Lidhje

Luftime të ashpra pranë Kievit dhe në qytete të tjera të Ukrainës


Luftime të ashpra po zhvillohen të shtunën në veriperëndim të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës, dhe në disa qytete të tjera. Sipas njoftimeve trupat ruse janë grumbulluar 25 kilometra larg kryeqytetit.

Gjatë natës janë dëgjuar sirena që njoftonin banorët për sulme ajrore.

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se ka shkatërruar një bazë ajrore ukrainase pranë qytetit të Vasilkivit. Një depo municioni aty pranë u tha gjithashtu se ishte shkatërruar.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se të shtunën forcat ruse bombarduan një xhami në Mariupol, ku ishin strehuar 80 persona. Disa prej atyre që ndodheshin në xhami mendohet se ishin nga Turqia.

Disa korridore humanitare janë planifikuar të hapen të shtunën, duke u siguruar banorëve një kalim të sigurt për t'i shpëtuar dhunës në Kiev, Sumi e rajone të tjera.

Rusia e ka zgjeruar luftën e saj në Ukrainë duke vendosur nën shënjestër zonat në perëndim të vendit dhe duket se po rigrupon trupat pranë Kievit. Këto zhvillime vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po rrisin sanksionet ndaj Moskës.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti duke iu referuar informacioneve të zbulimit, konfirmoi se Rusia kishte nisur të godiste rajonat në perëndim të Ukrainës, sikurse aeroporte ushtarake që ndodhen në Lutsk dhe Ivano-Frankivsk të premten. Që nga fillimi i sulmit forcat ruse kanë lëshuar më shumë se 800 raketa duke goditur objektiva të ndryshëm në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG