Kur qeveria ukrainase bëri një thirrje ndërkombëtare për luftëtarë kibernetikë, një drejtues i lartë në Luginën e Silikonit iu përgjigj thirrjes. Skenat e tmerrit në Ukrainë kanë nxitur shumë shtetas të huaj të rreshtohen përkrah ushtrisë ukrainase.
Vullnetarë të tjerë po u bashkohen përpjekjeve të luftës dixhitale që mbikëqyret nga ministri i transformimit dixhital të Ukrainës.
Genadi Galanter është një prej tyre. I lindur në Ukrainë, tani ai jeton në Kaliforni dhe drejton një kompani teknologjie në Luginën e Silikonit. Ai thotë për Zërin e Amerikës se çdo ditë kontrollon për të parë nëse ka misione që dikush me aftësitë e tij teknologjike mund të përmbushë.
“Ata hartojnë një listë dhe ofrojnë mundësi – kode kibernetike që ne mund t'i përdorim nga distanca”.
Objektivi i sotëm është një medium i qeverisë ruse, dhe arma, është ajo që hakerët e quajnë sulm duke bllokuar shërbimin.
“Është një gazetë, “kp.ru”. Kjo është makineria e tyre propagandistike. Gazeta shkruan se ka gjithnjë e më shumë prova se përmes Operacionit Special, Rusia po shpëton botën. Le ta bllokojmë. Kodet kibernetike po e bombardojnë faqen e internetit. Nuk po hapet. Tashmë doli jashtë loje”.
Këto sulme janë të përkohshme, por zoti Galanter thotë për Zërin e Amerikës se qëllimi është tërheqja e vëmendjes së qytetarëve rusë.
“Do ta vështirësojë jetën e njerëzve në Rusi duke u bllokuar një pjesë të punës. Po përpiqemi t’u tërheqim vëmendjen që të bëjnë diçka. Po u themi është presidenti juaj dhe bëni diçka”.
Zoti Galanter u rrit në qytetin Odesa, buzë Detit të Zi. Ai shkon atje shpesh për punë dhe ishte atje në shkurt kur ushtria ruse filloi sulmin.
“Shkova tek varri i nënës dhe një mendje më thoshte të rrija atje”.
59-vjeçari mendoi t’i bashkohej ushtrisë ukrainase.
“Kam një vajzë, gruan dhe kompaninë time. Ndaj, nuk mund të rrija atje dhe të luftoja”.
Zoti Galanter thotë se njerëzit që ai njeh në Rusi kanë qasje vetëm tek informacionet që ofron Kremlini për luftën. Synimet e tij për të ardhmen janë që të forcojë sigurinë kibernetike të Ukrainës dhe gjetja e një mënyre për të ofruar lajme të vërteta për rusët.
“Drejtuesit e teknologjisë mund të bëjnë shumë pa qënë në Ukrainë. Jam një patriot dhe po mundohem të bëj diçka”.