Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se më shumë se 1.2 milionë refugjatë ukrainas kanë shkuar në Poloni që nga fillimi i ndërhyrjes ruse. Ekipi i gazetarëve të Zërit të Amerikës bisedoi me disa refugjatë që sapo kishin arritur në stacionin hekurudhor të qytetit Krakow dhe vullnetarët që po i ndihmojnë ata të sistemohen.
Mijëra refugjatë ukrainas vazhdojnë të mbërrijnë në stacionin qendror hekurudhor në Krakow të Polonisë.
“Vijmë nga Kharkivi i Ukrainës. Ka dy javë që njerëzit jetojnë në një ferr total”.
Alexandra dhe familja e saj u larguan pas fillimit të bombardimeve. Udhëtimi drejt Polonisë zgjari 31 orë. Ajo ndjehet e shqetësuar për ata që ka lënë pas dhe çfarë e pret në të ardhmen.
“Të afërmit e mi qëndruan në Ukrainë. Gjyshërit nuk mund të shkojnë askund. Është shumë e frikshme të jetosh nën bombardime, njerëzit nuk kanë as ujë”, thotë për Zërin e Amerikës Alexandra, refugjate nga Ukraina.
Situata e rëndë ka detyruar më shumë se 2 milionë ukrainas të largohen nga vendi i tyre, sipas Kombeve të Bashkuara. Numri vazhdon të rritet. Vullnetarët, si Albert Riera, dëgjojnë historitë e tyre çdo ditë.
“Disa refugjatë tregojnë se nuk e dinë nëse shtëpitë e tyre janë kthyer në gërmadha. Po shoqëroja një grua dhe kur e pyeta për valixhet, ajo më tha se nuk kishte asgjë”.
Me aq sende sa kanë mundur të marrin me vete, refugjatët ukrainas në stacionin e trenit në Krakow luten për fundin e luftës. Vullnetarët i ndihmojnë ata me gjerat bazë si ushqimi dhe udhëzimet.
“Është njerëzore të ndihmosh. Di pak polonisht, e njoh qytetin dhe është çështje dëshire për të ndihmuar”, thotë për Zërin e Amerikës vullnetari nga Katalonja, Albert Riera.
Mes të tjerash, autoritetet lokale po u japin refugjatëve ukrainas karta telefonike që ata të mund të lidhen në internet dhe të bëjnë telefonata. Një qendër asistence i ndihmon gratë dhe fëmijët me strehim të përkohshëm.
Ina, bashkëshorti i saj dhe vajza e tyre 13 vjeçare kanë marrë me vete dhe dy qentë e familjes. Kur Zëri i Amerikës e pyeti atë pse ishte larguar, lotët e saj dhe zëri që i dridhej ishte përgjigja që mund të jepte.
Polonia thotë se do të hapë më shumë qendra orientimi në të gjithë vendin. Aktualisht, autoritetet thonë se në këtë stacion hekurudhor prurjet janë aq të mëdha sa po u mbaron hapësira për t’i pritur refugjatët.