NJU JORK (AP) - Vetëm gjashtë muaj pasi dha dorëheqjen nga posti nën akuzat për ngacmim seksual, ish-guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, po lë të kuptohet se mund t’i rikthehet politikës.
Demokrati Cuomo bëri të dielën një ndalesë të ngjashme me ato të fushatave në një kishë në Bruklin, duke mbajtur një fjalim, gjatë së cilit dënoi teorinë e ashtuquajtur “kultura e përjashtimit”. Dalja publike, e para e tij që nga largimi nga detyra, erdhi një javë pasi zoti Cuomo filloi një fushatë reklamuese dixhitale dhe televizive duke nxitur një mesazh të ngjashëm sipas së cilit, ai u përzu nga detyra në mënyrë të padrejtë.
Zoti Cuomo citoi Biblën disa herë ndërsa përshkruante përvojën e tij e më pas kaloi në ofensivë për të sulmuar "peshkaqenët politikë" në kryeqytetin e shtetit të Nju Jorkut, Albany, të cilët, tha ai, shfrytëzuan situatën për përfitime politike.
"Veprimet kundër meje ishin sjellje e pahijshme antiligjore," tha zoti Cuomo, duke përsëritur një temë që ai e ka përkrahur qysh në fillim.
Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, e cila publikoi raportin verën e kaluar që arriti në përfundimin se guvernatori Cuomo kishte ngacmuar seksualisht 11 gra, iu kundërpërgjigj ish-guvernatorit të dielën përmes një deklarate nga fushata e saj për rizgjedhje.
"Ngacmuesi seksual Andrew Cuomo nuk do të kursejë as një vend të shenjtë nga gënjeshtrat e tij," tha fushata e zonjës James. "Edhe pse hetimet e shumta të pavarura zbuluan se viktimat e tij ishin të besueshme, zoti Cuomo vazhdon të fajësojë të gjithë përveç vetes".
Andrew Cuomo dha dorëheqjen në gusht, disa ditë pasi një hetim i pavarur zbuloi se ai ngacmoi seksualisht gati 12 gra dhe se ai dhe ndihmësit e tij punuan për t'u hakmarrë kundër akuzueseve. Të dielën, zoti Cuomo pranoi se sjellja e tij nuk ishte e përshtatshme, por shtoi se asgjë që ai kishte bërë nuk shkelte ligjin.
“Kam nxjerrë një mësim të madh dhe kam paguar një çmim shumë të lartë për ta marrë atë mësim. Zoti nuk ka mbaruar ende me mua”, tha ish-guvernatori Cuomo.
Cuomo nuk ka deklaruar se do të kandidojë për postin, por ka shuma disa milionëshe fondesh që mund t’i përdorë për të financuar një tjetër garë.
Disa avokatë të qarkut në Nju Jork thanë se i gjetën akuzueset e zotit Cuomo "të besueshme", por thanë se provat e disponueshme nuk ishin mjaft të forta për të ngritur akuza penale kundër tij.
Muajin e kaluar, një punonjëse ushtarake e shtetit të Nju Jorkut e paditi zotin Cuomo duke pretenduar se ai i shkaktoi ankth të rëndë mendor dhe shqetësim emocional duke e prekur në mënyrë të papërshtatshme dhe duke bërë komente me nënkuptim. Një zëdhënës i zotit Cuomo e quajti padinë një "zhvatje parash".