Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield i cilësoi si shqetësuese njoftimet për marrjen me forcë të mijëra banorëve të qytetit të Mariupolit dhe dërgimin e tyre në Rusi.
Gjatë një interviste të dielën për rrjetin televiziv CNN, zonja Thomas-Greenfield tha se Shtetet e Bashkuara nuk i kishin konfirmuar ende pretendimet e bëra të shtunën nga këshilli i qytetit të Mariupolit përmes platformës Telegram.
"I kam dëgjuar këto njoftime, por nuk mund t'i konfirmoj", tha ajo. "Por mund të them se është shqetësuese dhe e gabuar që Rusia të detyrojë qytetarët ukrainas të shkojnë në Rusi e t'i fusë ata praktikisht në ato që do të jenë kampe përqendrimi apo të burgosurish", shtoi ambasadorja.
Të shtunën autoritetet e Mariupolit njoftuan se me mijëra banorë ishin marrë me forcë nga shtëpitë e tyre.
"Gjatë javës së kaluar, disa mijëra banorë të Mariupolit janë dërguar në territorin rus", thuhej në një deklaratë të këshillit të qytetit të Mariupolit. “Okupatorët morën ilegalisht njerëzit nga Livoberezhny dhe nga godinë sportive, ku strehoheshin më shumë se një mijë persona, kryesisht gra dhe fëmijë”.
“Është e vështirë të imagjinohet se si në shekullin e 21-të njerëzit mund të çohen me forcë në një vend tjetër”, thuhej në deklaratën e kryetarit të bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko.
"Ajo që pushtuesit po bëjnë sot është diça e njohur për brezin e vjetër, i cili pa ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore, kur nazistët i merrnin njerëzit me forcë", tha zoti Boichenko.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij të mbrëmjes se ajo që po ndodh sjellja në Mariupol do të hyjë në histori si një krim lufte.
Zoti Zelenskyy ka bërë thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse paqejeje me Moskën.
“Ka ardhur koha për një takim, është koha për të biseduar”, tha zoti Zelenskyy. “Ka ardhur koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë të tilla që do t'u duhen disa breza për të rikuperuar”, shtoi ai.
Apeli i zotit Zelenskyy për një raund tjetër bisedimesh erdhi një ditë pasi negociatori kryesor i Rusisë tha se palët janë afruar më pranë marrëveshjes lidhur me çështjen e heqjes dorë nga Ukraina prej qëllimit të saj për t'u anëtarësuar në NATO.
Negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak shkruante në Twitter se pozicionet e Kievit janë të pandryshuara, duke përmendur kërkesën për armëpushim, tërheqje të trupave ushtarake ruse dhe garanci të forta sigurie, shoqëruar me një formulë konkrete.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë bërë ende të ditur numrin e të vdekurve pas një sulmi me raketa ruse të premten në një bazë ushtarake ndërsa ushtarët po flinin në kazerma tashmë të shkatërruara plotësisht. Baza ndodhet në qytetin jugor të Ukrainës Mikolaiv.
“Nuk na lejohet të themi asgjë sepse operacioni i shpëtimit nuk ka përfunduar dhe familjet nuk janë njoftuar të gjitha”, tha zëdhënësja e ushtrisë Olga Malarchuk për agjencinë France-Presse.
Një ushtar i tha agjencisë (AFP-së) se ishin gjetur 50 trupa, ndërsa një tjetër tha se nën rrënoja mund të ketë rreth 100 persona të vdekur.
Qyteti i Mikolaivit ndodhet 130 kilometra larg portit strategjik ushtarak të Odesës.
Forcat ushtarake të Rusisë goditën edhe një shkollë arti në Mariupol ku strehoheshin rreth 400 persona. Këshilli i qytetit thanë të dielën se ndërtesa ishte shkatërruar tërësisht. Ende nuk ka informacion mbi numrin e viktimave dhe të mbijetuarve.
Më 24 shkurt, Rusia nisi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, duke ndezur një konflikt që ka shkaktuar që nga 19 marsi vdekjen e më shumë se 900 civilëve dhe afro 1500 të tjerëve të plagosur , sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut.