Ministri i mbrojtjes i Sllovakisë, anëtare e NATO-s, tha të enjten se vendi i tij do të ishte i gatshëm t'i siguronte Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë S-300 në kushte të caktuara.
Ministri i Mbrojtjes Jaroslav Naj tha se çështja është ende në diskutim, gjatë një konference shtypi në Bratislavë me Sekretarin amerikan të Mbrotjes Lloyd Austin.
Sistemet e mbrojtjes kundërajrore të epokës sovjetike përdorin raketa me rreze të gjatë veprimi që janë të afta të fluturojnë qindra milje dhe të rrëzojnë raketa në ajër, si dhe avionë luftarakë.
Ato mund të jenë të dobishme në pengimin e sulmeve ajrore ruse në Ukrainë.
Zoti Naj tha se një transferim i tillë do të ishte i mundur nëse vendi i tij merr një "zëvendësim të duhur" për sistemet e tij S-300-të ose nëse Sllovakia merr një "aftësi të garantuar për një periudhë të caktuar kohore".
Ai theksoi se nuk mund t'i transferonte me përgjegjësi sistemet S-300 në Ukrainë në një mënyrë që do të linte një boshllëk në mbrojtjen e vendit të tij.
Ai tha se Sllovakia është e hapur për të bërë një marrëveshje që e mbron vendin e tij kundër kërcënimeve ajrore për një kohë të caktuar nëse Bratisllava dërgon në Ukrainë sistemet S-300.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin nuk pranoi të thoshte nëse Pentagoni ishte në gjendje t'i siguronte Sllovakisë një zëvendësim për sistemin e saj raketor S-300.
“Këto janë gjëra për të cilat ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë aleatët tanë, dhe sigurisht kjo nuk është vetëm një çështje e Shteteve të Bashkuara, por e gjithë aleancës së NATO-s”, tha ai.