Në javët para se të urdhëronte sulmin ndaj Ukrainës, Presidenti Vladimir Putin shkoi në Kinë për një takim me Presidentin Xi Jinping, në të cilin ata nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi duke bashkërenduar stategjitë e tyre përballë sfidave për influencë globale mes demokracive perëndimore dhe shteteve autoritare në rritje.
Tani, nuk është plotësisht e qartë se Kina e dinte se në çfarë bashkëpunimi po hynte.
Tre javë pasi Presidenti Xi vendosi emrin e tij në dokumentin që deklaronte se miqësia midis Rusisë dhe Kinës "nuk ka kufij" dhe "nuk ka fusha "të ndaluara bashkëpunimi", agresioni i Putinit në Ukrainë e ka kthyer Rusinë në një vend të padëshiruar në arenën ndërkombëtare, duke u përballur me sanksione dhe dënime shkatërruese nga e gjithë bota.
Litari i shkurtër diplomatik
Nga ana e tyre, diplomatët kinezë janë përpjekur të ecin në një litar të shkurtë, duke bërë deklarata për rëndësinë e paqes dhe respektimin e integritetit territorial të vendeve të tjera, duke shmangur me kujdes çdo përmendje të faktit se ishte aleati i ngushtë i Kinës ai që nisi luftën e përgjakshme në Ukrainë.
Duke shkruar në Washington Post të martën, ambasadori i Kinës në SHBA, Qin Gang, këmbënguli se vendi i tij ishte zënë në befasi nga sulmi. Ai anashkaloi pyetjen nëse Rusia ka kërkuar armë dhe furnizime të tjera nga Kina, siç kanë raportuar një sërë mediash.
Qendrimi i Kinës për Ukrainën, shkroi ai, është se “qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së duhet të respektohen plotësisht; sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve, duke përfshirë Ukrainën, duhet të respektohen; shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të merren seriozisht; dhe të gjitha përpjekjet që janë të favorshme për zgjidhjen paqësore të krizës duhet të mbështeten.”
Distancim i lehtë
Ndërsa Kina nuk mund të thuhet se është distancuar nga Rusia për shkak të sulmit, komentet e udhëheqësve të saj të lartë gjithashtu nuk kanë arritur të mbështesin veprimet e Presidentit Putin. Kjo sipas analistëve, mund të pasqyrojë një dëshirë për të ruajtur marrëdhëniet me Moskën pa dëmtuar reputacionin e Kinës me pjesën tjetër të botës.
“Kjo marrëveshje e re e partneritetit që Putini dhe Xi nënshkruan më 4 shkurt, sigurisht që ngriti mundësinë që Kina të gjykohet fajtore nga shoqëria, pasi kjo luftë është ndezur”, i tha Zërit të Amerikës Stephen Roach, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Çështjeve Globale të Universitetit Yale.
Timothy Heath, një studiues i ndërkombëtar për mbrojtjen në Korporatën RAND me qendër në Kaliforni, i tha Zërit të Amerikës me email se dëshira për të mbajtur marrëdhënie të mira me Perëndimin mund të ndikojë në gatishmërinë e Kinës për të ofruar ndihmë për Rusinë ndërsa konflikti vazhdon.
"Nuk besoj që Kina të ndryshojë së shpejti qëndrimin e saj pro-rus, por të paktën do kufizojë ndihmat që i jep Rusisë për të ruajtur marrëdhënie të mira me Perëndimin. Perendimi është më i rëndësishëm për ekonominë e Kinës sesa Rusia”, shkroi ai.
Rezultate të papritura
Ekspertët thonë se pavarësisht nëse Kina e dinte apo jo se çfarë po ndodhte në Ukrainë, udhëheqësit e saj ndoshta shpresonin se lufta do të mbaronte shpejt.
“Ndoshta Pekini shpresonte për një operacion të shkurtër dhe të shpejtë, përmes të cilit ushtria ruse do mposhte forcat ukrainase dhe do të aneksonte pjesën lindore të vendit në të njëjtën mënyrë si Krimene në 2014," tha Anthony Saich, profesor i Çështjeve Ndërkombëtarëve dhe drejtor i Qendrës Ash për Qeverisje Demokratike dhe Inovacion të Universitetit të Harvardit.
"Në atë skenar, zemërimi i Perëndimit do ishte shuar shpejt dhe Kina do të vazhdonte të ndërtonte frontin e bashkuar me Rusinë kundër një Perëndimi në rënie dhe të përçarë," i tha ai Zërit të Amerikës. "Rezistenca e forcave dhe popullit ukrainas i dha fund atij iluzioni dhe përgjigjja e bashkuar dhe e fortë e Perëndimit i ka ndryshuar llogaritë."
Nga ana tjeter, zoti Roach thotë se Kina ka më shumë mundësi për të bindur Rusinë se çdo qeveri perëndimore.
"Kina është në një pozicion unik të marrëveshjes së saj të re të partneritetit me Rusinë për të ushtruar ndikim mbi Vladimir Putinin”, tha ai, “sidomos pas sanksioneve të rënda të vendosura nga SHBA dhe Perëndimi”.
“Putini nuk ka ndryshuar qëndrim pas sanksioneve të ashpra, gjë që e ka habitur Perendimin. Por Kina ka diçka që Perëndimi nuk e ka, një influencë që vjen nga ky partneritet i vendosur rishtas. Rusia është ekonomi e vogël, ajo nuk mund të perballojë një luftë masive ushtarake kundër një vendi si Ukraina dhe nuk ka mjetet për t’ia dalë mbanë.”
Robert Ross, profesor i shkencave politike në Universitetin e Bostonit dhe bashkëpunëtor në Qendrën Fairbank për Studimet Kineze të Harvardit, tha se Shtetet e Bashkuara mund ta joshin Kinën që të ndërhyje më me force ndaj Rusinë.
“Amerika duhet të gjejë një mënyrë si t’i sinjalizojë Kinës se një qëndrim i tillë nuk do harrohet”.