Lidhje

Protesta në Tiranë kundër shtrenjtimit të tregjeve. Qeveria publikon Paketën me 7 pika të Rezistencës Sociale


Mijëra qytetarë nga gjithë Shqipëria protestuan sot në kryeqytet kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve, duke fajësuar qeverinë për nënvlerësim të mbikëqyrjes së tregjeve.

Tiranë, vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Protesta vazhdoi sot në të katërtën ditë që kur qeveria deklaroi se tregjet u goditën nga efektet e luftës në Ukrainë dhe se nuk mund të ndërhynte në luhatjet e tregut, ku çmimet e karburanteve u rritën me afro 40 për qind brenda pak kohe.

Qytetarët u mblodhën edhe sot në përgjigje të njoftimeve përmes rrjeteve sociale, ndërsa folësit kryesorë theksuan se protesta nuk po përdorej për ndikime politike në shërbim të ndonjë partie politike.

Tubimi nisi në sheshin Skënderbej dhe u zhvendos përgjatë shëtitores Dëshmorët e Kombit para kryeministrisë, ku mikrofonin e morën pa asnjë kufizim shumë veprimtarë dhe qytetarëve nga zona dhe grupime të ndryshme interesi.

Shumë prej tyre kishin dalë familjarisht edhe me fëmijët e tyre, ndërsa fjalimet theksonin shtrenjtimet e lëndëve bazë të jetesës, ushqime dhe karburante, që kanë sjellë një rritje zinxhir të çmimeve.

Në të njëjtën kohë me protestën qeveria ishte në një mbledhje ku miratoi Aktin Normativ, përmes të cilit vendos një normë dhe monitoron çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.

Akti Normativ ligjëroi mbledhjen e parë të Bordit të Transparancës për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë e pakicë të naftës dhe gazit.

Qeveria bëri të ditur vendimin se në tre ditët e ardhshme gazoili dhe benzina do të shiten 217 lekë/litri, ndërsa gazi do të jetë 93 lekë/litri.

Vendimi i Bordit të Transparencës është detyrueshëm për zbatim për çdo shitës me shumicë dhe pakicë të këtyre produkteve, përndryshe do të zbatohen ndëshkimet e parashikuara.

Kryeministri Edi Rama tha se i vinte turp që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s dhe i Europës, ku protestohet për pasojat e para të luftës në Ukrainë. “Kërcimi i lartë i çmimit të naftës është pasojë e luftës dhe këtë e mohojnë vetëm ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë”, tha Rama.

Rama prezanton paketën e ndërhyrjeve për përballimin e rritjes së çmimeve

Kryeministri Rama prezantoi pasdite paketën e ndërhyrjeve për të përballuar goditjen e rritjes së çmimeve, ose siç ai e quajti, Paketën e Rezistencës Sociale që përbëhet nga 7 pika.

Qeveria do të indeksojë pensionet, duke vënë në dispozicion 36 milionë dollarë. Ndërkohë që për kategoritë më të prekura të pensionistëve, dhe shtresave në nevojë, ose 437 mijë përfitues, qeveria do të ofrojë për tre muaj rresht një shumë prej 3 mijë lekësh në muaj, për të kompensuar rritjen e çmimeve të shportës.

Një tjetër mbështetje, prej afro 19 milionë dollarësh shkon për fermerët, duke rritur fondin e kompensimit për çmimin e naftës, të cilin ata e marrin të zhveshur nga taksat. Ndërsa një shumë prej 5 milionë dollarësh do të vihet në dispozicion për të kompensuar çmimin e biletës së transportit publik.

Nga ana tjetër qeveria do të afrojë me dy muaj, ndryshimet në taksën mbi të ardhurat, që parashikon zerimin e saj mbi të ardhurat për ata me pagë mujore prej 40 mijë lekësh, përgjysmimin e taksës për pagat deri në 50 mijë lekë, dhe uljen e taksës për pagat nga 150 mijë deri 200 mijë lekë në muaj.

Në të njëjtën kohë do të hyjë në fuqi rritja e pagës minimale me 2 mijë lekë, nga 30 në 32 mijë lekë në muaj.

Ndërsa një shumë prej 200 milionë dollarësh do të derdhet menjëherë për të mbuluar çmimin e energjisë elektrike.

Krahas protestave në kryeqytet, Shqipëria është përfshirë prej katër ditësh nga një seri protestash në pothuaj gjithë qytetet më të mëdha si dhe në komunitete më të vogla, ku çmimet e rritura cënuan drejtpërdrejt ekonominë familjare për çdo product të shportës bazë ushqimore.

XS
SM
MD
LG