Lidhje

Serbët pro-rusë marshojnë në Beograd, ndërsa vendi e gjen veten mes Lindjes dhe Perëndimit


Me flamuj rusë dhe fotografi të presidentit Vladimir Putin serbët marshuan në Beograd, duke ecur drejt ambasadës ruse, një shfaqje e rrallë e mbështetjes publike për Moskën pas sulmit të saj kundër Ukrainës.

Serbia po ruan balancën midis synimeve evropiane, partneritetit me NATO-n dhe aleancës shekullore fetare, etnike dhe politike të saj me Rusinë.

Për shumë banorë në Serbi, kujtimet e bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave strategjike në Serbi për t’u dhënë fund luftërave ballkanike të viteve 90 janë ende të freskëta, një ndërhyrje që ishte kundërshtuar ashpër nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili muajin që vjen do të përballet me zgjedhje, në të cilat duhet të ruajë mbështetjen e qytetarëve me prirje ruse, kohët e fundit ka theksuar në mënyrë të përsëritur mbështetjen për një kohë të gjatë të Moskës në OKB për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Para marshimit, rreth 2 mijë qytetarë u mblodhën para selisë së presidencës në Beograd, ku luajtën himnin rus dhe atë serb ndërsa pranë monumentit të Carit rus Nikolla 2 përshëndetën atë që ata e quajnë vëllazëri mes dy vendeve.

Në mesin e tyre ishin edhe anëtarët e grupit rus “Ujqërit e Natës”, të njohur për lidhjet e ngushta me presidentin rus Putin dhe për pjesëmarrje në luftimet e Ukrainës përkrah separatistëve pro-rusë gjatë krizës së Krimes më 2014 dhe luftës në rajonin e Donbasit.

Pikëpamjet politike të shumë serbëve janë formësuar nga tabloidet e afërta me presidentin Vuçiç, të cilat në ditën e parë të sulmit i bënë jehonë qëndrimit të Moskës për luftën në Ukrainë. Njëra prej tyre mbante titullin “Ukraina sulmoi Rusinë“.

Por në Serbi ka edhe mbështetës të Ukrainës. Dhjetëra qytetarë protestuan kundër sulmit rus para ambasadës së Moskës në Beograd në fillim të javës, ndërsa një tubim tjetër do të mbahet gjatë fundjavës.

Rusia e quan agresionin e saj një “operacion special” që nuk ka për qëllim pushtimin e një territori, por të shkatërrojë aftësitë ushtarake të fqinjit të saj dhe për të kapur ata që Moska i konsideron si nacionalistë të rrezikshëm.

Sot gjatë ditës, zoti Vuçiç i tha ambasadorit të Ukrainës në Serbi se Beogradi respekton ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe se vendi i tij është gati të ofrojë ndihmë humanitare dhe të pranojë refugjatë.

Serbia, e cila është e varur tek Moska për nevojat e saj energjetike, iu bashkua gjithashtu dënimit të sulmit të Rusisë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, por ka refuzuar vendosjen e sanksioneve kundër Moskës.

Zoti Vuçiç ka thënë se vendi i tij ndodhet në trysni të madhe për të harmonizuar politikën e jashtme me atë të Bashkimit Evropian, të cilës synon t’i bashkohet.

Kompania ajrore “Air Serbia” vazhdon të fluturojë nga Beogradi në Moskë dhe anasjelltas. Madje firma serbe ka shtuar kapacitetet pasi BE-ja dhe Rusia kufizuan përdorimin hapësirave të tyre ajrore.

XS
SM
MD
LG