komunën Belmonte, Itali
Refugjatët ukrainas mirëpriten në komunën Belmonte, Itali

Në rrugicat e qeta të një fshati të vogël italian në Apenine, rreth një orë larg me makinë nga Roma, dy gra ukrainase që iu larguan luftës së bashku me fëmijët e tyre të mitur, kanë gjetur më në fund paqe, falë një çifti vendas që i strehoi.

Tania, 30 vjeç, dhe Katia 33, iu larguan Lvivit pak ditë pas fillimit të luftës, ndërsa burrat e tyre qëndruan atje.

Pas tre ditësh rrugëtimi, ato mbërritën në komunën Belmonte, ku nëna e tyre Halyna kujdesej për nënën e pronarit të një moteli, i cili vendosi të gjithë objektin në dispozicion të tyre.

Rreth 2 mijë kilometra larg shtëpisë, ata kanë mundesi tashmë të përgatisin të qeta një shishe qumështi për fëmijët e tyre.

Në ditën e gjashtë që kur presidenti (rus) Putin filloi këtë luftë, ne vendosëm të largoheshim nga atdheu ynë sepse kishim frikë, jo për veten, por për fëmijët”, tha Tania, e cila ka studiuar drejtësi dhe gjendet në Itali me vajzën e saj Anna, 5 vjeç, dhe djalin Matviy, i cili pas pak ditësh mbush 1 vjeç.

Djali i vogël do të festojë ditëlindjen larg vendit të tij dhe pa babanë e tij Vladimirin, i cili qëndroi për t’u rezistuar forcave ruse.

Burrat e këtyre grave nuk po luftojnë ende, por janë duke u stërvitur për t'u përballur me ushtrinë ruse kur ajo të arrijë në qytetin e tyre.

"Kur rusët të vijnë në qytetin tonë, ne do të bëjmë gjithçka, gjithçka për të mbrojtur qytetin tonë, vendin tonë", thotë Tania.

Katia përpiqet të jetë gjithnjë e mirëinformuar për zhvillimet.

Fola sot me burrin dhe motrën time që janë brenda qytetit Lviv dhe ata thanë se ishin shumë, shumë të frikësuar sepse mbrëmë hynë në bodrum dhe dëgjonin bombardime të shumta”, thotë Katia.

Ajo punonte në Lviv në një restorant McDonald's, është e martuar me Olegun dhe u largua së bashku me djalin e saj katërvjeçar Maksimin.

Dy gratë dhe fëmijët e tyre udhëtuan me makinë deri në kufirin hungarez.

Që andej vazhduan me tren, kaluan kufirin për në Budapest, vazhduan drejt Vjenës dhe më në fund arritën në Romë, ku u pritën nga Giacomo dhe gruaja e tij Patrizia.

Tania thotë se është mirënjohëse për të gjithë vullnetarët që i ndihmuan në fshatrat e ndryshëm nëpër të cilët kaluan, për ata që i mirëpritën dhe gjithashtu për banorët e Belmontes dhe fqinjët e tyre, me të cilët tashmë janë bërë miq.

"Ndoshta nuk është më i miri në botë, por gjëja e parë që më erdhi në mendje është t'ua vë në dispozicion. Pastaj do të shohim", thotë Giacomo për objektin në pronësi të tij.

Gratë ukrainase dhe fëmijët e tyre i kalojnë ditët e tyre të qeta në këtë fshat, i cili nuk ka dyqane ushqimesh apo kafene, dhe ka vetëm rreth 50 banorë.

Ato përgatisin ushqim për fëmijët e tyre, luajnë me ta, shikojnë video në internet së bashku dhe i çojnë me autobus në Rieti, qyteti më i afërt.

Tania i tha vajzës së saj se arratisja ishte një udhëtim për të vizituar gjyshen e saj.

Në fillim vajza ishte shumë entuziaste, por tani ka filluar t'i mungojë babai, miqtë, shkolla dhe vendi i saj.

Herë pas here vajza pyet se kur do të kthehen në Ukrainë, por ajo ende nuk është mërzitur plotësisht me qëndrimin e tyre në Itali pasi kanë shumë hapësirë për të luajtur dhe shumë lodra të reja.

Besojmë se e ardhmja jonë do të jetë që të kthehemi në shtëpi dhe së bashku do të ngremë një jetë të re, do të përtërisim jetën ekonomike, do ta rindërtojmë vendin, e ardhmja jonë do të jetë paqësore si më parë”, thotë Katia.

Tania është e bindur se lufta do të përfundojë dhe ashtu si Katia, dëshiron të kthehet së shpejti në shtëpi. Ajo ka filluar sidoqoftë të mendojë për ta regjistruar vajzën e saj në shkollë në Itali, nëse konflikti vazhdon.

Aktualisht janë pothuajse 58 mijë ukrainas, përfshirë rreth 22 mijë të mitur, të cilët u larguan nga vendi i tyre dhe gjenden në Itali.

XS
SM
MD
LG