I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkroi të hënën se nuk duhet lejuar Rusinë të përdorë luftën që ka zgjedhur, për të penguar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa nënvizoi se Ukraina është mësim se duhet dyfishuar përpjekjet për një marrëveshje Kosovë – Serbi.
Në një shkrim të shpërndarë nga ambasada amerikane në Beograd, zoti Escobar thekson se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka ndryshuar botën dhe mbështetja e madhe për Ukrainën në ditët e fundit është mbresëlënëse.
“Ne i bashkohemi thirrjes ndërkombëtare për të gjitha vendet, veçanërisht ato në Evropë, për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe për të refuzuar pa mëdyshje agresionin e paligjshëm që Rusia kreu në Ukrainë, fqinjin e saj. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dëgjuar këtë thirrje. Unë i falënderoj ata që qëndrojnë fort pranë Bashkimit Evropian dhe botës së lirë”, shkroi ai.
Zoti Escobar yha se popujt e rajonit të Ballkanit Perëndimor e dinë shumë mirë se sa shkatërruese është lufta.
“Nuk duhet të lejojmë Rusinë të përdorë luftën që ka zgjedhur për të penguar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rusia nuk udhëhiqet nga interesat më të mira të këtyre vendeve. Ekonomitë tuaja janë të lidhura me Evropën. Partnerët dhe investitorët tuaj më të mëdhenj tregtarë janë në Bashkimin Evropian. Dhe e ardhmja juaj është të jeni në Evropë si një anëtar i plotë i Bashkimit Evropian”.
Ai tërheq vërejtjen se ka ende shumë për të bërë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë integrimin ekonomik të rajonit, kompromise të qëndrueshme dhe zgjidhje të qëndrueshme për mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare.
“Le të shërbejë kjo krizë për të siguruar që brezat e ardhshëm këtu në Ballkanin Perëndimor të jetojnë në vende që janë plotësisht të integruara në BE, në një Evropë të tërë, të lirë dhe paqësore. Shtetet e Bashkuara duan të jenë partneri juaj në këtë përpjekje. Situata në të cilën ndodhet Ukraina na mëson se duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalojmë veprimtaritë që kërcënojnë qëndrueshmërinë dhe përparimin në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë forca shumë më të fuqishme se frika dhe shtypja, shkroi ai. “Në luftën midis demokracisë dhe autokracisë, midis sovranitetit dhe bindjes, mos dyshoni: Liria do të fitojë. Evropa dhe Ballkani Perëndimor do të dalin edhe më të fortë”, shkroi zoti Escobar.
Dy ditë më parë, 19 anëtarë të Kongresit amerikan thonë se në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë, është më e rëndësishme se kurrë që administrata e Presidentit, Joe Biden, të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor.
Një nga nënshkruesit e letrës, ligjvënësi nga Nju Jorku, Ritchie Torres, ka kërkuar që NATO-ja të anëtarësojë Kosovën në aleancë, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara “nuk kanë aleat më të madh se Kosovën në Evropën Juglindore”.
Të shtunën forca paqeruajtëse e Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha se Franca do të kryejë stërvitje ajrore me avionë të shpejtë në Bosnje në kushtet e përkeqësimit të situatës së sigurisë në nivel ndërkombëtar.
BE-ja vendosi këtë javë të rrisë numrin e forcave të EUFOR-it nga 600 në 1,100, duke dërguar trupa rezervë nga Austria, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia për të shmangur paqëndrueshmërinë e mundshme pas sulmit rus ndaj Ukrainës.