Lidhje

Rusia pretendon se ka përdorur raketa hipersonike në Ukrainë


Një avion luftarak rus MiG-31 përpara fluturimit me raketën hipersonike Kinzhal gjatë një stërvitjeje më 19 shkurt 2022.
Një avion luftarak rus MiG-31 përpara fluturimit me raketën hipersonike Kinzhal gjatë një stërvitjeje më 19 shkurt 2022.

Rusia tha të shtunën se kishte përdorur raketat hipersonike Kinzhal për të shkatërruar një depo të madhe armësh në rajonin Ivano-Frankivsk, në pjesën perëndimore të Ukrainës.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax tha se ishte hera e parë që Rusia vuri në përdorim sistemin hipersonik Kinzhal, që kur dërgoi trupat e saj në Ukrainë më 24 shkurt.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha në një konferencë për shtyp se depoja nëntokësore e goditur nga raketat Kinzhal të premten kishte të magazinuara raketa dhe municione të avionëve ukrainas, thuhet në një regjistrim të konferencës të shpërndarë nga agjencitë ruse të lajmeve.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur deklaratat e zotit Konashenkov.

Një zëdhënës i komandës së forcave ajrore të Ukrainës konfirmoi një sulm me raketa ruse në Delyatyn në rajonin Ivano-Frankivsk të premten, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Rusia krenohet me armatimin e saj të avancuar dhe presidenti Vladimir Putin tha në dhjetor se Rusia kryeson në botë për raketat hipersonike. Shpejtësia, manovrimi dhe lartësia e këtyre raketave e bëjnë të vështirë gjurmimin dhe interceptimin e tyre.

Raketat Kinzhal janë pjesë e një serie armësh të bëra publike në vitin 2018.

Zoti Konashenkov shtoi të shtunën se forcat ruse kishin shkatërruar gjithashtu qendra ushtarake të ndërlidhjes dhe zbulimit pranë qytetit port ukrainas Odessa, duke përdorur sistemin bregdetar të raketave Bastion.

Moska i referohet veprimeve të saj në Ukrainë si një "operacion special" për të dobësuar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të goditur ata që i quan nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase kanë bërë një rezistencë të ashpër dhe vendet perëndimore kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë në një përpjekje për ta detyruar të tërheqë forcat e saj.

XS
SM
MD
LG